Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi mbështetjen financiare që ka dhënë që nga viti 2005 Buxheti i Shtetit për “Ish të përndjekurit politik” në vlerë absolute dhe si përqindje nga PBB-së. Për këtë arsye u morën në shqyrtim Tabelat Fiskale të Buxhetit të Konsoliduar, njohur si Tabela nr.6 e Ligjit të Buxhetit, në të cilën fondet për këtë kategori kanë një zë të veçantë në seksionin e Shpenzimeve Totale.

 

Për të plotësuar akoma më shumë analizën, u studiua jo vetëm Buxheti Fillestar i miratuar për çdo vit, por për vitet në të cilat mund të siguroheshin të dhënat, u morë parasysh edhe Buxheti Shtesë, Buxheti i Rishkuar, Akti Normativë i Buxhetit dhe Buxheti Faktik.

2005-a është viti i parë në të cilin fondet për “Ish të përndjekurit politikë” dalin si zë mënjanë në buxhet. Gjatë atij viti, shuma e parashikuar ishte 260 milionë lekë apo rreth 0.028% e PBB-së. Vihet re se me kalimin e viteve, shuma e parashikuar ka ardhur përgjithësisht në rritje, për të arritur kulmin në vitin 2009.

Kështu, gjatë vitit 2006, mbështetja e buxhetit për këtë kategori u rrit me 53% krahasuar me vitin 2005 dhe në të njëjtat nivele ngeli edhe gjatë vitit 2007. 2008-a ishte viti i cili shënon një rritje të theksuar të fondeve, duke shkuar në rreth 0.1% të PBB-së.

Viti 2009 vijon këtë rritje, me dyfishim të mëtejshëm të fondeve duke arritur në vlerën 2 miliardë lekë apo 0.173% të  PBB-së. Rritja e shpenzimeve buxhetore gjatë 2009-s si pasojë e të ardhurave nga privatizimi i OSSH-së, bëri që fondet e parashikuara për “Ish të përndjekurit politikë” të shkonin në 3.17 miliardë, shifra më e lartë e dhënë ndonjëherë nga buxheti për këtë kategori.

Pas këtij momenti, vihet re një konstante në nivelin e buxhetuar prej 2 miliardë lekësh për vitet 2010 dhe 2011, ndonëse Shpenzimet Totale të buxhetit ishin në rritje. Viti 2012 shënon një rënie prej 15% të financimit , duke e çuar mbështetjen për “Ish të përndjekurit politik” në 0.122% të PBB-së, niveli më i ulët që prej vitit 2008.

Megjithatë, pavarësisht mbështetjes në rritje nga Buxheti Fillestar gjatë viteve 2005-2009, realizimi faktik i tyre nuk ka qënë në nivelin 100%. Buxheti Shtesë i vitit 2007 e gjen zërin për “Ish të përndjekurit politikë” në të njëjtin nivel si në Buxhetin Fillestar, me 400 milionë lekë dhe me realizim deri në muajin nëntor 50% apo 200 milionë lekë.

Në tabelën fiskale që i referohet të dhënave faktike për 12 muajt për vitin 2007, zëri për “Ish të përndjekurit politikë” nuk shfaqet , duke mos lejuar gjykimin mbi realizimin total të këtyre shpenzimeve. 2008-a është viti në të cilin është realizuar 100% shuma e parashikuar në Buxhetin Fillestar. Ndërkohë, viti 2009, i cili paraqitet në pamje të parë shumë mbështetës për këtë katëgori, e kishte realizimin rreth 69%.

Pra, nga 3.17 miliardë që ishin fondet pas Rishikimit të Buxhetit, realizimi faktik ishte vetëm 2.2 milardë. Megjithatë, kjo shënon gjithsesi nivelin faktik më të lartë të disbursuar nga Buxheti i Shtetit për “Ish të përndjekurit politikë”. Realizimi i ulët për këtë zë karakterizon edhe vitet e mëtejshme. Nga 2 miliardë lekë të parashikuara në Buxhetin Fillestar për vitin 2010, ato ranë në 1.4 miliardë apo në 70% në Buxhetin e Rishikuar dhe Aktin Normativ, por gjithsesi realizimi faktik ishte vetëm 1 miliardë lekë apo 50% e buxhetit të fillimvitit.

Gjatë vitit 2011, duket se janë rritur përpjekjet krahasuar me një vit më parë, për të “mbrojtur” financimin e “ish të përndjekurve politikë” gjatë rishikimit të buxhetit. Fondet për ta u ulën me 10%, por gjithsesi, niveli i realizimit faktik ishte 1.5 miliardë kundrejt 2 miliardëve të parashikuar në fillim të vitit apo 75%.

Pavarësisht se të dhënat faktike të Buxhetit për vitin 2012 nuk kanë dalë akoma, të dhënat fillestare të Thesarit flasin për një realizim 100% të tyre që në muajin Nëntor. Akoma më tej, presioni për shlyerje të shpejtë të detyrimeve ndaj Ish të përndjekurve politike, ka bërë që për vitin 2013, Qeveria të parashikojë 3 miliardë lekë në buxhet apo rreth 76% më shumë se në në vitin 2012.


Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Megjithatë, duke mbajtur parasysh nivelin e realizimit ndër vite të këtij zëri si dhe faktin e një viti elektoral, duhen pritur të paktën raportimet e 6-mujorit për të gjykuar mbi angazhim real të buxhetit për shlyerjen e detyrimeve ndaj kësaj shtrese. 


Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/treguesit_fiskale_sipas_buxhetit_te_konsoliduar_dhjetor_2007_1224_1.pdf

2005 Buxheti Fillestar
2006 Buxheti Fillestar
2007 Buxheti Fillestar
2008 Buxheti Fillestar
2008 Buxheti Shtese
2009 Buxheti Fillestar
2009 BUxheti i Rishikuar dhe Akti Normativ
2010 Buxheti Fillestar
2010 Buxheti i Rishikuar
2010 Akti Normativ
2011 Buxheti Fillestar
2011 Buxheti i Rishikuar
2012 Buxheti Fillestar

2007 Faktik
2008 Faktik
2009 Faktik
2010 Faktik
2011 Faktik

Kontribuoi: Blerta Zlija