Sipas projektit ‘Open Data’, rritjet më të larta të shpenzimeve buxhetore për qëllime ushtarake të Shqipërisë kanë qenë në vitet 2006 e 2007, kur buxheti i dikasterit përkatës u rrit mesatarisht 22% më shumë se vitet paraardhës. Edhe viti 2009 (viti i anëtarësimit në NATO) shënoi një rritje të lartë, 17.4%, krahasuar me vitin 2008. Rritja e buxhetit, në fakt ishte një domosdoshmëri për përmbushjen e reformave dhe sfidave që Shqipëria kishte marrë përsipër për anëtarësimin në NATO, duke filluar nga caktimi i fondeve për Mbrojtjen çdo vit sa 2% e PBB-së.

Viti 2010 është i vetmi që ka shënuar një rënie të theksuar të buxhetit për ministrinë. Në buxhetin fillestar, ai ishte parashikuar 25 miliardë lekë, por pas buxhetit të rishikuar, në korrik të vitit 2010, fondet për Ministrinë e Mbrojtjes u shkurtuan me 5.2 miliardë lekë. Kjo solli një rënie me 7% të shpenzimeve për mbrojtjen që në vitin e parë pas anëtarësimit në NATO.

Në vitin 2011, është parashikuar një buxhet prej 21.6 miliardë lekësh, 9% më i lartë se 2010-a dhe 2.3 herë më i lartë se në 2003-shin.

Sipas përcaktimit të dhënë nga NATO, shpenzimet për ushtrinë janë të gjitha shpenzimet kapitale dhe korrente të kryera për forcat e armatosura, duke përfshirë edhe forcat paqeruajtëse, ministrinë e Mbrojtjes dhe agjenci të tjera shtetërore të angazhuara në projekte për mbrojtjen, forcat paraushtarake (nëse ato trajnohen dhe pajisen me mjete për operacione ushtarake), si dhe aktivitetet ajrore ushtarake.

Disa zëra të këtyre shpenzimeve mund të jenë: pagat për personelin ushtarak dhe civil, pensionet për ushtarakët dhe shërbimet sociale për personelin civil, mirëmbajtja, kërkimet ushtarake dhe zhvillimi si dhe ndihma ushtarake. Nga kjo kategori përjashtohen mbrojtja civile dhe shpenzimet korrente nga aktivitetet e mëparshme ushtarake (si përfitimet për veteranët p.sh.), si dhe shkatërrimi i armëve. Që prej vitit 1999, kur Shqipëria mori MPA-në (Membership Action Plan – Plani Operacional për Anëtarësim) për NATO, buxheti i alokuar për mbrojtjen ka ardhur përgjithësisht në rritje.