Më shumë se gjysma e universiteteve private, janë të paakredituar. Kjo do të thotë se diplomat që lëshojnë 65 % e këtyre institucioneve janë të pavlefshme, dhe se paratë e studentëve kanë shkuar dëm. Sipas të dhënave nga MASH, numri i IALV-e të akredituara është vetëm 14, nga 39 universitete që operojnë aktualisht, ose thënë ndryshe 65 % e universiteteve jopublike janë të paakredituar. Brenda grupit të universiteteve të paakredituara përfshihen përgjithësisht institucionet arsimore që kanë filluar punë pas vitit 2009.

Universitetet private


IJPAL-të operojnë në total me 229 programe studimi të ndryshme, si Bachelor, Master Shkencor, MNP, MND, etj, të cilat janë nivele të ndryshme diplomash. Në bazë të ligjit të Arsimit të Lartë, miratuar në vitin 2007, neni 62, pika 3 thuhet se:Çdo institucion i arsimit të lartë apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat, përpara lëshimit të diplomave të para, i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë. Akreditimi i parë i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në Republikën e Shqipërisë.


Diplomat


“Kjo do të thotë se programet e paakredituara, të cilat mund të kenë diplomuar brezin e parë të studentëve, kanë dhënë diploma, të cilat nuk njihen. Ajo që nuk është e qartë është se si do të trajtohen këto diploma, për shembull, në rast se studenti shkon të regjistrohet në një MND të akredituar ose në rast se programi e fiton akreditimin pas diplomimit të brezit të parë të studentëve. 

E paqartë është edhe diploma e studentëve, të cilët e kanë marrë atë pranë një programi me statusin “Akreditim me kusht”. Njihet diploma e këtyre studentëve apo jo, sepse kushti nënkupton edhe mundësinë që programi të mosakreditohet,” argumenton ODA në një studim të fundit mbi universitetet jopublike në vendin tonë.

Programet e palicensuara

Po sipas ODA-s (Open Data Albania) problem akoma më i madh janë programet e “Palicencuara dhe të paakredituara”, pra programe që nuk kanë marrë as lejen fillestare për fillimin e aktivitetit. Minimalisht duhet të merren masa për mbylljen ose pezullimin e këtyre programeve, të paktën deri në licencimin e tyre. 

“Tërësia e këtyre detajeve, vetvetiu bën që të ngrihet një pikëpyetje shumë e madhe mbi procesin e akreditimit dhe besimit që duhet të kemi ndaj tij. Kjo theksohet akoma më tej po të përmendim faktin se ende nuk kemi dëgjuar për një universitet privat që ka marrë vlerësim negativ nga procesi i akreditimit. Në të dhënat e MASH ka programe të akredituara, në vijim, me kusht apo të paakredituara. Por nuk bëhet e qartë nëse “paakreditimi” nënkupton që procesi nuk është kryer akoma apo vlerësimi i marrë ishte negativ. 

Kjo shpie në dy përfundime: ose akreditimi është kthyer në procesin rutinë të radhës, i cili një herë që nis, maksimumi të vendos kushte, por nuk të ngel në klasë. Kjo do të shpjegonte mungesën e panikut të studentëve që ndjekin programet e paakredituara dhe akoma më tej papërgjegjshmërinë e veprimit të programeve të palicencuara. Ose, MASH nuk është transparent në dhënien e gjithë informacionit mbi vlerësimet negative publikut,” analizon më tej ODA.

Akreditimi

Akreditimi është procesi i cili certifikon cilësinë e një Institucioni të Arsimit të Lartë (IAL) si dhe të programeve të tij të studimit. Në vendin tonë ai realizohet nga Agjencia e Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe është nën mbikëqyrjen direkte të Ministrit të Arsimit. Ka shumë teori nëse shteti duhet të marrë pjesë nëpërmjet mekanizmave të tij në rregullimin e sistemit arsimor apo duhet të jetë vetë kërkesa dhe oferta për arsim që të vendosi ligjet e funksionimit. 

Por megjithatë, në një treg të ri, ku informacioni lidhur me IAL-të është i cunguar, ku njerëzit bombardohen me reklama universitetesh në çdo kanal televiziv, billboard apo fletushka të shpërndara nëpër rrugë, ku vit pas viti hapen universitete të reja dhe mungon një traditë e konsoliduar e shumicës së këtyre institucioneve, roli i shtetit në sigurimin e cilësisë kthehet në faktor kyç. 

Në këto kushte, akreditimi, duhet parë si një proces serioz, i cili duhet realizuar me përgjegjshmëri  të lartë, pasi është praktikisht “arma” e vetme që i siguron studentët se po bëjnë një shkollë që vlen dhe nga ana tjetër, është momenti në të cilin shteti siguron qytetarët se një IAL dhe programet e tij i plotësojnë standardet.