Procesi i privatizimit të aseteve publike rrit investimet e huaja, sjell më shumë para për buxhetin e shtetit dhe një zhvillim të mëtejshëm të sipërmarrjes private. Kjo konstatohet nga shifrat e këtij sektori dhe rritjen e të ardhurave të cilat financojnë defiçitin e buxhetit. Adresa në rrjet, Open.Data.Al ka publikuar të ardhurat në vite nga privatizimet.

Nga grafiku duket qartë ndikimi i të ardhurave në financimin e defiçitit të buxhetit. Gjatë vitit 2011 qeveria parashikon të privatizojë rreth 1280 objekte që nuk shfrytëzohen më dhe pjesën e mbetur të aksioneve që zotëron në kompani strategjike si ALBTELEKOM, INSIG, ish-OSSH dhe AMC.

Nga privatizimi pritet të injektohen kapitale të reja financiare në treg, të ulen kostot dhe të rriten investimet e huaja në vend. Bazuar në tabelën fiskale të Buxhetit të Konsoliduar, ishte parashikuar që gjatë këtij viti të arrihej në rreth 300 milion lekë nga privatizimet, por duke bërë një përllogaritje të thjeshtë, kjo shumë tejkalohet me dhjetëra herë.  Po të shohim ecurinë e privatizimeve në vendin tonë, gjatë vitit 1993 – 1999 të ardhurat kanë qenë shumë të ulta, për faktin se ato lidheshin kryesisht me ndërmarrje dhe asete të vogla.

Pas vitit 2000, kohë që u mundësua privatizimi i shërbimeve të rëndësishme, të cilat më parë ofroheshin nga shteti, të ardhurat kanë qenë të larta duke u kthyer në një zë të rëndësishëm për përballimin e deficitit të buxhetit. Në vitin 2000 të ardhurat nga privatizimet arritën në 8.9 miliard lekë dhe financuan 22 % të defiçitit. Gjatë këtij viti u krye privatizimi i parë i rëndësishëm, ai i bankës kombëtare tregtare.

Në vitin 2001 privatizimet u rritën me 43 përqind dhe financuan 30 përqind të defiçitit të buxhetit. Viti 2002 dhe 2003 shënuan një mesatare të ulët të privatizimeve dhe rrjedhimisht një rënie të të ardhurave. Viti 2004 shënon të ardhura të larta nga privatizimet. Në këtë kohë u privatizua ish banka e kursimeve dhe nga këto para u përballua një pjesë e defiçitit dhe u reduktua borxhi publik.

Procesi i privatizimeve të ndërmarrjeve shtetërore rikthehet në vitin 2007 duke realizuar privatizimin e shoqërisë ALBTELEKOM. Viti 2008 pasohet me një rënie në të ardhurat nga rpivatizimi, edhe pse këto të fundit ishin në një masë të kënaqshme. Tani kishte ardhur radha e ARMO-s që të transferohej drejt sektorit privat. Viti 2009 ka shënuar pikën më të lartë të të ardhurave nga procesi i privatizimit. 25 miliard lekë shërbyen për financimin e defiçiti të buxhetit dhe shitja e 76 përqin e aksioneve të ish Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ishte ngjarja kryesore. Gjatë vitit 2010 u fol gjatë për privatizimin e godinës së ish Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë, me një shumë që arriti në 30 milion euro.