Skema e sigurimeve shoqërore siguron shumë pak të ardhura nga mbledhja e kontributeve, çka krijon varësi të saj nga buxheti i shtetit. Shpenzimet janë shumë më të larta se të ardhurat, dhe madje rritja e pensioneve është përballuar deri më tani nga buxheti i shtetit, dhe jo nga kontributet e derdhura në skemë. Ky është rezultati i nxjerrë nga një studim i ODA-s mbi ecurinë e skemës së sigurimeve shoqërore ndër vite. ODA apelon se nëse nuk merren masa urgjente për rritjen e numrit të kontribuesve skema është në rrezik. Në këto kushte shtetit tonë do ti duhen shuma marramendëse, për të mbajtur në këmbë skemën e pensioneve.
Studimi i ODA-s
Sipas hulumtimit të ODA-s, shpesh skema e sigurimeve ka qenë subjekt i debateve të forta pasi ajo thith një pjesë jo të vogël të fondeve buxhetore. Në vizualizimin grafik te realizuar nga Open Data Albania, jepen të ardhurat nga kontributet dhe shpenzimet për sigurime shoqërore për periudhën 1993-2012. Vihet re nga grafiku i ODA-s një rritje e vazhdueshme e të ardhurave nga kontributet, sidomos në vitet 1993-1996, mesatarisht me 45% në vit. Kjo erdhi si reflektim i një lloj stabiliteti të ekonomisë pas zhvillimeve të periudhës 1990-1993, gjatë së cilës një pjesë shumë e madhe e fabrikave u mbyllën, papunësia u rrit me shifra alarmante dhe PBB-ja ra në mënyrë drastike. Megjithatë, shifrat e kontributeve në vetvete ishin të ulëta dhe shkalla e lartë e informalitetit për vitet që pasuan nuk lejuan që të ardhurat e skemës të ruanin ritme të larta rritjeje.
Kriza e kontributeve
Goditjen më të madhe, të ardhurat e pësuan në 1997-n, viti i vetëm që shënoi rënie në kontributet e mbledhura. Ecuria jo e kënaqshme në fillimin e viteve 2000 bëri që të rishikohej norma e kontributeve, e cila që prej vitit 1993 ishte në nivelin 42.5%. E cilësuar si shumë e lartë, ajo solli një deformim të tregut, evazion përherë e më të lartë dhe fshehje të pagës reale. Në vitin 2002, norma u ul në 38.5%. Efekti negativ i rënies së përqindjes u neutralizua nga rritja e numrit të personave që u përfshinë në skemë. Kështu në vitin 2003, të ardhurat u rritën me 11% krahasuar me vitin 2002, ndërsa në vitin 2004, efektet negative u fashitën totalisht, pasi të ardhurat u rritën me 16%. Megjithatë, ende norma e kontributeve vazhdoi të konsiderohej si shumë e lartë krahasuar me vendet e tjera të Europës.
Ulja e normës
Për këtë arsye, në vitin 2006 ajo u ul në 29.5%. Ulja e normës u shoqërua me një rritje akoma më të madhe të personave të përfshirë në skemë. Gjithsesi, pavarësisht masave të marra, të ardhurat nga kontributet vazhdojnë të jenë të ulëta krahasuar me shpenzimet për sigurime shoqërore, gjë që sjell varësi shumë të lartë të skemës nga Buxheti. Ndër vite bie në sy që ritmet e rritjes së shpenzimeve kanë qenë ndjeshmërisht më të larta se sa ritmi i rritjes së të ardhurave. Për më shumë, politika e rritjes së pensioneve ka qenë një faturë e përballuar totalisht nga Buxheti pasi të ardhurat e siguruara nga kontributet nuk kanë mundur të sigurojnë një financim të saj.
Hendeku i shpenzimeve
Me kalimin e viteve, hendeku midis shpenzimeve dhe të ardhurave ka ardhur duke u thelluar dhe varësia nga Buxheti i Shtetit është kthyer në domosdoshmëri. Situata bëhet edhe më kritike nëse për vitet në vijim të ardhurat do të vazhdojnë të rriten në nivelin 3-4%, ndërkohë që shpenzimet për sigurime në PBA 2012-2014 parashikohet të arrijnë në 102 miliardë lekë. Me këtë ecuri, nëse nuk merren masa urgjente për rritjen e numrit të kontribuesve dhe uljen e evazionit, Shqipëria në të ardhmen do të harxhojë për sigurime shoqërore pothuajse sa shpenzon për investime në rrugë, shkolla e spitale të marra së bashku.
Objektivi i skemës
Sigurimi shoqëror është një skemë e ngritur për t’u mbrojtur ndaj kushteve të caktuara sociale, si: pleqëria, invaliditeti, aksidentet në punë, humbja e kryefamiljarit, etj. Në vendin tonë, ky program administrohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili ka pesë degë sigurimi: të barrëlindjes, të sëmundjes, të pensioneve, të aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale si dhe të papunësisë. Ai është i detyruar për të gjithë të punësuarit, por pjesë e tij mund të bëhen edhe persona të tjerë nëpërmjet skemës së sigurimit vullnetar. Parimi bazë mbi të cilin funksionon skema është ai i solidaritetit të brezave, sipas të cilit, brezi aktiv kontribuon për brezin pasiv. Kontributet sociale totale vijnë nga pagesat që bëjnë për skemën punëmarrësi, punëdhënësi, të vetpunësuarit, por edhe personat e papunësuar.