Sipas saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është institucioni përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ai financohet nga Buxheti i Shtetit dhe është institucion i pavarur nga Qeveria Qendrore. KQZ e realizon aktivitetin e saj nëpërmjet dy programeve: Planifikim, Menaxhim, Administrim dhe Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Lokale. Referuar të dhënave të marra nga Ministria e Financave, shuma e parave të alokuara nga Buxheti i Shtetit për KQZ-në është në varësi të organizimit të zgjedhjeve në vend.
Programi “Planifikim, Menaxhim, Administrim”, duke qenë se lidhet drejtpërsëdrejti me shpenzimet e funksionimit të institucionit, ka një luhatje shumë të vogël, kryesisht rritëse. Programi i dytë, që zë dhe peshën kryesore, “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”, nga 23 milionë lekë që ka qenë në vitin 2005 (vit i zgjedhjeve të përgjithshme) ka vajtur në 500 milionë lekë në 2006-n (rreth 21 herë më i lartë) dhe 250 milionë në 2007-n (vit i zgjedhjeve lokale).