Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi disa tregues të sistemit shëndetësor në Shqipëri, si dhe krahasimin me vendet e rajonit për këta tregues. Të dhënat bazohen në statistikat e Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Në të dhënat e mëposhtme, në kategorinë mjekë janë klasifikuar mjekët e përgjithshëm dhe specialistët.

Infermiere klasifikohen infermieret profesioniste dhe mamitë, si dhe personeli sanitar në spitale.

Shtretër në spitale klasifikohen shtretërit për pacientët kronikë dhe akutë në spitale.

Numri i mjekëve për 1,000 banorë është një tregues i rëndësishëm i nivelit të kujdesit shëndetësor në një vend. Duke filluar nga viti 1989, numri i mjekëve për 1,000 banorë në Shqipëri ka ndryshuar sipas grafikut të mëposhtëm:

Burimi: Banka Botërore, OBSH
Komentet dhe Analiza: ODA

Sikurse mund të shikohet edhe nga grafiku, numri i mjekëve për 1,000 banorë në Shqipëri ka ardhur në rënie. Sipas të dhënave më të fundit (2007), në Shqipëri ka 1.15 mjekë për 1,000 banorë, krahasuar me 1.39 në vitin 2000 (ose 17.5% më pak). Nëse kjo shifër krahasohet me vendet e rajonit, rezulton se ky tregues është 2.5 në Maqedoni, 2 në Serbi, 6 mjekë për 1,000 banorë në Greqi, etj. Ndërkohë në Shqipëri rezultojnë 4 infermiere për 1,000 banorë.

Numri i shtretërve spitalorë është një tregues i kapacitetit të institucioneve shëndetësore të një vendi, sidomos në situata emergjencash.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka një edhe një numër më të ulët shtretërish spitalorë për 1,000 banorë. Të dhënat paraqiten sipas grafikut:

Burimi: Banka Botërore, OBSH
Komentet dhe Analiza: ODA

Bazuar në të dhënat rezulton se edhe numri i shtretërve spitalorë ka ardhur në ulje. Në 2007, rezultojnë vetëm 2.92 shtretër spitalorë për 1,000 banorë. Krahasuar me vitin 2000 kjo shifër është ulur me 11%.

Edhe ky tregues nëse krahasohet me vendet e rajonit është më i ulët. Në Maqedoni numri i shtretërve për 1,000 banorë është 4.6, në Serbi 5.4 dhe në Greqi 4.8.

Me rritjen e numrit të spitaleve private në Shqipëri, pritet një rritje e treguesve të mësipërm, si dhe një rritje e cilësisë së shërbimit shëndetësor në përgjithësi.

Te dhenat paraqiten te permbledhura ne tabelen dinamike me poshte:

Burimi: Banka Botërore, OBSH
Komentet dhe Analiza: ODA

Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: R.E