Sistemi i arsimit dhe ai shëndetësor tregojnë paraqiten në një
gjendje shumë të dobët për një vend që aspiron të ketë një rritje të
qëndrueshme ekonomike dhe të integrohet në Bashkimin Europian. Ndërkaq,
raportet dhe të dhënat e publikuara nga një sërë organizatash e
institucionesh shpalosin një panoramë të trishtë të këtyre sektorëve në
Shqipëri, të cilët mbeten ndër më të nëpërkëmburit e të keqmenaxhuarit

Arsimi dhe shëndetësia – prioritetet e fort-trumpetuara nga
qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit, nuk rezultojnë të kenë
performuar veçanërisht mirë. Në fakt jemi diku në fund të listës, në
Europë e në Ballkan. Këto janë rezultatet e publikuara nga Open Data
Albania
(ODA), dhe një sërë institucionesh të tjera. Performanca e keqe
në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor, të cilat përfaqësojnë dy prej
shtyllave kryesore të një shërbimeve publike, është vërejtur për një
kohë të gjatë, madje ka përfaqësuar një sëmundje të vazhdueshme të
sektorit publik në vend, por edhe të dhënat e fundit, tregojnë se nuk ka
përmirësim.

Arsimi në vendnumëro

Sipas ODA (open.data.al), Shqipëria është ndër vendet e fundit në rajon
për përqindjen e buxhetit të arsimit kundrejt PBB-së. Ajo lë pas vetëm
Turqinë, ndërkohë që është shumë larg mesatares së BE-së. “Me trendin
zbritës që ka marrë ky tregues vitet e fundit për Shqipërinë, duke
shkuar në 2.8% për 2011-n, mund të thuhet se arritja e standardeve të
BE-së për shpenzimet në arsim mbetet ende një iluzion”, vlerëson
organizata. Sipas të dhënave të paraqitura nga ODA, Qiproja është shteti
që investon më shumë nga Prodhimi i saj i Brendshëm Bruto në arsim,
mesatarisht 6.4%. Pas saj vjen Sllovenia me 5.68% dhe Hungaria me 5.15%.
Këto tre vende janë edhe mbi mesataren e BE-së prej 5.1%. Shqipëria
duhet të plotësojë normën e 30 të diplomuarve ndër 100 qytetarë, për të
arritur kësisoj standarde dhe cilësi në arsimin e lartë. Sipas një
studimi të ODA-as ky është një kusht i vendosur nga Këshilli i Europës,
dhe 10 vitet e fundit arsimi i lartë duket se e ka ndryshuar krejt
fizionominë. Por Shqipëria vazhdon t ëmbetet poshtë shifrës 30. Ndërkaq,
një problem tjetër lidhet me faktin sesa të vlefshme janë diplomat e
arsimit të lartë të lëshuara në Shqipëri.

Të dhënat e paraqitura nga ODA tregojnë se vetëm 25% e programeve të
universiteteve private janë akredituar. Në vijim të procesit janë 20
programe, ndërkohë që pjesa më e madhe janë ende të paakredituar.
“Akreditimi i universiteteve private merr rëndësi të veçantë për
publikun, pasi janë institucione të reja dhe jo shumë të konsoliduara.
Ndërsa për arsimin publik është një krijuar një traditë dhe një opinion i
fituar ndër vite, informacioni i vetëm për të gjykuar mbi morinë e
universiteteve private në qarkullim, për momentin mbetet akreditimi, i
cili supozon plotësimin e standardeve”, vijon raporti i ODA-s.

Sipas një studimi të botuar nga Banka Botërore në prill 2011, vërehet se
pothuaj në të gjitha shkollat e vrojtuara raportohen probleme të
infrastrukturës së dobët dhe ambienteve të papërshtatshme. Sipas
vrojtimit të kryer, në rreth 95 për qind të klasave, nuk mund të bëhet
mësim kur moti është i keq, dhe shkollat vuanin nga mesatarisht 4 ditë
ndërprerje energjie elektrike në muaj. Shkollat në zonat rurale
rezultuan shumë më të vogla, shpesh pa linjë telefonike, me ndërprerje
më të shpeshta të energjisë dhe pa bibliotekë.

Kurse, në Raportin e Konkurrueshmërisë Globale,për sa i përket arsimit
të lartë dhe trajnimeve të specializuara, Shqipëria renditet shumë
poshtë krahasuar me pothuaj të gjithë Europën Juglindore – në vendin 84 –
duke u paraqitur më mirë vetëm se Bosnja (vendi 88).

Rritja e buxhetit, e panevojshme?

Megjithatë, investimet në arsim në Shqipëri duhen parë edhe nga një
këndvështrim tjetër. Nëse shihet realizimi i buxhetit të shtetit sipas
sektorëve, kur fjala vjen te arsimi, duhet pasur parasysh edhe rishikimi
i buxhetit në fund të vitit 2010. Investimet kapitale të planifikuara
për vitin 2010 ishin 8.5 miliard lekë, ose sa 19.5% e të gjithë buxhetit
të Ministrisë së Arsimit, por me rishikimin e buxhetit në korrik,
buxheti për investim u reduktua (si pasojë e krizës), duke arritur në
4.5 miliardë lekë apo sa 12% e totalit të buxhetit. Investimet në
tërësi, të realizuara për 2010 ishin 82%.

Sipas këtyre të dhënave, një realizim i shpenzimeve deri në 82% nuk
është edhe aq i keq nëse merret parasysh performanca e viteve 2008-2009
me shifra që luhateshin te 60% realizim, duke shënuar rezultate
katastrofike, veçanërisht në arsimin universitar, me shifra që
pasqyronin një bilanc gati sabotues. Por, duke marrë parasysh se buxheti
në dispozicion të arsimit, thuajse u përgjysmua në mes të vitit që
shkoi, niveli i realizimit me vetëm 82% të shumë së mbetur është tejet i
dobët.

Mosrealizimi i investimeve, në një kohë që buxheti i arsimit
konsiderohet i ulët nga aktorë opozitarë, sugjeron se edhe një rritje e
buxhetit në përqindje të krahasueshme të PBB-së me vendet e rajonit,
është një kërkesë e kotë, përderisa edhe buxheti (i përgjysmuar) në
dispozicion nuk arrin të realizohet.

Si rrjedhojë, “beteja” për buxhet më të lartë për arsimin është një
krijesë tërësisht mediatike dhe jooperative në terrenin praktik.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se problemi kryesor është
keqmenaxhimi i sektorit, ndaj siç keqmenaxhohen 1 milionë dollarë,e
njëjta performancë mund të zbatohet me sukses edhe në rastin e 1 miliard
dollarëve. Ky është një rast tipik, kur diskutimi shterp për sasinë,
duhet orientuar nga cilësia.

BB: Arsimi ndikon ekonominë

Sipas një studimi të Bankës Botërore (BB), pasja e një ekonomie tregu,
që të jetë konkurruese brendapërbrenda BE-së, është një kusht thelbësor
për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Sidoqoftë, në shumë aspekte,
ekonomitë e vendeve të Europës Juglindore nuk kanë arritje të kënaqshme.
Bashkimi Europian ka përcaktuar 16 tregues, përfshirë pesë standarde,
me anë të të cilave do të monitorojë kontributin e arsimit dhe
kualifikimit në realizimin e Axhendës së Lisbonës.

Sipas BB-së, treguesit për arsimin e lartë janë të paktë në numër dhe
për shumë vende të Europës Juglindore nuk ka të dhëna të krahasueshme,
por një mjet më i vlefshëm për krahasimin e vendeve është “Raporti për
aftësinë e konkurrencës në botë” i Forumit Botëror Ekonomik (ËEF), ku
Shqipëria paraqitet shumë keq. Nga 131 vendet që klasifikohen për vitin
2007, Sllovenia dhe Kroacia ishin vendet më të suksesshme të Europës
Juglindore, të renditura, përkatësisht, në vendin e 39- të dhe 57-të,
ndërsa vendet e tjera të Europës Juglindore ishin më poshtë se vendi i
70-të. Vetë Shqipëria renditej e 109-a!

Ekspertët e Bankës Botërore theksojnë se krijimi i një ekonomie
konkurruese, e një ekonomike që është në zhvillim dhe krijon vende pune
të orientuara në drejtim të së ardhmes, kërkon masa politike në shumë
sektorë, përfshirë arsimin, dhe veçanërisht arsimin e lartë. Studimet që
ka bërë Banka Botërore që në fillim të viteve ’90-të, tregojnë se
zhvillimi i arsimit të lartë lidhet me zhvillimin ekonomik. Këto
konkluzione janë përforcuar nga studimet më të fundit për ndërtimin e
shoqërive të dijeve. Këto studime tregojnë se aftësia e një shoqërie për
të prodhuar, përzgjedhur, përshtatur, tregtuar dhe për të përdorur
dijet është shumë e rëndësishme për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe
përmirësimin e standardeve të jetesës.

Shëndetësia “prapa kthehu”

Shëndetësia është sektori tjetër jopërformues, pas arsimit. Madje në
këtë sektor, pasojat e keqmenaxhimit mund të marrin ngjyrime makabre.
Megjithëse investimet në shëndetësi, kanë qenë pjesë përbërëse e çdo
fushate elektorale, në çdo kohë dhe nga cilado forcë politike, rezultet
ajnë ato të një shërbimi të prapambetur dhe jocilësor. Një shpjegim
lidhet direkt me financimet e vëna në dispozicion për këtë sektor.

Shpenzimet e sektorit publik për shëndetësinë llogariten si shuma e
buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe e fondeve të kontributeve
shëndetësore. Sasia e financimit që alokon një shtet nga Buxheti i tij
për shëndetësinë është një tregues shumë i mirë i prioritetit që i jepet
këtij sektori dhe akoma më tej i rëndësisë që merr jeta e një shtetasi
në shifrat e Buxhetit.

ODA ka kryer një hulumtim mbi shumat që shpenzojnë vendet e rajonit nga
Buxheti i tyre për shëndetësinë, në raport me shpenzimet totale të
Buxhetit. Vendi që shpenzon më pak nga buxheti i tij për shëndetësinë
është Shqipëria. Në vitet 2003-2006 pesha e buxhetit të alokuar për këtë
sektor, ndaj Buxhetit Total përjetoi rritje, por 2007-a e gjeti
Shqipërinë me një rënie 15% krahasuar me një vit më parë. Sipas Open
Data Albania
vitet 2008 dhe 2009 vazhduan ta shkëputin vendin nga pjesa
tjetër e rajonit duke shpenzuar vetëm 8.4% të Buxhetit për shëndetësinë,
krahasuar me një minimum prej 10.2% që po shpenzonin fqinjët.

Shqipëria është vendi që në mënyrë të vazhdueshme ka shpenzuar më pak
nga buxheti i saj për shëndetin. Ky fakt shoqërohet me shpenzime të
larta të sektorit privat. Në kushtet kur shteti nuk paguan një shërbim,
individi paguan drejtpërsëdrejti vetë për të. Nëse studiohet pesha që
zënë shpenzimet publike ndaj shpenzimeve totale për shëndetësinë, do të
shikohet se Shqipëria është vendi ku shpenzimet publike zënë peshën më
të vogël. Pra, shqiptarët shpenzojnë më shumë nga xhepi i tyre për
kujdesin shëndetësor se sa fqinjët. Ndërkohë, Kroacia është vendi që
shpenzon më shumë nga buxheti për shëndetësinë. Në fakt, edhe shpenzimet
private të individëve janë më të ulëtat në rajon.

Nga vlerësimet e ODA-s, rezulton se Sektori publik mbulon vetëm 40 për
qind të shpenzimeve në shëndetësi, pjesa tjetër mbulohet nga sektori
privat. Instituti I Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor mbulon vetëm 45
për qind të shpenzimeve për shëndetësinë të familjeve shqiptare. Më të
goditur nga kjo gjë janë grupet me nivel të ulët të ardhurash. Për
sistemin financiar që ka zgjedhur Shqipëria për shëndetësinë pritej që
sektori publik të kishte një prevalencë më të lartë.

Ndërkaq, studime të publikuara nga Banka Botërore, i trajtojnë dinamikat
e sistemit shëndetësor shqiptar në një rrafsh më akademik. Sipas
studimit të kryer nga Caryn Bredenkamp dhe Michele Gragnolati në vitin
2007, trashëgimia e sistemit shqiptar të shëndetësisë bazohet në modelin
sovietik “Semashko”, i cili historikisht financohej direkt nga buxheti i
qeverisjes qendrore, ku alokimet sipas njësive të ndryshme bëheshin në
norma që u korrespondonin numrave të popullatës.

SIpas studimit, sigurimet shëndetësore hynë në veprim vetëm në vitin
1995 dhe ende sot nuk luajnë një rol të rëndësishëm: “Edhe pse në
Shqipëri ekziston një skemë kontributesh shëndetësore, sigurii
shëndetësor arrin të financojë vetëm 25% të sektorit të shëndetit
publik”.

Nga ana tjetër, sipas këtij studimi, shumë shqetësues është fakti se në
Shqipëri dhe Bosnje, më shumë se gjysma e financimeve për sektorin
shëndetësor bëhen në formën e pagesave nga xhepi (me para në dorë), sesa
përmes skemave të sigurimit shëndetësor, çka potencialisht e bën
sistemin shëndetësor më pak të aksesueshëm nga të varfrit.

Edhe gjatë kësaj fushate elektorale, investimet në arsim e shëndetësi
renditeshin ndër premtimet kryesore. Megjithatë, diçka e tillë ka
ndodhur edhe në çdo fushatë tjetër, ndaj gjasat që ketë një përmbajtje
ndaj premtimeve, janë të ulëta.