Në zgjedhjet e sapopërfunduara presidenciale të Shteteve të Bashkuara nuk ishte thjesht Obama përballë Romeny-t, apo një demokrat përballë një republikani, por ishte edhe një ish-i diplomuar për ligje përballë një ish-të diplomuari për menaxhim biznesi. Prandaj, fitorja e Obama-s ishte dhe një konsolidim më shumë i fitores së Drejtësisë, si fusha që ka nxjerrë më shumë presidentë në gjithë historinë e Shteteve të Bashkuara. Nga 44 presidentë, gjithsej 26 kanë qenë juristë ose me aktivitet në fushën e ligjeve. Por nuk ndodh kështu në çdo vend.

Madje panorama ndodh që shfaqet dhe me ngjyra krejt të tjera. Në Shqipëri në 21 vite pluralizëm, Bujar Nishani është presidenti i parë me diplomë juristi. I kthehemi Shteteve të Bashkuara, jo për t’iu larguar realitetit tonë, që na intereson në të vërtetë, por për të theksuar përfundimin e dalë nga disa studime sasiore dhe cilësore që në vendin tonë mungojnë.

Duke parë trendet e viteve të fundit, studiuesit kanë zbuluar diçka tjetër: zhvillimin e vetë politikës si profesion. Jo në kuptimin e ekzistencës së një dege që përgatit politikanë. Sado t’i afrohet këtij koncepti, studimi i Shkencave Politike, të gjithë e dimë, përfshirë dhe studentët e kësaj dege që prej vitesh ekziston dhe në vendin tonë, se politika nuk është një profesion klasik në të cilën ti mirë apo keq, i aftë apo jo, zë vend pas mbarimit të shkollës përkatëse.

Politikanët tjetër kund përgatiten. Përgatiten ndoshta që në familjet e tyre, e më pas në shoqëri, në rrethin që frekuentojnë. Por kur thuhet se politika po bëhet profesion më vete, nuk nënkuptohet se është ngritur programi arsimor për ta prodhuar këtë profesion, por se të rinj të ndryshëm, pavarësisht studimeve të tyre, tentojnë t’i futen politikës që në moshë fare të re, duke punuar pranë zyrave të ndonjë kongresmeni në ShBA, apo duke u bërë pjesë aktive në forumet rinore në Shqipëri, për shembull, duke ndihmuar në projektet partiake e më pas duke zënë një vend në administratën e partive apo institucioneve politike.

Te  ‘Mapo Studenti’  kemi pasur më parë si personazhe studentë të këtyre forumeve, të cilët kryejnë studimet e nivelit bachelor, master ose doktoraturë jo për Shkenca Politike, edhe pse politika është përparësia e planeve të tyre për të ardhmen. Megjithatë, kjo nuk i ndalon të studiojnë në një fushë tjetër. Në çfarë fushe? Përsëri vihet re një dominim i degëve të Drejtësisë ose Ekonomisë dhe pse disa prej tyre zgjedhin një master për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Jo thjesht sepse këto, prej vitesh, janë degët më të kërkuara, kështu që dhe kur bëhet fjalë për të rinjtë e angazhuar në politikë, shumica e tyre do jenë të këtyre profileve, por edhe për faktin se si drejtësia dhe ekonomia janë fusha që mbulojnë çështje me të cilat merret një politikan. Sigurisht kjo nuk ndalon asnjë profesionist tjetër t’i afrohet politikës.

Larmia e profesioneve të kabinetit aktual qeveritar të Shqipërisë dëshmon për këtë. Megjithatë, politikanët e elitës në Shqipëri, duke qenë se janë pothuajse të njëjtët që e nisën këtë rrugë që kur nisi sistemi shumëpartiak në Shqipëri, nuk janë një kampion i mirë për t’u marrë në studim e për të zbuluar trendet. Tregues më domethënës për këtë prirje do ishin të rinjtë në politikë dhe aty mund të thuhet se vërshimi drejt politikës është më i organizuar për sa i përket degës së studimeve.

Erion Veliaj, ish-drejtues i G99 dhe sekretari aktual i kryesisë së PS-së për Rininë dhe Olta Xhaçka, drejtuesja e grave socialiste, kanë studiuar Shkenca Politike në ShBA; Elisa Spiropali, drejtuesja e komanduar e FRESH, ka kryer studimet bachelor në Politics and Economics në Mount Holyoke College, Massachusetts, po në SHBA dhe një master më pas në Angli për Politikë Europiane Bashkëkohore; ashtu si ka bërë para saj dhe ErionVeliaj. Por, megjithë shfaqjen e studimeve politike, si një pikë e përbashkët në CV-në e disa politikanëve të rinj me poste drejtuese partiake, nuk mund të thuhet kurrsesi se ajo është një pikë kyçe.

Gerti Bogdani, deputeti i PD-së, i angazhuar qysh herët në politikë, ndryshe nga politikanët e rinj të krahut të majtë që përmendëm më lart, vjen nga një background teknik, ku pas Harry Fultz-it në Tiranë, ka kryer studimet në Universitetin Politeknik të New York-ut, por nga ana tjetër, njëlloj si të mësipërmit është i arsimuar jashtë Shqipërisë, gjë që mund të konsiderohet një farë tendence në rrugën drejt politikës së majave për të rinjtë.

Por sigurisht ka dhe të tjerë politikanë të rinj, që diplomën bazë e kanë marrë në Shqipëri, si për shembull Ardit Çela, sekretari për Marrëdhëniet me Publikun i LSI-së, gjithashtu i diplomuar për Inxhinieri, por në Universitetin Politeknik të Tiranës, ndërsa më pas është orientuar nga studimet ekonomike; apo Saimir Tahiri, deputeti i PS-së, i diplomuar në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Drejtësisë, i cili ka kryer më pas studime master në Itali.

Një anketim i plotë nuk është bërë dhe nuk është i lehtë të bëhet për të parë nëse ekziston përtej këtij vëzhgimi me sy të lirë një grupim i vërtetë profesionesh brenda politikës së re dhe një farë prirje e ndonjërit prej këtyre profesioneve për të dominuar. E vetmja hapësirë që lejon studim të saktë është politika e majës, ajo e posteve më të larta drejtuese të shtetit, që ndoshta pak tregon për prirjen e re, por ama ndihmon shumë për të njohur traditën e formuar në më shumë se 20 vjet pluralizëm.

Ose më saktë për të kuptuar nëse është krijuar apo jo një traditë apo prirje gjatë këtyre viteve. Për të kuptuar se nga ç’profesion kanë prirjen shqiptarët t’i zgjedhin politikanët e tyre, Open Data Albania ka publikuar pak kohë më parë përfundimet e studimeve të saj për profilet profesionale të drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar, që në zgjedhjet e para pluraliste, të cilat kur është e nevojshme i kemi update-uar me ndryshimet e fundit, më konkretisht me përfshirjen edhe të presidentit të ri Bujar Nishani, sepse studimi në fjalë merrte parasysh periudhën prill 1991-nëntor 2011.

Profile profesionale të presidentëve të Shqipërisë

Që nga zgjedhjet e para pluraliste në vend, thënë me data, që nga prilli 1991, kemi pasur gjashtë presidentë dhe në pjesën më të madhe të kohës kemi pasur në këtë pozicion një mjek, ndjekur nga një fizikan, inxhinier ushtarak dhe veteriner me të njëjtën përqindje të kohës, 23.2% ose ndryshe me nga një mandat të plotë katërvjeçar. Më konkretisht:

Ramiz Aliaj/Shkolla e Partisë/30 prill 1991 -9 prill 1992  (347 ditë) 4.4 për qind të kohës; Sali Berisha/Mjekësi/9 prill 1992-3 mars 1997 dhe 3 mars 1997- 24 korrik 1997(1933 ditë) 24.5 për qind; Rexhep Meidani/Fizikë/24 korrik 1997- 24 korrik 2002 (1827 ditë) 23.2 për qind,

Alfred Mojsiu/Inxhinieri Ushtarake    /24 korrik 2002- 24 korrik 2007/ (1827 ditë) 23.2 për qind

Bamir Topi/Mjekësi Veterinare/ 24 korrik 2007-24 nëntor 2011/ (1827 ditë) 23.2 për qind; si dhe Bujar Nishani/ Juridik/ 24 korrik 2012-aktualisht (112 ditë) 1.5 për qind të kohës.

Profilet profesionale të kryeministrave të Shqipërisë

Që nga qeveria e parë pluraliste e krijuar në 11 maj të vitit 1991 e deri më sot, Shqipëria ka pasur 8 kryetarë Këshilli Ministrash, disa nga të cilët me disa mandate.

Sipas analizës hulumtuese të Open Data Albania, në detyrën e kryetarit të Këshillit të Ministrave nga 11 maj 1991 kanë drejtuar përkatësisht: Fatos Nano me profil akademik Ekonomi Politike; Ylli Bufi me diplomë universitare në Kimi Industriale;  Vilson Ahmeti i diplomuar në Inxhinieri Mekanike; Aleksandër Meksi i diplomuar në Inxhinieri Ndërtimi; Bashkim Fino me profil ekonomist; Pandeli Majko i diplomuar në Inxhinieri mekanike, por dhe me diplomë në Juridik më pas;  Ilir Meta me diplomë universitare në Ekonomi Politike’ dhe Sali Berisha me profil profesional dhe akademik në Mjekësi.

Në këtë periudhë shqiptarët janë drejtuar në 34,4% të kohës nga kryetar i  Këshillit të Ministrave me profil profesional Mjek; në 28,60% të kohës nga kryetar i Këshillit të Ministrave me profil profesional Ekonomi Politike; në 24,70% të kohës nga kryetar i Këshillit të Ministrave me studime universitare në Inxhinieri Ndërtimi; në 8.50% të kohës nga kryetar i Këshillit të Ministrave me studime universitare në Inxhinieri Mekanike; në 2,30% të kohës nga kryetar i Këshillit të Ministrave me diplomë universitare në Kimi Industriale dhe në 1,50% të kohës nga kryetar i Këshillit të Ministrave me profil profesional në Ekonomi.

Profilet profesionale të kryetarëve të Kuvendit

Për detyrën e Kryetarit të Kuvendit nga prill 1991 deri tani kanë drejtuar: Kastriot Islami me profil profesional Fizikan; Pjetër Arbnori me diplomë universitare në Filologji; Skënder Gjinushi me profil profesional Matematicien; Namik Dokle me diplomë universitare në Ekonomi Agrare dhe Gazetari; Servet Pëllumbi me diplomë universitare në Filozofi; dhe Jozefina Topalli e cila është aktualisht kryetare e Kuvendit te Republikës së Shqipërisë me profil profesional Matematiciene dhe më pas edhe me diplomë në Drejtësi.

Nga këta gjashtë kryetarë parlamenti, pjesën më të madhe të kohës, Kuvendi i Shqipërisë është drejtuar nga Jozefina Topalli, një matematiciene dhe juriste njëkohësisht dhe po të bëjmë bashkë profilet e tyre, profesionistët e shkencave ekzakte kanë dominuar në krye të Kuvendit që nga prilli i 21 viteve më parë.