Borxhi për frymë është një indikator që llogaritet si raport i borxhit total publik të emëtuar brenda dhe jashtë vendit (i cili ende nuk është shlyer) me popullsisë e atij vendi. Ai shërben për të identifikuar shumën e borxhit publik që i takon cdo qytetari dhe cilësohet si një ndër treguesit kryesor që shprehin aftësinë e një shteti për të vazhduar të shlyej borxhin me anë të të ardhurave të gjeneruara nga taksat. Ai shërben për të përcaktuar riskun dhe akoma më tej, normën e interesit të letrave me vlerë.

Grafiku në vijim jep një pamje të borxhit për frymë që i takon cdo qytetari shqiptar, pavarësisht moshës dhe të ardhurave të tij, për vitet 2000-2012.


Burimi: Ministria e Financave , INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Sic mund të vihet re, shuma e borxhit për frymë ka ardhur në rritje të vazhdueshme, nga viti në vit. Në një kohë kur ritmet e rritjes së popullsisë në vitet 2000-2010 kanë qenë relativisht të ulta, faktori kryesor që ka shkaktuar rritjen e borxhit për frymë, ka qenë rritja e stokut të borxhit. Vitet 2002, 2008 dhe 2009 shënojnë tre nga vitet me rritjen më të lartë të borxhit për frymë, përkatësisht 14.44%, 14.63% dhe 13.71%.

Kështu, ndërsa në vitin 2000 shuma e borxhit për frymë ishte 104.498 lekë, në vitin 2005 ajo ishte rreth 43% më e lartë dhe në vitin 2010 arriti nivelin 223.939 lekë apo 114% më shumë se sa në vitin 2000. Nëse do të supozohej një familje mesatare prej 4 personash, në vitin 2010 borxhi publik që do i takonte kësaj familje do të ishte 895.755 lekë. Ndërkohë, duhet theksuar se jo e gjithë popullsia është taksapaguese (përshembull: popullsia 0-14 vjec, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët, etj) dhe kontribuese e drejtpërdrejtë në shlyerjen e borxhit, që do të thotë se shuma e borxhit për taksapagues është akoma më e lartë.

Viti 2011 shënon një kthesë të rëndësishme në shumën e borxhit për frymë, pasi rezultatet paraprake të Censusit japin një popullsi prej 2.831.741 personash apo rreth 11% më pak referuar shifrave të INSTAT për popullsinë e vitit 2010. Kjo ka shkaktuar një rritje të lartë të borxhit për frymë, pasi tashmë, në shlyerjen e stokut të borxhit, janë duke kontribuar më pak shqiptarë. Në vitin 2011 stoku i borxhit sipas Buletinit të Treguesve të Borxhit të Ministrisë së Financave arriti nivelin 772.548.000.000 lekë apo 272.817 lekë për frymë. Për vitin 2012, duke supozuar të njëjtin nivel popullsie si në vitin 2011, borxhi për frymë pritet të arrijë 291.588 lekë apo 1.166.352 lekë për një familje mesatare prej 4 personash.

Grafiku në vijim jep një pamje të përqindjes së rritjes së dy faktorëve që përcaktojnë shumën e borxhit për frymë: stoku i borxhit dhe popullsia.


Burimi: Ministria e Financave, INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Sic mund të shikohet edhe nga grafiku, deri në vitin 2010, ecuria e borxhit për frymë shpjegohet kryesisht nga rritja apo ulja e stokut të borxhit, ndërkohë që popullsia shndërrohet në faktor përcaktues për shumën e borxhit për frymë vetëm në vitin 2011. 

Te dhenat paraqiten te permbledhura ne tabelen dinamike me poshte:


Burimi: Ministria e Financave, INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Shenime:
1. Të dhënat e borxhit për vitet 2000-2008 janë marrë nga “Buletini i treguesve të borxhit për vitin 2008”:
http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/treguesit_e_borxhit_2008_790_1.pdf

Të dhënat e borxhit për vitet 2009 – 2011 janë marrë nga “Buletini i treguesve të borxhit për vitin 2011”:
http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/buletini_12m_viti_2011_3232_1.pdf

Të dhënat e borxhit për vitin 2012 janë marrë nga “Kuadri ekonomik dhe fiskal për vitet 2012-2014”, VKM nr. 748, datë 2.11.2011:
http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/kuadri_makroekonomik_e_fiskal_per_periudhen_2012_2014_vkm_nr_748_date_2_11_2011_2761_1.pdf

2. Të dhënat për popullsinë për vitin 2011 i përkasin rezultateve paraprake, të nxjerra në 1 Tetor, 2011. Për llogaritjet e vitit 2012 është përdorur i njëjti nivel popullsie si në vitin 2011.