Vizioni i programit socialist

Po e them që në fillim: Vizioni i programit socialist për politikat e pensioneve mban parasysh gjendjen e rëndë të skemës së pensioneve, e cila po shkon drejt falimentimit. Për këtë arsye, reforma e socialistëve në fushën e pensioneve do të përqendrohet në tri fusha kryesore: Së pari, konsolidimi i sistemit aktual të sigurimeve shoqërore nëpërmjet kryerjes së reformave parametrike. Këto reforma do të nxjerrin skemën nga situata kritike e raportit midis kontribuuesve dhe përfituesve të skemës së pensioneve, e krijuar prej qeverisjeve jovizionare dhe të papërgjegjshme, duke e mbajtur këtë raport në nivele optimale, jo më pak se 2,5-3:1. Kjo do të arrihet nëpërmjet motivimit të brezit të ri për të marrë pjesë në skemat e sigurimeve shoqërore me bazë të gjerë, sidomos mbi parimin e solidaritetit. Së dyti, zgjidhja e problemeve të papunësisë, informalitetit dhe sigurimit të emigrantëve, nëpërmjet programeve për hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos në sektorët që gjenerojnë më shumë dhe më shpejt vende të reja pune; politikave për lidhjen më të mirë të pagesave me përfitimet në skemën e pensioneve. Së treti, mbështetjes së sistemit shumëkolonësh të pensioneve, duke nxitur, sidomos për brezin e ri, pjesëmarrjen edhe në skemat private, suplementare e vullnetare të pensioneve.

Pensionistët: përfitimi është i ulët

Sistemi i pensioneve në Shqipëri nuk po përmbush misionin e tij. Aktualisht skema ka mbi 570 mijë pensionistë, të cilët përfaqësojnë rreth 21% të popullsisë së vendit. Aktualisht pensioni minimal është 13 267 lekë, mesatari rreth 15 000 lekë dhe maksimali 22 734 lekë. Me këto përfitime pensionistët nuk mund të përballojnë jetesën. Edhe pse qeveria as e ka llogaritur, as e ka shpallur minimumin jetik, duke shkelur një detyrim ligjor të saj, masa e pensionit minimal dhe mesatar janë larg minimumit. Mbi 70% e pensionistëve përfitojnë pension minimal, me të cilin plotësojnë nevojat e domosdoshme vetëm për gjysmën e muajit. Pra, gjykimi mbi përfitimet e pensioneve mund të ndërtohet mbi aftësinë e pensionit minimal për të përballuar jetesën. Rritja e pensioneve, me të cilën mburret qeveria, është e pamundur të përballojë rritjen e çmimeve. Gjatë tre viteve të fundit pensionet janë rritur rreth 18%, ndërsa çmimet e mallrave të shportës janë rritur mesatarisht rreth tri herë më shumë, rreth 50%. Në krahasim me vitin 2008, rritjet e pensioneve në tre vitet e fundit për pensionet e qytetit nuk arrijnë më shumë se 18%. Nëse i hedhim një sy tabelës së mëposhtme, bëhet më e qartë dinamika e rritjes së çmimeve kundrejt rritjes së pensioneve për periudhën 2008-2012.

Pra, nëse faktorët e tjerë që ndikojnë në jetesën e pensionistëve i konsiderojmë konstantë, në fakt edhe ata janë përkeqësuar, pensionistët në vitin 2012 jetojnë tri herë më keq se në vitin 2008. Tjetër punë se qeveria e lexon këtë fakt kokëposhtë.

Kontribuuesit: kontributet janë të larta

Pagesa e kontributeve është ndër pikat më të dobëta të sistemit. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, të cilët ishin në Tiranë në janar të vitit 2012, skema e pensioneve nuk vetëfinancohet. Por mungesa e vetëfinancimit shpie natyrshëm në tronditjen, më pas edhe në falimentimin e skemës. Kultura e ulët e kontribuimit në skemën e pensioneve, sidomos e grupmoshave të reja, është problemi i parë i dobësisë kontributive të skemës. Vetëm rreth 30% e popullsisë aktive kontribuon në skemën e pensioneve. Raporti midis kontribuuesve dhe përfituesve është aktualisht rreth 1.05 me 1. Që skema e pensioneve të kalojë pragun e falimentimit, pra të vetëfinancohet, duhet që raporti kontribuues përfitues të jetë 2 me 1, pra për çdo pensionist të paguhen kontribute nga të paktën 2 punonjës aktivë. Problemi i dytë i dobësisë kontributive të skemës janë politikat që kanë shkaktuar dinamikën e barrës kontributive. Filozofia e kësaj qeverie është ulja e barrës kontributive për sigurimet shoqërore për punëdhënësit dhe mbajtja konstante e saj për punëmarrësit. Gjatë periudhës 2005-2011, ndërsa barra për punëdhënësit është ulur nga 29% në 15%, pra është përgjysmuar, barra për punëmarrësit nuk ka lëvizur, duke mbetur 9.5%. E përkthyer në gjuhën fiskale, kjo do të thotë që qeveria takson më shumë punëtorin sesa sipërmarrësin ose më shumë konsumin sesa prodhimin. Justifikimi i kësaj politike si incentiv për hapjen e vendeve të reja të punës nuk qëndron. Gjatë periudhës 2005-2010 numri i të punësuarve për ndërmarrje është pakësuar më shumë se dy herë. Në vitin 2005 kishim 11 të punësuar për ndërmarrje, në vitin 2010 kishim 4.8. Por pakësimi i numrit të të punësuarve për ndërmarrje tregon ritmet e ulëta të punësimit. Tjetër punë nëse qeveria e lexon këtë si rritje të punësimit.

Subvencionet buxhetore: rritje astronomike

Por ç’ndodh me skemën? Nga financohet ajo? Përgjigjja është e thjeshtë: nga buxheti i shtetit. Është ky burim që prej vitesh mbyll gropën financiare të skemës së pensioneve. Në vitin 2011, financimi i buxhetit të shtetit për pensionet ishte i barabartë me deficitin buxhetor. Sipas të dhënave nga Open Data Albania, gjatë periudhës 2006-2010 subvencioni nga buxheti i shtetit për pensionet pothuajse u dyfishua, nga 18 miliardë në 34 miliardë lekë. Por buxheti nuk mund të subvencionojë pafundësisht skemën e pensioneve. E para, sepse kjo vjen në kundërshtim me parimet e skemës dhe të sistemit; e dyta, sepse ky buxhet është i kufizuar; e treta, buxheti duhet të investojë edhe për aspektet e tjera të portofolit të zhvillimit njerëzor. Sipas vlerësimeve të Open Data Albania të fundvitit 2011, nëse nuk merren masa urgjente për rritjen e numrit të kontribuuesve dhe uljen e evazionit, Shqipëria në të ardhmen do të harxhojë për sigurime shoqërore aq sa shpenzon për investime në rrugë, shkolla e spitale të marra së bashku. Pra, keqmenaxhimi i skemës së pensioneve pengon investimet në shërbimet jetike për popullsinë.