Shitjet më të mëdha të pronave publike ndodhën në prag të zgjedhjeve, raporton ODA

Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit të shtetit nga privatizimi i ekonomisë kombëtare mes viteve 1993 dhe 2010 ka qenë gjithsej 900 milionë dollarë, bëhet e ditur nga të dhënat analitike të publikuara nga Open Data Albania. Këto para janë përfituar nga shitja e të gjitha ndërmarrjeve ekonomike të vlefshme të vendit në banka, telekomunikacion, industri etj, biznese që aktualisht vlerësohet se realizojnë fitime vjetore po aq të mëdha sa kanë paguar për të blerë ndërmarrjen shtetërore. Por ajo që bie më shumë në sy nga këto të dhëna, është fakti që privatizimet ngrenë krye në vitet zgjedhore, shërbejnë për të mbushur buxhetin me para që përdoren për të blerë vota në zgjedhjet e pritshme.

“Viti 2000 ishte i pari që shënoi të ardhura të larta nga privatizimet, me 8.9 miliardë lekë, duke financuar 22% të Deficitit. Duhet theksuar se viti 2000 ishte një vit i vështirë për Buxhetin, pasi të Ardhurat Totale të tij ishin më të ulta edhe sesa Shpenzimet Korrente. Kjo do të thotë se jo vetëm investimet janë financuar nga borxhi dhe privatizimet, por edhe një pjesë e shpenzime korrente. Gjithsesi, ky vit shënon gjithashtu edhe privatizimin e parë të rëndësishëm në vend, atë të Bankës Kombëtare Tregtare,” komentojnë Blerta Zilja dhe Aranita Brahaj nga projekti Open Data. BKT u shit përkundrejt vlerës simbolike prej 1 dollari amerikan.

“Në vitin 2001, privatizimet u rritën me 43% dhe financuan 30% të Deficitit të atij viti, ndërkohë që dy vitet pasues patën një mesatare shumë të ulët. Viti 2004 shfaqi sërisht të ardhura të larta nga privatizimet. Përvec të tjerave, 2004-a lidhet edhe me privatizimi i ish-Bankës së Kursimeve, e cila mundësoi përballimin e një pjese të deficitit si dhe reduktimin e  borxhit publik. Në vitet 2005 dhe 2006 u rikthye pushimi i procesit, ndërkohë që vetëm në vitin 2007 u realizua privatizimi i shoqërisë Albtelekom. Viti 2008 u pasua me një rënie 58% të të ardhurave të privatizimit.

Gjithsesi, ato ishin në një masë të kënaqshme. Ishte tashmë radha e kompanisë ARMO për t’u tranferuar drejt sektorit privat,” thotë më tej Open Data. Të ardhurat nga shitja e Albtelecom mbërritën me katër vite vonesë për shkak të disa pengesave sepse në fakt, privatizimi i kësaj kompanie qe nisur në vitin 2004 dhe synonte krijimin e të ardhurave të vlefshme për zgjedhjet e vitit 2005.

Bumi i viteve zgjedhore u përsërit më 2009.

“Viti 2009 shënon pikën më të lartë të të ardhurave nga privatizimet. Rreth 25 miliardë lekë shërbyen për financimin e deficitit dhe padyshim që shitja e 76% e aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpëndarjes sh.a. ishte ngjarja kryesore e vitit,” thotë Open Data. Privatizime të tjera të këtij viti ishin shitja e paketës së aksioneve minoritare te AMC etj.

Në vitin 2010, nuk qe e mundur të shitej asgjë dhe kjo natyrisht për shkak se ky nuk qe vit zgjedhor.

“Interesant është viti 2010, në të cilin u fol gjatë për privatizimin e godinës së ish-Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë për shumën 30 milionë euro. Megjithatë, në tabelë fiskale faktike për 2010-n, zëri “Të ardhura nga privatizimet” shfaqet me shumën 411 milionë lekë, apo gati 1/10 e vlerës së këtij privatizimi,” – thotë Open Data.

Ndërkohë, qeveria ka njoftuar se po punon për dy privatizime të tjera të rëndësishme: shitjen e kompanisë së naftës Albpetrol dhe shitjen e katër hidrocentraleve të mesme. Në rast se dalin me sukses, këto privatizime do të krijojnë të ardhura që qeveria mund t’i përdorë për zgjedhjet e vitit 2013.

Të ardhurat nga privatizimi janë një formë huamarrjeje për ekonominë kombëtare pasi privatizuesit do ta rikuperojnë investimin përmes transferimit të fitimeve jashtë vendit. Dhe në rastin e Shqipërisë, fitimet e transferuara jashtë vendit kapërcejnë shumëfish paratë e shpenzuara për blerjen e pronave publike.