Sa humbasin shqiptarët nga zhvlerësimi i depozitave nga ulja e normës bazë të interest? Sa fiton qeveria? Çmimi i parasë ulet katër herë brenda një viti, duke shënuar nivelin më të ulët historik, prej vetëm 4 %. Vendimi i fundit i Këshillit Mbikqyrës të BSH prek të paktën 740 miliardë lekë, që i përkasin 1 milionë e 600 mijë individëve. Sot rreth 92% e parave të bankave janë të publikut

Kur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani iu thoshte deputetëve të Komisionit të Ekonomisë se “gjuha e Bankës së Shqipërisë ka qenë gjithmonë një gjuhë e qartë dhe konstruktive, nën vellon e një gjuhe të Bankës së Shqipërisë” dhe se “Banka e Shqipërisë dhe bankat qendrore në botë punojnë gjithmonë me doreza pellushi, nuk janë me marshe dhe me zhurma”, me siguri kishte parasysh edhe raportime publike si ato që bëhen menjëherë pas mbledhjeve të Këshillit Mbikqyrës së kësaj banke. Në 25 të këtij muaji ky organizëm foli nëpërmjet deklartës rutine: “Sot, në datën 25 korrik 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit. Pas kësaj uljeje, norma e marrëveshjeve të riblerjes me afat njëjavor zbret në një minimum të ri historik, prej 4%. Në opinionin e Këshillit Mbikëqyrës, lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare në ekonomi do të ndihmojë në respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme”. Ky është lajmi! Kjo është edhe gjuha “pa marshe dhe zhurma”, pra me doreza pellushi. Po më pas?
 
Le të shkojmë më tej me vendimin e fundit

Në totalin e depozitave të sistemit bankar, pjesën më të madhe, 85% të depozitave e zënë depozitat e individëve, nga këto pjesën më të madhe e zënë depozitat në lekë dhe diferencën depozitat në valutë. Totali i depozitave më 31 dhjetor ka qenë në shifrën 736 miliardë lekë. Shifrat janë zyrtare dhe të marra nga një prej raportimeve të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Çfarë do të thotë për një depozitues “norma bazë e interesit?”.

Ja: Norma bazë e interesit është norma e marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes (REPO) për huadhënien kundrejt kolateralit bankave të nivelit të dytë nga Banka e Shqipërisë- ky është përkufizimi. Po shumica nuk e kupton këtë gjë. Më thjesht ajo mund të thuhet: Norma bazë e interesit është çmimi, për një javë, me të cilin Banka e Shqipërisë iu “shet” para bankave të nivelit të dytë kur ato kanë nevojë. Pra ato marrin 100 lekë të hënën në Bankën e Shqipërisë dhe duhet të kthejnë 104 lekë të shtunën- kjo për ta kuptuar më mirë.

Por në bankë nuk blejnë para vetëm bankat për depozituesit e tyre që kanë nevojë të tërheqin kursimet kur iu duhen, por edhe qeveria. Madje kjo është “blerësja” më e madhe e kursimeve të shqiptarëve, sepse ble me afate më të gjata se ajo që thamë dhe që janë afatet e maturimit 6-12 muaj. Por jo vetëm! Dhe “çmimi” i parave që ble qëveria llogaritet pikërisht mbi bazën e kësaj “normës bazë të interesit” që e ul dhe e ngre Banka e Shqipërisë, sigurisht duke pasur parasysh disa analiza dhe faktorë. Përshembull? Përgjigjen e jep z. Fullani:

“Në çdo mbledhje mujore të diskutimit të vendimmarrjes së politikës monetare ka gjithmonë mbi dy takime institucionale, me materiale të përgatitura në bazë të modeleve, të cilat, për çështje specifike, japin informacion më të plotë, si: për kursin e këmbimit, për rezervat, për kreditë me probleme, për situatën e borxhit etj., duke bërë goditje specifike teorike, në mënyrë që të japim kontributin shkencor në vendimmarrjen tone”.

Pra nuk është kaq e thjeshtë të vendosësh për uljen/rritjen e normës bazë të interest, pra të çmimit të parasë. Ne nuk është se kemi shumë interes t’i  “prekim” këto vendimarrje të politikës monetare që vijnë nga takime institucionale”, Jo! Ne shohim se nga gushti i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti kjo normë interesi është ulur katër herë! Kjo normë praktikisht ndikon gjithë normat e tjera në ekonomi.

Ekspertët e kanë ndjekur edhe dinamikën e kësaj lëvizje në vite. Open Data Albania jep edhe disa konkluzione që duhen ditur. Përshembull, norma baze është rritur në periudhat 2001-2002 dhe 2005-2009, dhe është ulur në periudhat 2003-2005 dhe 2009-2010, në varësi të kushteve ekonomike. Periudhat 2001-2002, dhe 2005 dhe 2009, kanë qënë periudha me rritje të lartë ekonomike, e për pasojë për të evituar mbinxehje të ekonomisë dhe dalje jashtë kontrolli të inflacionit norma bazë është rritur ndjeshëm. Ndërkohë, periudhat 2003-2005 dhe 2009-2010 janë karakterizuar nga rritje ekonomike të moderuara, me një inflacion nën kontroll, dhe me kriza të jashtme që mund të kishin pasoja të rëndësishme në ekonominë e vendit. (Shih grafikun Norma bazë e interesit REPO në Shqipëri-Burimi Open Data Albania). Midis vitit 2011-2012 norma bazë e interesit është ulur katër herë.
 
Çfarë humbasim, çfarë fitojmë?

Autoriteti Monetar Kombëtar thotë se përfitojmë nga “lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare në ekonomi” dhe kjo “do të ndihmojë në respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme”. Ose më drejt: Do të humbasim ca para nga ulja e normës së interesit të depozitave, por do të fitojmë nga kosto më e lirë e kredisë për individët dhe bizneset. Për më tepër akoma do të përfitojmë edhe nga qëndrueshmëria e çmimeve, pra çmime më të lira në treg për produkte e shërbime.
 
A ndodh kështu?

Po iu them ca shifra: Lidhur me rritjen e kredisë së re; në vitin 2011 ajo është 231 miliardë. Nga këto: kredi për kapital qarkullues 38%, investim blerje pajisjesh 20%, investim të paluajtshëm 17% dhe të tjerat 20%. Pra kompozimi nuk duket se është i keq, duke pasur parasysh krizën. Këtë e thotë edhe Guvernatori Fullani.

Guvernatori shkon edhe më tej kur thotë se “Sistemi bankar shqiptar sot, duke pasur parasysh se është i mirëkapitalizuar, likuid dhe prodhon fitim, nuk e ka në interesin e vet të ngushtë, në bazë të gjendjes së tij financiare e të rritjes së depozitave, që të mos japë kredi. Sistemi bankar po nxit kapacitetet për dhënien e kredive. Problemi është se duhet një bashkëpunim sa më i mirë bankë-biznes për të paraqitur projekte të besueshme. Bankat që operojnë në Shqipëri janë banka ndërkombëtare. Të gjitha bankat brenda vitit duhet të arrijnë kapitalizimin 9%, çka do të thotë që një pjesë e tyre do të jenë më kërkuese ndaj kërkesave për kredidhënie
 
Kështu që detyra e biznesit është që të paraqesë përpara bankave projekte reale fitimprurëse dhe me efektivitet.”

Logjika është e drejtë. Shifrat flasin ndryshe. Ky biznes që është, këtu ka qënë edhe në 2008 kur kredia për ekonominë shkonte rreth 60 % të totalit të aktiveve të bankave të nivelit të dytë. Sot edhe agjentët privatë të ekonomisë kanë shfaqur një kërkesë të ulët për financim. Kredia për sektorin u rrit me 7.5% në muajin maj, duke ndjekur trendin e ngadalësimit të nisur që në fund të vitit të kaluar. Për shembull, në fund të vitit 2008, stoku i përgjithshëm i kredisë për ekonominë në Shqipëri mbulonte vetëm 62% të totalit të depozitave. Ecuria e kredisë, përveç kërkesës së ulët të bizneseve dhe individëve, reflekton edhe sjelljen e kujdesshme përzgjedhëse të bankave në kredidhënie, thotë BSH.

Shihni grafikun 1 dhe 2 (faqe 13) që tregon rritjen reale të kredisë në bazë vjetore për sektorin privat (majtas) dhe për familjarët (djathtas)  deri në mars 2012 për vendet e Europës Juglindore
 
As ulja katër herë rresht e normës bazë të interesit nuk ka bërë të mundur që ky instrument i politikës monetare të transmetohet “paqësisht” tek bankat e nivelit të dytë. Ato kanë vijuar të jenë të ngurta dhe as që e kanë ndjekur politikën e BSH. Kredia vijon të jetë e shtrenjtë, ajo është minimale kur bankat janë më shumë se kurrë likuide.
 
Një rekord tjetër i bankave në Shqipëri?

Ndërkohë që kemi nevojë për kredi të lira dhe të shpejtja dhe kur kemi likuiditet në banka, për fat të mirë të rritjes së depozituesve dhe të uljes së konsumit, nuk po i gjejmë ato. Guvernatori e tha jashtë vendit atë që duhet të thoshte në Shqipëri, se “që prej fundit të vitit 2011, krahas këtyre presioneve, po përballemi me një problem të ri, ekspozimit të grupeve të huaja bankare ndaj borxhit privat dhe atij publik, duke ndërprerë kreditimin dhe duke mos marr pjesë në blerjen e bonove të thesarit të qeverisë”. Po ka një element të ri që promovohet.

E thotë Guvernatori: “Banka e Shqipërisë, ndoshta surprizë kjo edhe për bankat e tjera qendrore, ka angazhuar të gjitha kapacitetet e saj për rritjen e kapitalit të bankave. Të gjitha bankave, të cilat kanë pasur vërejtje për sa u përket projeksioneve të tyre dhe realizimeve të kushteve të kredisë me kapitalin, u janë kërkuar kapitale shtesë dhe janë marrë masat që këto kapitale të evidentohen në kohë në sistemin bankar. Në qoftë se do t’i referohemi Europës, ajo po bën përpjekje për të kapur nivelin 9 për qind. Ndërsa tek ne, aktualisht, është 15, 6 për qind. Siç thashë, pa pasur parasysh bankat, vendet e të cilave janë në krizë të plotë, është bërë rritja e kapitalit për të kapur normën tonë të kapitalizmit të tyre, duke sjellë kapital të ri në Shqipëri.”. Bukur!

Ne qëmoti thoshim “kemi para, por nuk kemi kapital!”. Tani paskemi kapital, por nuk kemi kredi. Edhe kur e kemi, e kemi “sa frëngu pulën!” Edhe pse kemi vendosur rekordin historik në normën bazë të interesit! Këtu diçka nuk shkon, mesa duket.
 
Në vend të …epilogut

Ulja e normës bazë të interesit është një mekanizëm ligjor që e përdor autoriteti kryesor monetar në vend. Eshtë në të drejtën e tij, Nëse ky instrument do të ndiqej në mënyrë racionale nga bankat e nivelit të dytë, atëherë BSH do të mund të vlerësohej për mënyrën e transmetimit të instrumentave të saj  ligjore dhe institucionale. Në tërë historinë e transmetimit të këtyre politikave ka pasur dritëhije: disa herë kanë qënë bankat e nivelit të dytë një hap përpara Bankës së Shqipërisë, që kanë orientuar politikat e interesave përpara vendimmarrjes së saj, disa herë të tjera BSH ka qënë e vonuar dhe tregu nuk e ka ndjekur…

Ekspertët e ekonomisë komentojnë se rënia në vijim e nivelit të çmimeve dhe largimi i rrezikut të inflacionit e vendos Bankën e Shqipërisë në kahun e lehtësimit të kushteve monetare, duke reduktuar me katër herë normën e interesit dhe duke e vendosur atë në nivelin rekord të ulët të historisë me 4 %. Po a nuk duhet parë edhe se sa humbasin shqiptarët nga zhvlerësimi i depozitave? Sidomos në kushtet kur edhe kreditë janë ngurtësuar apo mungojnë?

Sa humbasin shqiptarët nga zhvlerësimi i depozitave nga ulja e normës bazë të interest? Sa fiton qeveria? Vendimi i fundit i Këshillit Mbikqyrës të BSH prek të paktën 740 miliardë lekë, që i përkasin 1 milionë e 600 mijë individëve. Sot rreth 92% e parave të bankave janë të publikut. Hesapet janë të thjeshta.