Përdorimi i energjisë elektrike është një ndër parametrat që mundëson arsyetimin mbi eficencën e shfrytëzimit të energjisë elektrike. Burimet totale nga të cilat sigurohet energjia elektrike mund të përdoren për një nga katër kategoritë kryesore: konsumatorët, eksporti, centralet dhe humbjet në rrjet.
Burimi: Bilanci i energjisë, INSTAT
Perpunimi ODA
Me kalimin e viteve, struktura e përdorimit ka pësuar ndryshime. Nga një raport Humbje: Konsumatorë 1,4 : 1 (për cdo 100 KWh që përdorej nga konsumatorët, 140 KWh ishin humbje në rrjet) në vitin 1998, përdorimi i energjisë nga konsumatorët nisi të marri terren gjithmonë e më shumë. Në vitin 2002, ky raport ishte 0, 54 : 1 dhe në vitin 2010, 0,47 : 1. Zvogëlimi i këtij raporti përkthehet në rritje të eficencës së energjisë elektrike. Megjithatë, duke qenë se zvogëlimi i raportit është shkaktuar në pjesën më të madhe si pasojë e rritjes së konsumit se sa si pasojë e uljes së humbjeve në rrjet, eficenca e përdorimit vazhdon ende të jetë shumë e ulët.
Prej vitit 2008 bie në sy një përdorim i lartë nga konsumatorët. Krahasuar me vitin 2007, ai ishte 14% më i lartë, ndërsa në dy vitet pasues, 2009, 2010 është rritur përkatësisht me 3% dhe7%. Kjo rritje ka ardhur kryesisht si pasojë e zvogëlimit të ndërprerjeve, të cilat prej vitit 2009 kanë qenë zero, për rrjedhojë rritja e konsumit nuk mund të barazohet me rritjen e kërkesës për energji.
Eksporti është zëri i tretë i rëndësishëm në përdorimet e energjisë elektrike. Duke qenë se vendi ynë bazohet në prodhimin e energjisë nga burimet hidrike, vitet me rreshje të larta kanë mundësuar edhe eksport të lartë. Në të dhënat e përdorura nga ODA janë marrë në shqyrtim ekportet, duke përfshirë edhe daljen e energjisë si pasojë e marrëveshjeve të shkëmbimit. Sic mund të shikohet edhe nga grafiku, viti 2010 është viti më i favorshëm për eksportet si pasojë e prodhimit shumë të lartë në vend.
Kontribuoi: Blerta Zilja