Open Data Albania”: 40% e pedagogëve, me nivel të ulët kualifikimi
Renditja e universiteteve publike dhe private, rezultatet e të cilit u pritën me padurim, u shoqëruan me debate të panumërta.
Kjo, për shkak të përgjigjeve të “vakëta” të publikuara në tabelat zyrtare të Ministrisë së Arsimit, ndryshe nga ajo që u premtua gjatë realizimit të këtij procesi. Ndonëse të gjithë ishin në pritje të vlerësimeve negative apo pozitive që do t’i bëheshin universiteteve, bazuar në kategoritë që shërbyen si kampion studimi, me qëllim orientimin e studentëve drejt më të mirëve, në të vërtetë, të paktën zyrtarisht ky fakt nuk u mësua asnjëherë.
Por, po në këtë kuadër janë bërë edhe analiza specifike që synojnë të paraqesin me fakte konkrete, bazuar tek të dhënat e MASH-it, situatën që paraqitet sot në universitetet e vendit.
Fenomeni bëhet edhe më shqetësues, kur një prej kategorive të analizuara në procesin e rankimit, që është kualifikimi i stafit pedagogjik, sidomos në universitetet publike në rrethe, është në nivel të ulët. Ky është konstatimi i një analize të realizuar nga ‘Open Data Albania’. “Nëse merret në shqyrtim treguesi i stafit pedagogjik, i cilësuar si një ndër më të rëndësishmit, do të vihet re se në tri degët e vlerësuara si ekonomi, drejtësi dhe infermieri, 40% e rasteve rezultojnë me staf pedagogjik të nivelit të ulët, 26.7% me nivel të lartë dhe 33.3% mesatar.
Pra, IAL-të pjesëmarrëse në renditje, në më të shumtën e rasteve nuk plotësojnë kriteret për staf pedagogjik të përgatitur ose të paktën në standard të pranueshëm”, – raporton ODA. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të ‘Open Data Albania’, referuar rezultateve të publikuara nga MASH në muajin korrik, për rezultatet e arritura në procesin e rankimit rezulton se, universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës apo “Aleksandër Moisiu” në Elbasan, në të gjitha degët ku ato kanë marrë pjesë në vlerësim, janë renditur në grupin e fundit. Nga ana tjetër, sqarohet se më mirë janë klasifikuar universitetet “Luigj Gurakuqi”, Shkodër dhe “Eqrem Çabej”, Gjirokastër.
Punësueshmëria
“Treguesi i dytë që ka shumë rëndësi në përzgjedhjen midis IAL-ve është treguesi i punësueshmërisë, pasi punësimi është edhe një ndër arsyet kryesore të ndjekjes së arsimit të lartë. Ky tregues ndërthur së pari perceptimin e të diplomuarit, se sa kurset dhe programet e zhvilluara do të ndikojnë në punësimin e tij dhe së dyti, perceptimin e punëdhënësit, pra se sa i përgatitur është një i diplomuar pranë një institucioni të lartë të caktuar, duke përfshirë këtu edhe aftësitë individuale të tij”, – thuhet në analizën e ODA-së. 
Sipas saj, në asnjë rast nuk janë pyetur studentët e diplomuar më parë mbi perceptimin që kishte tregu për ta, koha brenda të cilës ata u punësuan dhe akoma më tej, perceptimi i punëdhënësit është lënë tërësisht jashtë shqyrtimit, duke vënë në pikëpyetje rëndësinë e këtij indikatori. 
’Open Data Albania’ del në përfundimin se, kjo shpjegon pse në pjesën më të madhe treguesi i punësueshmërisë i përket grupit të mesëm, ndonëse qëllimi i çdo studenti është të diplomohet me perspektivën për të pasur mundësi për punësim.
“Në degën e ekonomikut, vetëm 3 universitete publike janë pozicionuar në grupin e poshtëm, 2 prej të cilëve janë universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë dhe “Fan.S.Noli”, Korçë. Drejtësia dhe infermieria kanë vetëm nga një IAL në grupin e poshtëm, dhe universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë shfaqet edhe në këtë rast në degën e drejtësisë”, – raporton ODA.
Sipas kësaj shoqate, ajo që mund të thuhet në fund të procesit të renditjes, është që pavarësisht kritikave për metodologjinë e përdorur lidhur me mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin e tyre, IAL-të të cilat ishin pjesëmarrëse në proces duhet ta shfrytëzojnë këtë rast për të vendosur objektiva të qarta për përmirësimin e treguesve të tyre.