Tashmë prej kohësh sektori i ujësjellës-kanalizimeve karakterizohet nga një menaxhim jo i mirë dhe decentralizimi i tij nuk ka dhënë përmirësimet e pritura. Të ardhurat nga viti në vit kanë qenë në rritje, por gjithsesi subvencionimi vazhdon të jetë i domosdoshëm për të mbajtur në këmbë funksionimin e tij, në një kohë kur fare mirë ky sektor mund të ishte fitimprurës.


Burimi i të dhënave: ERRU
Përpunimi dhe komentet: ODA

Sic mund të shikohet edhe nga grafiku, të ardhurat e sektorit të Ujësjellës-Kanalizimeve (UK) në vitin 2010 kanë përjetuar një rritje të lartë, rreth 50% me shumë se sa në vitin 2009. Por edhe shuma e subvencionuar në vitin 2010 ka qenë më e lartë, plot 1,8 herë më e lartë se sa një vit më parë. Nëse do të shqyrtohej raporti  subvencion/të ardhura do të vihej re një ulje e tij nga 40% në vitin 2008 në 22% në vitin 2009, por sërisht 2010-a është shoqëruar më një rritje të mëtejshme, duke e cuar këtë raport në 42%.

Analiza e strukturës së financimit të kostos totale nga të ardhurat dhe subvencioni krijon një pamje më të qartë mbi ecurinë e këtij sektori.


Burimi i të dhënave: DPUK
Përpunimi dhe komentet: ODA

Llogaritja e të ardhurave përfshin brenda vetes si faturat e arkëtuara për një periudhë të caktuar ashtu edhe faturat e lëshuara, por ende të paarkëtuara. Përmirësimi i situatës së arkëtimeve ka bërë që të rritet përqindja e mbulimit të kostos totale nga arkëtimet ndër vite.

Grafikisht, struktura e financimit të kostos totale në përqindje për vitin 2010 paraqitet:


Burimi i të dhënave: DPUK
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në vlerë absolute, në 2010-n ky zë është 10% më i lartë së në vitin 2006. Financimi i KT me subvencion nga 38.3% që ka qenë në vitin 2006 është reduktuar në 18.1% në vitin 2010, duke u ulur gati 50% në 5 vjet, por në të njëjtën kohë vihet re se është rritur edhe përqindja e kostos së pambuluar. Kjo i referohet humbjes që grumbullojnë shoqëritë në Pasqyrën e Të Ardhurave dhe Shpenzimeve. Pra, ulja e subvencionit nuk ka ardhur si pasojë e përmirësimit të gjendjes financiare të sektorit apo të performancës së tyre, por thjesht sepse është marrë vendim që të subvencionohet në nivelin minimal të mundshëm që mundëson funksionimin e sektorit. Nëse për vitet në vazhdim do të ulet më tej përqindja e subvencionuar dhe nëse firmat menaxhuese nuk reagojnë dhe marrin masat e duhura, kjo do të shoqërohet me një rritje të mëtejshme të humbjes së grumbulluar ndër vite.

Por subvencionimet për veprimet operative nuk janë mbështetja e vetme që jep Buxheti i Shteti për këtë sektor. Investimet janë zëri tjetër që zënë një peshë jo të vogël në fondet e alokuara për UK.

Duke qenë se amortizimi i rrjetit është një nder faktorët që shkakton humbje të larta, investime të shumta janë ndërmarrë si nga fondet e brendshme ashtu dhe nga ato të huaja.


 
Burimi i të dhënave: DPUK
Përpunimi dhe komentet: ODA

Edhe nga grafiku vihet re një tendencë në rritje nga viti në vit i fondeve totale. Rritja më e madhe ka qenë në vitin 2008, kur investimet ishin rreth 48% më të larta se sa një vit më parë, ndërsa në vitet 2009 dhe 2010 luhatjet kanë qenë shumë të vogla. Në këto dy vite vihet re thjesht një ndryshim ndërmejt tyre i peshës që ka zënë financimi i huaj dhe ai i brendshëm.
Fokusi kryesor i investimeve ka qënë rehabilitimi i sistemit të UK si dhe ndërtimi i impianteve për ujërat e ndotur, por një vend relativisht të rëndësishëm ka filluar të ketë edhe instalimi i matësave. Investimet e kryera sigurisht që lehtësojnë kushtet për ofrimin e një shërbimi në një shkallë sa më të gjerë të popullsisë dhe sa më cilësor, por komuniteti gjithashtu duhet të ndërgjegjësohet për mirëmbajtjen e tij dhe mbi domosdoshmërin e mos ndërhyrjes në rrjet.