Kosto e borxhit është një ndër funksionet më të financuara nga Buxheti, ndaj edhe vëmendja ndaj tij ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Një indikator shumë i rëndësishëm për të gjykuar mbi borxhin dhe aftësinë e shlyerjes së kostos së tij nga ana e shtetit huamarrës është edhe kostoja e borxhit për frymë. Ai llogaritet si raport i shumës së interesave që duhen shlyer në një vit të caktuar me popullsinë e po atij viti. Grafiku në vijim jep një pamje të kostos së borxhit për frymë, në vitet 1998-2012.
Burimi: Ministria e Financave , INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA
Meqënëse në vitet 1998-2010 ritmet e ndryshimit të popullsisë ishin relativisht të ulta, shkaktari kryesor i luhatjes së kostos së borxhit për frymë kanë qenë shpenzimet e interesave. Në pjesën e parë të grafikut, vitet 1998-2001, ka një rënie të vazhdueshme të kostos së borxhit për frymë, nga 11.724 lekë në 1998-n, në 7.710 lekë në 2001-shin apo 34% më pak. Pjesa e dytë, vitet 2002-2007, karakterizohet nga një kosto borxhi për frymë që luhatet pak a shumë në të njëjtat vlera, duke përjashtuar vitin 2003, në të cilin kostoja e borxhit për frymë u rrit rreth 20% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, në pjesën e tretë të grafikut, vitet 2008-2012, vihet re një rritje e vazhdueshme e kostos së borxhit për frymë, shkaktuar kjo nga rritja e stokut të borxhit, sidomos në vitet 2008 dhe 2009. Kështu, në vitin 2008, një familjeje mesatare prej 4 personash i takonte një kosto borxhi prej 39.504 lekësh në vit, në vitin 2010 kjo shifër shkon në 52.088 lekë, ndërsa në 2012-n ajo arrin në nivelin 70.064 lekë. Nëse do të mbahet parasysh se jo të gjithë pjestarët e familjes janë drejtpërsëdrejti taksapagues dhe kontribues në të ardhurat e buxhetit, shuma mesatare që paguan në vitin 2012 cdo taksapagues për përballimin e kostos së borxhit është më e lartë se sa 17.516 lekë. Ndërkohë, duhet përmendur se në shifrën e lartë të kostos së borxhit për frymë në vitin 2011 ka ndikuar numri më i vogël i popullsisë së përdorur për llogaritje, bazuar ky në rezultatet paraprake të Censusit 2011.
Grafiku në vijim jep një pamje të përqindjes së rritjes së dy faktorëve që përcaktojnë shumën e kostoss së borxhit për frymë: kostoja e borxhit dhe popullsia.
Burimi: Ministria e Financave, INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA
Sic mund të shikohet edhe nga grafiku, deri në vitin 2010, ecuria e kostos së borxhit për frymë shpjegohet kryesisht nga rritja apo ulja e kostos së borxhit, ndërkohë që popullsia shndërrohet në faktor përcaktues për këtë indikator vetëm në vitin 2011.
Te dhenat paraqiten te permbledhura ne tabelen dinamike me poshte:
Burimi: Ministria e Financave, INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA
Shenime:
*Të dhënat për interesat për vitet 1998-2010 i përkasin Buxhetit Faktik
*Të dhënat për interesat për vitin 2011 i përkasin Buxhetit të Rishikuar
*Të dhënat për interesat për vitin 2012 i përkasin Buxhetit Fillestar
*Të dhënat për popullsinë për vitin 2011 i përkasin rezultateve paraprake, të nxjerra në 1 Tetor, 2011. *Për llogaritjet e vitit 2012 është përdorur i njëjti nivel popullsie si në vitin 2011