Administrata publike ka shkaktuar një dëm ekonomik prej miliona lekësh, duke bërë shpenzime të kundraligjshme për paga, shpërblime, dieta, telefoninë celulare si dhe për karburantin. Këto abuzime faktohen nga një raport i fundit i bërë publik nga Open Data Albania e cila është bazuar në monitorimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Studimi prek shpenzimet e 6 viteve të fundit duke nisur që nga viti 2005.
Raporti
“Dëmi ekonomik që konstatohet në fushën e shpenzimeve operative rezulton si pasojë e veprimeve si shpenzime të kundraligjshme për udhëtime dhe dieta, tejkalim të limiteve për shpenzime për telefoninë celulare si dhe shpenzime të pajustifikuara për karburantë dhe lubrifikantë etj. Në fushën e sistemit të pagave, dëmi ekonomik ka ardhur si pasojë e veprimeve: paga të llogaritura në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi; pagesa të pamerituara ; pagesa të padrejta për punonjësit dhe anëtarët e këshillave drejtues që kanë thelluar humbjet e shoqërive. Një faktor tjetër që ka shkaktuar dëm ekonomik në sistemin e pagave është mos ndalesa e kontributit të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit dhe të punëmarrësit,” thuhet në raportin e ODA-s.
Shpërblimet
Në sistemin e shpërblimeve, dëmi ekonomik është konstatuar si dhënie shpërblimesh në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Si veprim abuzues që ka shkaktuar dëm ekonomik është dhe dhënia e shpërblimeve nga të ardhurat e bashkisë për punonjësit dhe këshilltarët e vet duke përdorur të ardhura dytësore si dhe dhënia e shpërblimeve kur shoqëria rezulton me humbje. Dëmi ekonomik në fusha/sektorë të tjerë përfshin dëmin në fushën e administrimit të aseteve materiale dhe në urbanistikë.
Gjatë hulumtimin të Open Data ka rezultuar që dëmi ekonomik shkaktohet nga veprime të tjera si mos aplikim dhe mos arkëtim i të ardhurave nga penalitetet për mosrealizim të detyrimeve kontraktore; mosarkëtim të gjobave të vëna nga kontrolli i brendshëm; likuidim pagesash të pakryera; gjoba të paguara dhe të kaluara padrejtësisht në rezultat etj.
Dëmi ekonomik
Përgjatë gjithë periudhës 2005-2010, dëmi ekonomik në fusha dhe sektorë të tjerë ka pasur vlerën më të madhe, ku maksimumi i kësaj vlere është arritur në vitin 2005, 682 554 000 lekë dhe totali i këtij dëmi për periudhën ka vlerën 2 882 346 000 lekë. Ndërsa me vlerën më të vogël ka rezultuar dëmi ekonomik në sistemin e pagave, i cili në total për të gjithë periudhën ka vlerën 193 938 000 lekë. Ndërsa vlerat totale të dëmit në fushën e shpenzimeve operative dhe atë të shpërblimeve janë përkatësisht 441 854 000 lekë dhe 775 151 000 lekë.
Ndikimin më të madh në dëmin ekonomik total për këtë periudhe e ka zëri të tjera, i cili ka arritur raportin më të madh në vitin 2010, ku kjo vlerë ishte sa 20,64% e dëmit total. Raporti mesatar i ndikimit dëmit të fushave/sektorëve të tjerë ndaj dëmit total është 11,02%. Ndërsa raporti mesatar i dëmit në fushën e shpërblimeve, në sistemin e pagave dhe në fushën e shpenzimeve operative është respektivisht 2,24%; 0,67% dhe 1,48%.