“Kostoja e borxhit për frymë” llogaritet si raport i shpenzimeve të interesave totale, që paguhen nga Buxheti për borxhin e marrë dhe ende të pashlyer, me popullsinë gjatë një viti të caktuar. Ai është një indikator shumë i rëndësishëm që ndihmon në gjykimin e aftësisë paguese të një shteti të borxhit të marrë dhe akoma më tej, të shlyerjes në kohë të interesave përkatës. Open Data Albania ka marrë në shqyrtim ecurinë e këtij indikatori në vitet 2010-2013.

 


Burimi i të dhënave: Ministria e Financave , INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në vitin 2010, kostoja e borxhit për frymë shënoi 13 022 lekë, ndërsa një vit më vonë, ajo arriti në nivelin 14 572 lekë apo 11.9% më shumë. Faktori kryesor që shpjegon këtë rritje është përdorimi i rezultateve të Censusit 2011, në bazë të të cilit, popullsia për vitin 2011 rezulton rreth 11.2% më e vogël se sa parashikimet e INSTAT për vitin 2010.

Ndryshimi shumë i madh i nivelit të popullsisë ka bërë që të zerohet efekti i uljes se shumës së interesave të paguara në vitin 2011 krahasuar me një vit më parë. Kështu, nëse në vitin 2010 interesat e paguar arritën në 41.6 miliardë lekë, në 2011-n ato ishin rreth 41.1 miliardë.

Situata ndryshon në vitin 2012. Me një parashikim të Ministrisë së Financave për shpenzimet e interesave deri në fund të vitit 2012 në nivelin 45.8 miliardë lekë  dhe me një rritje të supozuar të popullsisë prej 0.5% , kostoja e borxhit për frymë rezulton 16 149 lekë, apo rreth 10.8% më e lartë se një vit më parë.

Por, ndërsa rritja e kostot së borxhit për frymë në vitin 2011 u shkaktua tërësisht nga përdorimi i rezultateve të reja të regjistrimit të popullsisë, për vitin 2012 rritja ka ardhur si pasojë e shumës më të lartë të interesave të paguar për borxhin. Në të njëjtat nivele paraqitet situata edhe për vitin 2013. Rritja e kostos së borxhit për frymë vazhdon të jetë rreth 10.76%, për të arritur në 17 887 lekë, apo 71 548 lekë në vit për një familje mesatare prej 4 personash.


Burimi i të dhënave: Ministria e Financave , INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

1- Të dhënat për shumën e interesave për vitin 2010-2011 janë marrë nga raportimet mbi “Treguesit fiskal sipas buxhetit të konsoliduar”:

Viti 2010: http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/treguesit_fiskal_14_12_m_2010_23_05_2011_2228_1.pdf
Viti 2011: http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/12_2011_treg_fiskalk_6_dt_28_05_2012xls_3445_1.pdf

Të dhënat për shumën e interesave për vitin 2012 janë marrë nga “Relacioni për projektbuxhetin 2013”, fq 50
Të dhënat për shumën e interesave për vitin 2013 i përkasin “Buxhetit 2013”
 
2- Të dhënat e popullsisë për vitin 2010 dhe 2011 janë marrë nga INSTAT,ndërsa për vitet 2012-2013 janë përllogaritje të ODA-s
 
3- Ministria e Financave, “Relacioni për projektbuxhetin e vitit 2013”, fq 50
 
4- Rritja 0.5% është supozuar nisur nga të dhënat e INSTAT në “Rezultatet kryesore – Censusi i popullsisë dhe banesave për vitin 2011” sipas të cilit numri i lindjeve në vitin 2011 ishte rreth 34 mijë, ndërsa numri i vdekjeve rreth 20 mijë (fq 7). Duke abstraguar nga faktorët e tjerë që ndikojnë në rritjen e popullsisë, është supozuar se popullsia do të ruajë të njëjtën ecuri edhe për vitet 2012-2013, duke u shtuar me rreth 14 000 persona në vit, apo rreth 0.5%.

Kontribuoi: Blerta Zilja