Shqipëria shënon një progres shumë të madh në rregjistrimin e kontratave për internetin fiks. Të dhënat e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimit të përpunuara nga Open Data Albania për periudhën 2001-2010, tregojnë se numri i abonentëve të regjistruar për të përfituar internet ka shkuar në rritje mbi nivelin 100%.

Kështu sic mund të shihet edhe nga grafiku i ODA, vihet re se ritmi i rritjes së numrit të klientëve me kontratë nga viti në vit ka qenë shumë i lartë. Për pjesën e parë të periudhës, vitet 2001-2003 rritja ka qenë 100% çdo vit, ndërkohë që në 2007-n u shënuan 40.000 kontrata, apo 8 herë më shumë se sa në 2001-shin.

Në 2008-n rritja ishte 110% krahasuar me 2007-n, duke qenë edhe viti me  ecurinë  kaq të madhe të Kontratave të Internetit Fiks (KIF). Sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimit,  në vitin 2010 janë rregjistruar 111.717 kontrata interneti.

Nëse do të krahasonim Kontratat e Internetit Fiks me popullsinë, do të përfitojmë një informacion shumë interesant. Kështu në vitin 2001 numri i kontratave të internetit fiks për 100 banorë ka qenë 0,16. Në 2003-shin ky indikator shkoi në 0.64, apo 4 herë më i lartë se në 2001-shin. Pas vitit 2009, ky indikator tregoi se   rreth 3 në 100 banorë kanë një kontratë për shërbimin e internetit.

Duhet theksuar se numri i kontratave të nënshkruara të internetit fiks nuk është i njëjtë me numrin e përdoruesve të internetit. Një firmë, institucion apo familje mund të nënshkruaj një kontratë për sigurimin e internetit, duke u regjistruar si 1 KIF, por ndërkohë, përdorues i internetit nga nënshkrimi i kësaj kontrate mund të jetë më shumë se një person.