“Open Data”: Rreth 59% e programeve të studimit, të paakredituara, 6.4% të palicencuara
Akreditimi, procesi që certifikon cilësinë e universiteteve dhe programeve të tyre të studimit, është një prej temave që ka nxitur debate të ashpra mes publikut dhe privatit. Qëllimi i këtij procesi është t’u tregojë të rinjve se cilit institucion publik apo privat duhet t’i drejtohen duke iu referuar cilësisë që ofrojnë programet e tyre të studimit. Duke u bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Kombëtare të Akreditimit “Open Data” publikon të dhënat mbi akreditimin e universiteteve private në shqipëri. 
Sipas specialistëve të arsimit, ky proces përbën rëndësi sidomos për privatin. Kjo pasi këto institucione shpesh janë bërë vatër debati për shkak të licencimit të programeve nga ku lindin edhe dyshimet e para mbi cilësinë që ofrohet në to. Sipas të dhënave zyrtare të ‘Open Data’, raportohet se aktualisht në të gjithë vendin operojnë 39 universitete private, një më shumë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, numri i institucioneve që janë të akredituara vazhdon të jetë 14. Kjo do të thotë se 65% e universiteteve private janë ende të paakredituara. Ndërkohë që brenda këtij grupi përfshihen përgjithësisht universitetet që kanë filluar punë pas vitit 2009. Sipas të dhënave, mësohet se universitetet jopublike në vendin tonë operojnë me 229 programe studimi të ndryshme, si Bachelor, Master Shkencor, Master i Nivelit të Parë apo Master i Nivelit të Dytë, të cilat janë nivele të ndryshme diplomash. 
“Konkretisht, mësohet se në universitetet private, 33.1% e programeve të studimit janë të akredituara, 58.4% të paakredituara dhe 6.4% të palicencuara dhe të paakredituara. Një nga problemet më të mëdha janë programet e ‘palicencuara dhe të paakredituara’, pra programe që nuk kanë marrë as lejen fi llestare për fi llimin e aktivitetit. Minimalisht duhet të merren masa për mbylljen ose pezullimin e këtyre programeve, të paktën deri në licencimin e tyre”, – raporton ‘Open Data’. Në bazë të ligjit të arsimit të lartë, miratuar në vitin 2007, neni 62, pika 3: “Çdo institucion i arsimit të lartë apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat, përpara lëshimit të diplomave të para, i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë”. 
Sipas specialistëve të arsimit, akreditimi i parë i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në vendin tonë. Kjo do të thotë se programet e paakredituara, të cilat mund të kenë diplomuar brezin e parë të studentëve, kanë dhënë diploma të cilat nuk njihen dhe ajo që është e paqartë, është se si do të trajtohen këto diploma apo si do të procedohet me këta studentë. “Tek të dhënat e MASH-it ka programe të akredituara, në vijim, me kusht apo të paakredituara. Por nuk bëhet e qartë nëse ‘pa akreditimi’ nënkupton që procesi nuk është kryer akoma, apo vlerësimi i marrë ishte negativ. 
Open data del në përfundimin se: “Kjo të çon në përfundimin se akreditimi është kthyer në procesin rutinë të radhës, i cili njëherë që nis, maksimumi të vendos kushte, por nuk të ngel në klasë…” Kështu shpjegohet edhe panikut i studentëve që ndjekin programet e paakredituara dhe akoma më tej shqetësimin e tyre për papërgjegjshmërinë universiteteve që ofrojnë këto të programe të palicencuara. I njëjti fenomen ndodhi edhe me procesin e renditjes, të realizuar disa muaj më parë. Edhe pse rezultatet e tij u bënë publike, nuk u kuptua thelbi i këtij “seleksionimi”. Ndonëse, Ministria e Arsimit bëri publike tabelat me vlerësimet me një apo më shumë “yje”, nuk ekzistonte një tabelë e mirëfi lltë ku nëpërmjet “yjeve” të kuptohej se cili ishte më i miri, më pak i miri dhe më i dobëti. Kjo, duke iu referuar premtimit të MASH-it, që synonte t’u tregonte një herë e mirë studentëve shqiptarë se cilit universitet duhet t’i drejtoheshin.