Me afrimin e sezonit turistik, pushuesit janë përgatitur që tani, në mos me rroba banjoje, të paktën shpirtërisht, për t’u turrur drejt rërës së nxehtë dhe blusë së detit. Por shifrat e ndotjes që po botojmë janë mëse alarmante. Nga Shkëmbi i Kavajës në Radhimë, nga Qerreti tek Currilat, e deri tek qish-blloku në Vlorë, ndotja e ujit është e jashtëzakonshme.
Intestinal Enterococus nuk është turist latin, por e gjen kollaj në Durrës, Golem, Vlorë, Sarandë etj. Është një lloj bakteri, ndër shumë të tjera të rrezikshme që gjenden me bollëk, jo vetëm nëpër gropa septike e qenefe bregdetare, por edhe në vetë ujërat e “bekuara” të bregdetit shqiptar. Bregdeti në fjalë,vërtet numëron 316 kilometra, por një pjesë e mirë e tyre, sidomos kilometrat më të frekuentuar, janë molepsur nga lloj-lloj mbetjesh mikroskopike që shkaktojnë një larmi sëmundjesh shumë të përzieshme.
Rritja e vrullshme e ndërtimeve në zonat bregdetare, rritja e numrit të banorëve dhe mungesa e infrastrukturës që mundëson shkarkimin e ujërave të zeza jo te plazhi përballë, por në mënyrën e përshtatshme, renditen ndër faktorët kryesorë që kanë sjellë një ndotje alarmante të plazheve shqiptare. Ndotja e lumenjve, të cilat shumë fshatra e disa qytete i përdorin pa teklif si kolektor shkarkimi të tualeteve përkatëse, gjithashtu dërgojnë në det, sasi të bollshme lënde organike, si dhe një vëllim shumë të madh mbetjesh të ngurta, si qelq, plastikë etj., krahas mbetjeve industriale, bujqësore e blegtorale.
 
Me nder… turizëm
Dy nga treguesit më të rëndësishëm të cilësisë së ujrave detare, të cilët lidhen me mikroorganizma të ndotjes fekale janë: koliformet fekale (Fecal Coliforms – FC) dhe enterokoku intestinal (Intestinal Enterococus – IE). Fokusi bie kryesisht mbi këta dy indikatorë pasi derdhja e papërpunuar e ujërave të zeza në det është burimi më i madh i ndotjes si dhe vatër e sëmundjeve infektive. Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, plazhet më të ndotura janë në Durrës, Kavajë, Vlorë e Sarandë. Ndërkohë që me cilësi më të mirë paraqiten Borshi, Dhërmiu, Shëngjini, Velipoja e Himara.Të gjitha plazhet e monitoruara nga ISHP kanë një prezencë të FC – 50 mbi normën e lejuar prej 100.
Të dhënat janë mbledhur e bërë publike nga Open Data Albania (ODA), dhe përmbajnë tregues deri në fund të vitit 2010. Ndërkohë, Institutii Shëndetit Publik ka përfunduar edhe analizat për vitin 2011, si dhe për fillimin e këtij viti, por raporti nuk është publikuar nga institucionet përkatëse. Të kontaktuar nga Java, zyrtarë të këtij institucioni janë shprehur se analizat pas vitit 2010 tregojnë përmirësime të lehta në disa plazhe, por megjithatë shtuan se nuk ishin të autorizuar të publikonin të dhënat. Megjithatë, “përmirësimet e lehta” vështirë se mund të sjellin ndryshime drastike në situatën që pasqyrohet në vijim.
 
Plazhi i Durrësit
Plazhe të tëra në Durrës duhet të ishin mbyllur nga institucionet, duke qenë se ndotja është në nivele të frikshme. Në këtë mënyrë, institucionet shqiptare mund t’u kishin kursyer vëllezërve të tyre nga Kosova e Maqedonia, si dhe bashkëqytetarëve më pak të informuar e moskokëçarës, rrezikun e infeksioneve.
Në zonën e Durrësit, shumë të ndotur paraqiten sidomos plazhet pranë Torres, Plepat dhe Ish-Kampi i Pionerëve, rreth 10 herë mbi normën e lejuar. Në raportin e MMPAU, theksohet se nga 21 plazhet e vrojtuara në Durrës, 90% klasifikohen Cilësi e Dobët dhe 10% prej tyre si Cilësi e Mjaftueshme. Këto përfundime e rendisin Durrësin si zonën me plazhet më të ndotura në vend.
Sipas praktikës së institucioneve përgjegjëse, të gjitha plazhet që i përkasin kategorisë Cilësi e Dobët kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, deri në mbyllje të tyre, pasi përbëjnë rrezik për shëndetin publik. Ndotja në plazhet e qytetit të Durrësit është përkeqësuar shumë nga mungesa e kanalizimeve të ndërtimeve të reja, sidomos në zonën e Plazhit.Në të shumtën e rasteve situata është zgjidhur me gropa septike. Mirëpo ndërtimi i tyre në zona ranore dhe jo sipas parametrave bën që këto ujëra të derdhen krejt të papërpunuara në det.
Plazhi i Kavajës
Të dhënat e publikuara nga  ODA  tregojnë se edhe Kavaja paraqet një situatë të rëndë dhe rrezik epidemish. Plazhi i Kavajës ka rezultuar në 10% të stacioneve të monitoruara me Cilësi të Shqkëlqyer, 50% me Cilësi të Mirë, ndërsa në 40% të tij me Cilësi të Dobët, me domosdoshmëri për ndërhyrje të menjëhershme. Plazhet më të ndotuara janë ai i Golemit dhe zona e Vaporit të Mbytur, që janë gjithashtu edhe ndër plazhet më të populluara.
Megjithatë, zonat në fjalë mbeten shumë të preferuara nga pushuesit, të cilët gjatë verës popullojnë spitalet me infeksione të rrezikshme bakteriale, por që për “të mos përhapur panik” institucionet shëndetësore i raportojnë në media pa asnjë përjashtim si “raste helmimi ushqimor”. Në disa raste është vërtet helmim ushqimor, por më mirë të mos ngrihen aludime mbi llojin e ushqimit.
 
Plazhi i Vlorës
Vlora e kaltrisë së Detit Jon, përveçplazheve ftuese, shquhet edhe për sjelljen baritore të kamerierëve, ngarjenhisterike të makinave nga vendasit, mungesa e një kulinarie të përshtatshme si dhe mangësi të tjera me karakter turizstik (mund të ofendohen por janë të vërteta). Por sikur të mos i mjaftonin këto, “Përrlae Jugut” ka dhe një hall serioz me fekalet që shkarkohen lirisht në det. Plazhi i qytetit të Vlorës paraqitet shumë i ndotur.
Sidomos zona e Shkollës së Marinës është jashtë cdo parametri të mundshëm dhe burim i jashtëzakonshëm infeksionesh. Në këtë zonë prej jo më shumë se 800 metrash, raportohet se mund të numërohen me sy të lirë të paktën 6 kanale të ujërave të zeza, që derdhen drejtpërsëdrejti në det. Ai është 15 herë më i ndotur se norma e megjithatë është mjaft i frenkuetuari në stinën e verës.
Plazhi i Ri paraqitet gjithashtu në nivele fekalogjenesh shumë shqetësuese. Për më tepër, bashkia e Vlorës e ka shpallur këtë të fundit “Plazhi Publik”. Bashkia ka bërë një punë të mirë në ofrimin e çadrave falas, rojeve bregdetare dhe kushteve të tjera të përshtatshme për pushuesit. Ndërkaq, sipas ODA-s në të numërohen 4 kanale të ujërave të zeza që shkarkohen në det.Burime e përmendura pranë ISHP-së pohuan se gjendja e kanaleve në Vlorë është“përmirësuar”, por nuk treguna entuziazëm mbi “larjen në këto plazhe”. E ndotur përtej para­metrave paraqitet edhe zona e Plazhit të Vjetër. Ndaj, nëse ndodheni në Vlorë mos notoni me gojën hapur dhe mos u puthni. Nuk është bukur dhe as romantike.
Ndërkohë, ndotja dhe kallaballëku në plazhet masive i ka shtyrë shumë pushues të kërkojnë destinacione alternative.Kërkesa në rritje për destinacione si Shëngjini, Gjiri i Lalzit, Jala, etj, si dhe shtrimi i rrugëve ka ngjallur interesin e ndërtuesve edhe për këto zona. Ndaj, nuk është e largët dita, në mos ka mbërritur, që fekalet të pushtojnë edhe këto ujëra. Ngadalë, por vendosmërisht.
 
Përgjigja institucionale
Duhet pranuar se në fund të vitit 2011 dhe në fillim të këtij viti, qeveria ka nisur një fushatë kombëtare për përmirësimin e gjendjes mjedisore në Shqipëri. Një sërë bashkish e komunash janë përballur me gjoba serioze për mënyrën sesi i trajtojnë plehrat e qytetit. Më problematiket paraqiten Korça dhe Vlora. Ministria e Mjedisit ka nisur një kryqëzatë të vërtetë ndaj pushtetit lokal. Rreth 45 kryetarë bashkish e komunash në të gjithë vendin janëgjobitur vëndçe nga institucionet mjedisore. Gjobat variojnë nga 500 mijë deri në një milion lekë. 
Nga numri total i penalizimeve, 15 gjoba kanë marrë bashkitë, ndërsa pjesa tjetër u përket kryekomunarëve. Ndërsa shumica kanë mbyllur gojën, disa prej shkelësve kanë dalë edhe në ekrane televizionesh, duke pretenduar se gjobat janë tëNë rast se edhe pas kësaj mase administrative shkeljet do të vazhdojnë, ndaj krerëve të pushtetit vendor do të ketë deri edhe kallëzime penale. Për më tepër, inspektorët mjedisorë që mëparë ishin krejt të padukshëm, tashmë kanë mprehur dhëmbët. “Nuk do të ketë tolerancë më. Inspektorët tanë do të vijojnë punën për të evidentuar çdo rast të shkeljes së ligjit”, citohet në media, kryeinspektori i Mjedisit, Ilir Bala. Kohë të këqija për disa, dhe ndoshta disi më të mira për shëndetin publik.