Heqja e taksave doganore me vendet e rajonit për produktet bujqësore krijon një situatë të mirëfilltë të tregtisë së lirë, por zhvillimi i dobët i sektorit bujqësor shqiptar, mungesa e mbështetjes shtetërore dhe situata e dobët e kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese të vendit, përbëjnë një pikënisje të zymtë për konkurrencën e këtij sektori me vendet e rajonit.

Në mungesë të opozitës, seanca e Kuvendit të Shqipërisë, ditën e enjte të kësaj jave, tërhoqi vëmendjen e publikut, për nga ngarkesa dhe domethënia e saj politike. Por, në këtë seancë, u morën edhe vendime të rëndësishme, siç ishte ai për heqjen e taksave doganore për produktet bujqësore që vijnë nga vendet e rajonit. Në parim, bëhet fjalë për një detyrim të Shqipërisë, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë (MTL) me vendet e rajonit – CEFTA – në vitin 2006 dhe ratifikimin e saj në vitin 2007.

Marrëveshja, e cila përfshin Shqipërinë, Moldavinë, Malin e Zi, Kosovën, Kroacinë, Serbinë dhe Bosnjën, lejon qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve ndërmjet këtyre vendeve pa taksë doganore. Në rastin aktual, bëhet fjalë për produktet bujqësore, dhe bujqësia është një sektor ku Shqipëria, për ta thënë me delikatesë, nuk shkëlqen. Si rrjedhojë, fermerët shqiptarë prej kohësh janë përballur me konkurrencën e ndjeshme nga vendet e rajonit, por me hyrjen në fuqi të rregullave të reja, kjo konkurrencë do të jetë më e ndjeshme. Detyrimet e CEFTA-s kanë filluar të gjejnë zbatim që me ratifikimin e saj, por bërja e tarifave zero, ishte parashikuar vetëm për këtë vit.

Sipas ekspertit të sektorit bujqësor, Ismail Beka, Shqipëria është treguar shumë e hapur ndaj Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë që nga fillimi, qoftë me Bashkimin Europian, apo me vendet e rajonit. Madje ai vëren se edhe gjatë viteve të fundit, tarifa doganore për prodhimet ushqimore me rajonin, ka qenë mesatarisht në nivelin 6 për qind. “Çështja është se ndryshe nga ç’pretendohet, nuk paraqiten shumë mundësi për t’u hapur rrugë eksporteve shqiptare përmes heqjes së taksës doganore mes vendeve të rajonit”, thotë Beka për “MAPO”-n. Eksperti vëren se Shqipëria kryen disa lloj eksportesh bujqësore dhe ushqimore që vlejnë të përmenden, dhe për të cilat nuk ka pasur pengesa reale. “Bimët mjekësore, konservat e peshkut, lënda e parë për të cilat merret jashtë vendit dhe perimet e freskëta të stinës që eksportohen në vendet fqinje, janë prodhime të cilat ne i eksportojmë dhe nuk kemi pasur probleme për ta bërë diçka të tillë. Si rrjedhojë, heqja e tarifave nuk ka gjasa të ketë një efekt të fortë për sa i përket eksporteve tona, duke pasur parasysh se në çdo rast, me apo pa tarifa, kapacitetet tona eksportuese janë po këto”, shpjegon Beka.

Një histori tjetër është puna e importeve. Eksperti vë në dukje se do të ketë një rritje të importeve të një sërë prodhimesh bujqësore nga vendet fqinje, duke qenë se për disa prej tyre – siç është rasti i grurit, për shembull – çmimet me tarifë zero do të jenë ndjeshëm më konkurruese në tregun shqiptar. “Pra në thelb, mund të thuhet se nuk do të ketë ndonjë zhvillim të ndjeshëm për sa i përket eksporteve, por ndikimi do të ndjehet në drejtim të importeve”, sqaron Beka. Ai shton se Shqipëria nuk ka avantazhe konkurruese përballë tregjeve të zonës së ish-Jugosllavisë.

Por, kjo masë mund të ketë edhe efekte pozitive, të paktën në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën. “Sigurisht që do të ndjehet për sa i përket produkteve të caktuara dhe si rrjedhojë mund të kemi ndryshime në disa produkte bujqësore, por nuk parashikoj efekte dramatike në tërësi”, thotë Maksim Meçe, profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke folur për heqjen e taksës doganore për produktet bujqësore në rajon. “Në thelb e gjykoj si një masë pozitive që lehtëson qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve, sidomos për sa i përket shkëmbimeve me Kosovën. Me heqjen e taksave doganore dhe përmes infrastrukturës së zhvilluar të transportit me ‘Rrugën e Kombit’, këto shkëmbime do të zhvillohen më tej”, shpjegon Meçe.

Vlen të theksohet se sipas INSTAT, për katër muajt e parë të këtij viti, vendi importoi rreth 29 miliardë lekë në kategorinë “ushqime pije e duhan”, ndërsa arriti të eksportojë vetëm 2.8 miliardë lekë, çka përkthehet në 10 herë më pak eksporte përkundrejt importeve. Sektori bujqësor specifikisht, vlerësohet ai me deficitin më të lartë tregtar.

Që këtu, fillon një kapitull i ri në historinë e pakëndshme të tregtisë së jashtme të produkteve bujqësore e ushqimore të Shqipërisë. Në këtë pikë, lajmet e këqija sapo kanë filluar. Bërja zero e taksave doganore për produktet bujqësore ishte një vendim i pashmangshëm për parlamentin shqiptar, por nga ana tjetër, efektet e kësaj mase të parashikueshme dhe të programuar që 5 vjet më parë, mund të ishin menaxhuar përmes politikave të përshtatshme për sektorin bujqësor në vend. Problemi është se aktualisht, për shkak të një krize të përkeqësuar ekonomike nga tensionet e zgjatura politike në vend, qeveria disponon financime të kufizuara për t’i ardhur në ndihmë bujqësisë, ndërsa financimet e huaja për këtë sektor, paraqiten si mos më keq nga viti në vit.

Dritë-hijet e eksporteve bujqësore

Sipas statistikave të Departamentit të Statistikave të OKB-së (UNSTAT), gjatë viteve 2008 dhe 2009, eksporti total i perimeve shqiptare ka kërcyer nga një mesatare nën 50 mijë dollarësh në vit për periudhën 1996-2007, në respektivisht 415 mijë dollarë dhe 756 mijë dollarë për dy vitet e fundit. Që nga viti 2004 vërehet një rritje e dukshme e eksportit të frutave, nga rreth 370,000 USD eksporte në 2004, në afërsisht 4 dhe 3 milion USD respektivisht në vitet 2008 dhe 2009, po sipas UNSTAT. Rrjedhimisht, importi në këtë sektor është ulur me më shumë se 40%. Dhe diçka e tillë ndodh duke marrë parasysh se nga viti në vit rritet edhe kërkesa në treg. Prodhimi është rritur jo vetëm për të takuar kërkesën, por edhe për të rritur eksportet. Të dhënat e prodhimit tregojnë se ai po bëhet gjithmonë e më intensiv. Sipërfaqja totale e kultivuar me perime të fushës (pra në fushë të hapur) po ulet (me 20% ndërmjet 2008 dhe 2009), ndërsa sipërfaqet me të mbjella të mbrojtura po rriten dhe në përgjithësi rendimenti i perimeve dhe kulturave të tjera në fushë të hapur vjen duke u rritur. Por, ndërsa bujqësia shqiptare ka parë zhvillim të ngadaltë në disa drejtime, edhe fqinjët kanë ecur me hapa të fuqishëm, ndaj nëse vërehet vëllimi tregtar i vendeve të rajonit, historia nuk paraqitet aq optimiste. Në nivel krahasimor me vendet e rajonit, shtetet shqipfolëse paraqiten më dobët se çdo vend tjetër. Ky përfundim del sipas një hulumtimi të Open Data Albania (ODA) mbi nivelin e importit dhe eksportit të mallrave në vendet e Evropës Juglindore, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, dhe FMN për vitin 2010.

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me përqindjen më të ulët të eksporteve ndaj PBB krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Shqipëria dhe Kosova eksportojnë mallra me vlerë respektivisht 9.5% dhe 4.6% ndaj PBB-së, ndërkohë që Maqedonia eksporton 37.1%, Serbia 20.9% dhe Mali i Zi 17.3%. Për sa i përket importeve, vendi me nivelin më të lartë është Mali i Zi (67.6%), i ndjekur nga Maqedonia (59.7%), Kosova (47.6%), Serbia (40.2%) dhe Shqipëria (35.8%) e cila ka nivelin më të ulët të importeve në krahasim me PBB. Këto të dhëna flasin qartë për pozicionimin shumë të dobët të Shqipërisë dhe Kosovës në tregun rajonal, çka me heqjen e taksës doganore për produktet bujqësore, nuk dihet sa më të vështirë do ta bëjë situatën.

Subvencionet në udhëkryq

Deri më sot, në vend janë zbatuar disa skema subvencionesh, ku vlen të përmendet ajo e vitit 2004-2006, e cila llogaritet të ketë pasur rreth 192 mijë përfitues. Skema në fakt ishte e ajo e naftës pa akcizë, e cila rezultoi në dështim. Ndërsa skemat e zbatuara më vonë – që nga viti 2007 – kishin për synim parësor të rrisnin plantacionet e reja të drufrutorëve, ullishtave dhe vreshtave. Në vitin 2008, masat mbështetëse në këtë drejtim u zgjeruan dhe po ashtu edhe numri i përfituesve, duke korrur rritje të mëtejshme në vitin 2009. Mbështetja për plantacionet e reja në vitin 2009 u rrit me 15%, krahasuar me 2008-n.

Një instrument tjetër i rëndësishëm, i parë me lakmi nga institucionet shqiptare është skema e mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural, IPARD. Kjo e fundit përfaqëson shtyllën e pestë të IPA-s, instrumenti i asistencës së përdorur nga Bashkimi Europian për të mbështetur zhvillimin e sektorëve prioritarë të vendeve që ndodhen në fazën e paraanëtarësimit. Por, për të përfituar nga kjo skemë e cila bëhet aktive në vitin 2012, Shqipëria duhet më parë të ketë marrë statusin e vendit kandidat, çka në vitin 2010 u kurorëzua me një dështim. Kjo do të thotë se do të duhen vite të tëra, para se vendi të jetë në pozicion të përfituesit nga kjo skemë mbështetjeje.

Por, deri atëherë nuk dihet se si do të kenë shkuar punët me euron, ekonominë europiane dhe ndoshta… vetë Europën. Mund të jetë një tjetër tren i humbur për vendin, si ata që Shqipëria ka humbur me shumicë. I tillë është edhe rasti i bujqësisë, për të cilën opinioni publik kujtohet vetëm kur ka lajme të këqija. Këto të fundit po shtohen dita-ditës.