Si një ndër indikatorët më të rëndësishëm, i cili ndihmon në gjykimin e aftësisë paguese së një shteti për të shlyer borxhin e tij, “shuma e borxhit për frymë” paraqet një interes të vecantë për t’u marrë në shqyrtim.

Ai llogaritet si raport i borxhit total publik të emëtuar dhe ende të pashlyer me popullsinë në një vit të caktuar dhe është një ndër elementët kryesor që përcakton riskun dhe normën e interesit të letrave me vlerë. Për këtë arsye, Open Data Albania, ka marrë në analizë ecurinë e këtij idikatori për vitet 2010-2013 .


Burimi: Ministria e Financave , INSTAT
Komentet dhe përpunimi: ODA

Sic mund të shikohet edhe nga grafiku, “borxhi për frymë” ka përjetuar një rritje me ritme jo të ngadalta. Rritjen më të madhe e ka pasur në vitin 2011, krahasuar me vitin 2010, me rreth 22.27%. Duhet theksuar se kjo rritje e madhe ka ardhur kryesisht nga ulja e numrit të popullsisë së raportuar nga INSTAT me rezultatet e Censusit për vitin 2011, nga e cila rezultonte një popullsi 11.27% më e vogël se sa në vitin 2010.

Megjithatë, edhe rritja e stokut te borxhit me 57.2 miliardë lekë apo 8% më shumë, dha ndikimin e tij në arritjen nivelit të borxhit për frymë nga 223 949 lekë në vitin 2010, në 273 831 lekë në vitin 2011. Ky ka qenë viti i vetëm, në të cilin rritja e “borxhit për frymë” shpjegohet kryesisht nga variabli popullsi, pasi për vitet në vijim, stoku i borxhit është faktori mbizotërues.


Burimi: Ministria e Financave , INSTAT
Komentet dhe përpunimi: ODA

Në vitin 2012, borxhi për frymë mendohet të jetë rreth 287 648 lekë, referuar kjo parashikimeve të bëra nga Ministria e Financave që në 1 Gusht, 2012 , për nivelin e pritshëm të stokut të borxhit deri në fund të vitit. Në fakt, ka pak gjasa që borxhi për frymë të qëndrojë në këtë nivel, pasi që në 30 Shtator, 2012, Ministria e Financave raporton një stok borxhi 9-mujor prej 814 miliardë lekësh , që është afërsisht 99.79% e stokut të borxhit që duhej të rezultonte deri në fund të vitit.

Në vitin 2013, stoku i borxhit është parashikuar të shkojë në rreth 895.7 miliardë lekë. Nëse do të supozonim një rritje mesatare të popullsisë nga viti në vit me rreth 0.5% , atëherë, borxhi për frymë në 2013-n do të jetë rreth 314.271 lekë apo rreth 9.8% më shumë se në 2012-n. Në këto kushte, një familje shqiptare mesatare prej 4 personash, për vitin 2013 mbart një borxh prej 1 257 084 lekë. Por ndërkohë, nuk duhet harruar se jo e gjithë popullsia kontribuon me taksa dhe tatime në buxhetin e shtet. Kjo do të thotë se “borxhi për taksapagues” apo persona që realisht do e shlyejnë atë është akomë më i lartë. 


Burimi: Ministria e Financave , INSTAT
Komentet dhe përpunimi: ODA

1- Nëse jeni të interesuar për ecurinë e këtij indikatori që nga viti 2000, mund të lexoni më shumë këtu: http://open.data.al/sq/lajme/lajm/lang/sq/id/532/Shuma-e-borxhit-per-fryme-ne-vitet-2000-2012
 
2- Të dhënat për stokun e borxhit për vitet 2010-2012 janë marrë në “Treguesit e borxhit – 9 mujor, 2012”: http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/buletini_9_m_2012_copy_1_4272_1.pdf
Stoku i borxhit për vitin 2013 është përllogaritur, bazuar në nivelin 62.6% e PBB-së të shpallur nga Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Z. Spaho (Procesverbali i Seancës Plenare, dt 7.12.2012, fq 4) dhe parashikimit të PBB-së për vitin 2013 të Ministrisë së Financave në Tabelën nr.6 të Ligjit të Buxhetit për vitin 2013.
 
3- Të dhënat e popullsisë për vitin 2010 dhe 2011 janë marrë nga INSTAT,ndërsa për vitet 2012-2013 janë përllogaritje të ODA-s.

4-http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/kuadri_makroekonomik_e_fiskal_per_periudhen_2012_2014_vkm_nr_748_date_2_11_2011_2761_1.pdf
 
5- http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/buletini_9_m_2012_copy_1_4272_1.pdf
 
6- Rritja 0.5% është supozuar nisur nga të dhënat e INSTAT në “Rezultatet kryesore – Censusi i popullsisë dhe banesave për vitin 2011” sipas të cilit numri i lindjeve në vitin 2011 ishte rreth 34 mijë, ndërsa numri i vdekjeve rreth 20 mijë (fq 7). Duke abstraguar nga faktorët e tjerë që ndikojnë në rritjen e popullsisë, është supozuar se popullsia do të ruajë të njëjtën ecuri edhe për vitet 2012-2013, duke u shtuar me rreth 14 000 persona në vit, apo rreth 0.5%.

Kontribuoi: Blerta Zilja