Ministria e Financave ka gati formulën, ka përcaktuar pragun dhe përshkallëzimin e taksimit progresiv mbi të ardhurat personale. Drafti përfundimtar që do të miratohet nga Qeveria, ka siguruar edhe mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilat kanë ndjekur dhe kanë sugjeruar në çdo hap, jo vetëm paketën fiskale, por gjithë projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Ndryshim thelbësore ka pësuar gjithë sistemimi i taksimit, ku i jepet fund taksës së sheshtë dhe aplikohet sistemi progresiv. Filozofia “paguan më shumë kush merr më shumë dhe paguan më pak kush merr më pak”, mishërohet në caktimin e normës dhe bazës së taksimi. Tatimi mbi të ardhurat përjashton pagat deri në 30 mijë lekë, ndërsa për rrogat 30 deri në 130 mijë lekë norma e taksimit do të jetë 13% tatim, ndërkohë për pagat mbi 130 mijë lekë vendoset 23% tatim. Ky variant ka gjetur dakordësinë e gjithë palëve të përfshira në hartimin e buxhetit dhe pritet që të kalojë në Qeveri dhe Kuvend për miratim.  
Taksimi 
Të gjithë ata që kanë paga më të larta se 130 mijë lekë në muaj nga një janari do të paguajnë më shumë taksa. Pas shumë variantesh dhe diskutimesh është përcaktuar variantin final i taksës progresive. Tatimi mbi të ardhurat personale, ose tatimi mbi të ardhurat nga paga, do të jetë me tre shkallë. Sipas draftit, fasha e pagave nga 0 në 30 mijë lekë do të vazhdojë të mbetet e pataksuar, ashtu si edhe tani. Për pagat nga 30 deri në 130 mijë lekë në muaj taksa do të jetë 13 për qind e vlerës mbi 30 mijë lekë. Ndërsa për pagat mbi 130 mijë lekë në muaj taksa shkon në 23 për qind. Sipas përllogaritjeve, punonjësit që e kanë pagën nën 130 mijë lekë në muaj përfitojnë taksë më  të ulët se deri më sot dhe me këtë logjikë, nga kjo skemë uljen më të lartë e marrin pagat më të ulëta.  Ndërkohë mbi këtë nivel të ardhurash taksa rritet. 
Formula 
Zbardhet formula e qeverisë për tatimin mbi të ardhurat. Taksimi progresiv do të nisë aplikimin mbi pagën 30 000 lekë, do të jetë në masën 13 % dhe do të përfundojë tek pagat 130 mijë lekë, mbi ketë pagë niveli i taksës do të jetë 23 % të pagës. Strategjia e qeverisë heq nga funksionimi tatimin e sheshte 10 %, i cili aplikohet aktualisht mbi të gjithë pagat pa diferencime. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave për secilën kategori llogaritja e tatimit kryhet: (Paga bruto- 30 mijë lekë) X 13 %. Niveli i tatimit për këtë kategori do të jetë 13 % dhe përfshin pagat mbi 30 mijë deri në 130 mijë lekë. Ndërsa me skemën aktuale tatimi llogaritej 10 % mbi pagën bruto. 
Taksa sipas pagave 
Sipas përllogaritjeve, për pagën 40 mijë lekë, e cila me taksën e sheshtë paguante 4000 lekë tatim, në janar të vitit të ardhshëm do të paguajë 1300 lekë, diferenca prej 2700 lekë është kursimi nga tatimi që dhuron për këtë kategori paketa e re fiskale. E njëjta logjikë ndiqet për pagën 50 mijë. Personat që përfitonin këtë nivel page, paguajnë sot 5 mijë lekë tatim, ndërsa në janar do të paguajë 2600 lekë duke kursyer 2400 lekë në muaj. Përfitojnë nga aplikimi i taksës progresive pagat deri në 120 mijë lekë, ndërsa për pagën 130 mijë lekë sipas përllogaritjeve del se paguan të njëjtin nivel si me taksën e sheshtë, ashtu dhe me atë progresive. Penalizohen pagat mbi 130 mijë lekë muaj, për të cilat tatimi do të jetë më i lartë.   
Tatim fitimi për biznesin 
Tatim-fitimi për biznesin e vogël do të zbresë nga 10% që është aktualisht në 7.5%, ndërsa për bizneset e mëdha do të jetë 15%. Ndërkohë subvencioni i TVSh-së për produktet bazë ushqimore do të jetë 10% për shtresat e varfra. Qeveria do të rrisë subvencionin për energjinë elektrike për shtresat në nevojë.  Sipas projektbuxhetit, rritje do të pësojnë akcizat. Duke filluar nga 1 janari akciza e cigareve do të rritet nga 70 lekë që është aktualisht, në 90 lekë për paketë. Për duhanin e dredhur parashikohet dyfishim i akcizës, nga 1500 lekë që është aktualisht, në 3 mijë lekë. Ndërsa akciza e alkooleve do të rritet me 30%, gjithashtu rritje do të  ketë edhe për akcizën e pijeve energjike. Akciza e kafes së pjekur do të dyfishohet nga 60 lekë që është aktualisht në 120 lekë për kilogram. Sipas paketës fiskale, taksa e qarkullimit rrugor që paguhet në çmimin e çdo litri karburant do të rritet me 10 lekë. Pra, nga 7 lekë që është aktualisht do të bëhet 17 lekë si për naftën, ashtu edhe për benzinën.
Tatimi mbi të pagën 
Pagaishte bëhet diferenca 
40 mijë4000 1300-2700
50 mijë 50002600-2400
60 mijë 60003900-2100
70mijë70005200-1800
80 mijë 80006500-1500
90 mijë 90007800-1200
100 mijë 100009100-900
120 mijë 1200011700-300
130 mijë 1300013000- 0
140 mijë 14000 15300 1300
150 mijë 1500017600    2600
160 mijë 16000199003900
Tatimi mbi pagat 
30 mije leke 0 tatim 
30-130 mije leke 13% tatim 
Mbi 130 mije leke 23% tatim 
Tatimi mbi fitimin 
Biznesi i vogël ulet nga 10 në 7.5% 
Biznesi i madh rritet nga 10 në 15% 
Niveli i akcizave 
Cigaret- rritet nga 70 në 90 lekë/paketë 
Duhani i dredhur- rritet nga 1500 në 3000 lekë/kg 
Pijet alkoolike- rritet 30% 
Kafja e pjekur rritet- nga 60 në 120 lekë/kg 
Taksa e qarkullimit 
Nafta dhe benzina rritet nga 7 në 17 lekë/litër
Braçe: Ja si llogaritet tatimi mbi pagën 
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ka shpjeguar mënyrën e llogaritjes së tatimit mbi pagat, madje e ka shoqëruar atë me shembuj. Ndryshimi i mënyrës së taksimit të pagës, sipas tij, mbështet në dy shtylla kryesore. E para; për të gjitha rrogat deri në 30  mijë lekë tatimi mbetet 0%. E dyta; për të gjitha rrogat nga 30 001 lekë deri në 130 000 lekë, tatimi bëhet 13% e diferencës mes rrogës dhe shumës 30 mijë lekë.  Pra, jo 13% e rrogës, por 13% e diferencës mes rrogës dhe shumës 30 mijë lekë. Kreu i Komisionit të Ekonomisë ka sjellë edhe një shembull. Kështu për rrogën 50  mijë lekë tatimi që paguhet sot është 10%, në vlerë 5 mijë lekë Tatimi i ri do të jetë: 13% e shumës së krijuar nga diferenca 50 mijë – 30 mijë, 13% e 20 000 që arrin në vlerën 2 600 lekë. Për këtë rrogë, tatimi do të zërë realisht vetëm 5.2% të rrogës nga 10% që është sot, ose 2 400 lekë më pak në muaj.  Ndërsa për të gjitha rrogat mbi 130 001 lekë, tatimi bëhet 13 mijë lekë plus 23% e diferencës mes rrogës dhe shumës 130 mijë lekë; pra jo 23% e rrogës  por 13 000 lekë plus 23% të diferencës mes rrogës dhe shumës 130 mijë lekë. Për shembull për rrogën 140 mijë lekë tatimi që paguhet sot 10%, në vlerë 14 mijë lekë. Tatimi i ri do të jetë 13 mijë + 23% të 140 mijë – 130 mijë, 13 mijë + 23% të 10 mijë, 13 mijë + 2 300 dhe arrin në vlerën 15 300 lekë. Për këtë rrogë, tatimi do të zëre realisht vetëm 10.9% të rrogës nga 10% që është sot (rritja 0.9%), ose 2 300 lekë më shumë në muaj.
Pagën mbi 30 mijë lekë e kanë 238.722 punonjës 
Open Data Albania ka hulumtuar mbi nivelin e të punësuarve në vend sipas kategorisë së tyre të pagës. Hulumtimi synon të shprehë se sa është numri dhe pesha e të punësuarve sipas vlerës së pagës mujore që ata deklarohen. Të dhënat bazohen tek mesatarja mujore e nëntëmujorit të parë 2013. Burim informacioni është Ministria e Financave.  Në mesataren e totalit në këtë vit, të punësuar kontribues në vend janë shënuar katërqind e njëzetë pesë mijë e gjashtëdhjetë e gjashtë persona. Rezulton se 56,2% e totalit të personave të punësuar janë me paga nën vlerën tridhjetë mijë lekë në muaj.  Mund të themi se më shumë se gjysma e të punësuarve në vend nuk i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale në skemën aktuale të tatimit. Paga 30 – 40 mijë lek në muaj është paga e 9.2% e të punësuarve të deklaruar në Republikën e Shqipërisë, ndërsa 10,6 % është pesha kundrejt totalit e personave me pagë mujore të kategorisë 40 – 50 mijë lek në muaj. Kategoria e personave që punësohen me pagesë mujore në vlerën 100 – 200 mijë lekë është pothuaj e papërfillshme tek totali i të punësuarve kontribuues. Ndërkohë pagën mbi 200 mijë lek në vend e përfitojnë 1.2 % e kontribuesve.
Projektbuxheti 2014: Rritja ekonomike 2 %, borxhi 71. 1 % 
Buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë më i vogël se i vitit 2013, ku të ardhurat janë parashikuar në vlerën e 380 miliardë lekëve. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se rritja reale ekonomike është parashikuar në nivelin 2%, të ardhurat totale 25.5% e PBB-së, 1.6% e PPB më shumë se fakti 2013 ose 10.4% më shumë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 18% e PBB-se ose 13.9.% me shumë se fakti 2013. Ndërsa shpenzimet totale do të jenë 28.5% e PBB-se ose -2.1% më pak se viti 2013. Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm pritet që shpenzimet kapitale të jenë 3.8% e PPB-së ose -0.2% më pak se viti 2013, (përfshirë edhe të ardhurat nga privatizimi). Ndërkohë deficiti do të jetë në masën 3% e PBB-së dhe stoku i borxhit 71.1% e PBB-së, nga  69.1%  në fund të vitit 2013. Burime nga Financat bëjnë të ditur se, fushat prioritare ku do të fokusohen investimet, janë arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura. Kështu, në vlerësimin e këtyre shpenzimeve janë marrë si bazë shpenzimet e pashkurtuara nga Akti Normativ 2013, ku është zbritur fondi prej 600 milionë parashikuar për zgjedhjet, shpenzim që nuk do jetë vitin e ardhshëm dhe është rritur me 4%. Ndarja e këtij tavani midis sektorëve është bërë e diferencuar, theksohet në këtë draft, duke mbajtur rritjen 0 për shpenzimet administrative, 2% për sektorët joprioritare dhe 4-5 % për sektorët prioritare si arsim, shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë.
Mendohet, që nesër do të ketë një projekt përfundimtar i buxhetit dhe i paketës fiskale, kjo e fundit diskutuar dy ditë më parë dhe me grupet e interesit, kryesisht organizatat e biznesit. Por, krahas diskutimeve për termat e buxhetit të vitit të ardhshëm dhe paketës fiskale, pritet diskutimi edhe për vendosjen e një marrëveshje të re mes FMN-së dhe qeverisë shqiptare.