Open Data Albania ka marrë në shqyrtim nivelin e eksporteve dhe importeve të artikujve dru dhe qymyrdruri të raportuara nga autoritete doganore për vitet 2008-2012. Konkretisht në pesë vitet e fundit, Shqipëria ka eksportuar lëndë dhe artikuj drusorë plus qymyr druri në vlerën 7.6 miliardë lekë, ndërkohë që ka importuar sasi me vlerë rreth 34.5 miliardë lekë për të njëjtën periudhë kohore. Raporti import-eksport për këtë kategori të jetë përafërsisht 4.5 me 1.


Burimi: INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Eksporti i “drurit, artikujve prej druri dhe qymyri i drurit” ka ardhur në rritje të vazhdueshme nga viti në vit, duke shkuar nga 1.2 miliardë lekë në 2008-n, në 1.8 miliardë në 2012-n. Ky vit shënon edhe rritjen më të madhe krahasuar me periudhat e mëparshme, 8% më shumë sesa në 2011-n.

Ndërkohë, importet, pavarësisht se janë disa herë më të larta sesa eksportet, kanë pasur një trend rritës vetëm në vitet 2009-2010, ndërsa në 2011 kanë qëndruar thuajse në të njëjtin nivel. Në vitin 2012 ato shënojnë rënien e parë, duke zbritur nga 7.22 miliardë në 2011, në 6.7 miliardë, apo 6.8% më pak.


Burimi: INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Për të pasur një pamje më të plotë mbi eksportin dhe importin e lëndës drusore, Open Data Albania ka marrë në analizë strukturën e tyre për vitin 2012. Vlerën më të madhe, rreth 50%, e zë eksporti i “drurit si lëndë djegëse” me 612 milionë lekë, i ndjekur nga “lëndë drusore e sharruar” me 211 milionë lekë dhe “skelete druri për piktura” me 199 milionë lekë. Të tre këta zëra përbëjnë rreth 84% të vlerës së eksporteve për vitin 2012.


Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në importe, peshën kryesore e zënë “pllaka zdrukthi” me 1.9 miliardë lekë dhe “panele fibrash prej druri” me 1.88 miliardë lekë. Secili prej tyre zë përkatësisht 33.3% dhe 32.7% të lëndës drusore të importuar për vitin 2012. Ndërsa zëri i tretë më shumë i importuar është “lënda drusore e sharruar” me 1.46 miliardë lekë apo 25.4%.


Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kontribuoi: Blerta Zilja