Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi mbështetjen financiare që ka dhënë Buxheti i Shtetit për “Ish të përndjekurit politik” që nga viti 2005, në vlerë totale dhe si përqindje ndaj PBB-së. Për këtë arsye u morën në shqyrtim Tabelat Fiskale të Buxhetit të Konsoliduar, njohur si Tabela nr.6 e Ligjit të Buxhetit, në të cilën fondet për këtë kategori zënë një vend të veçantë në seksionin e Shpenzimeve Totale.

Për të plotësuar akoma më shumë analizën, u studiua jo vetëm Buxheti Fillestar i miratuar për çdo vit, por për vitet në të cilat mund të siguroheshin të dhënat, u morën parasysh edhe Buxheti Shtesë, Buxheti i Rishikuar, Akti Normativ i Buxhetit dhe Buxheti Faktik.

2005-a është viti i parë në të cilin fondet për “Ish të përndjekurit politikë” dalin si zë mënjanë në buxhet. Gjatë këtij viti, shuma e parashikuar ishte 260 milionë lekë apo rreth 0.028% e PBB-së. Vihet re se me kalimin e viteve, shuma e parashikuar ka ardhur përgjithësisht në rritje, për të arritur kulmin në vitin 2009. Kështu, gjatë vitit 2006, mbështetja e buxhetit për këtë kategori u rrit me 53% krahasuar me vitin 2005 dhe në të njëjtat nivele ngeli edhe gjatë vitit 2007.

2008-a ishte viti i cili shënon një rritje të theksuar të fondeve, duke shkuar në rreth 0.1% të PBB-së. Viti 2009 vijon këtë rritje, me dyfishim të mëtejshëm të fondeve duke arritur në vlerën 2 miliardë lekë apo 0.173% të  PBB-së.

Rritja e shpenzimeve buxhetore gjatë 2009-s si pasojë e të ardhurave nga privatizimi i OSSH-së, bëri që fondet e parashikuara për “Ish të përndjekurit politikë” të shkonin në 3.17 miliardë, shifra më e lartë e dhënë ndonjëherë nga buxheti për këtë kategori. Pas këtij momenti, vihet re një konstante në nivelin e buxhetuar prej 2 miliardë lekësh për vitet 2010 dhe 2011, ndonëse Shpenzimet Totale të buxhetit ishin në rritje. Viti 2012 shënon një rënie prej 15% të financimit , duke e çuar mbështetjen për “Ish të përndjekurit politik” në 0.122% të PBB-së, niveli më i ulët që prej vitit 2008.

Megjithatë, pavarësisht mbështetjes në rritje të Buxhetit Fillestar gjatë viteve 2005-2009, realizimi faktik i tyre nuk ka qenë në nivelin 100%. Kështu, realizimi faktik deri në muajin nëntor për vitin 2007, ishte  50% apo 200 milionë lekë nga 400 milionë që ishin parashikuar në fillim të vitit. Në tabelën fiskale që i referohet të dhënave faktike për 12 muajt për vitin 2007, zëri për “Ish të përndjekurit politikë” nuk shfaqet , duke mos lejuar gjykimin mbi realizimin total të këtyre shpenzimeve deri në fund të vitit. 2008-a është viti në të cilin është realizuar 100% shuma e parashikuar në Buxhetin Fillestar.

Ndërkohë, viti 2009, i cili paraqitet në pamje të parë shumë mbështetës për këtë katëgori, e kishte realizimin rreth 69%. Pra, nga 3.17 miliardë që ishin fondet pas Rishikimit të Buxhetit, realizimi faktik ishte vetëm 2.2 milardë. Megjithatë, kjo shënon gjithsesi nivelin faktik më të lartë të disbursuar nga Buxheti i Shtetit për “Ish të përndjekurit politikë”.

Realizimi i ulët për këtë zë karakterizon edhe vitet e mëtejshme. Nga 2 miliardë lekë të parashikuara në Buxhetin Fillestar për vitin 2010, realizimi faktik ishte vetëm 1 miliardë lekë apo 50% e buxhetit të fillimvitit.


Burimi: Ministria e Financave
Komentet dhe përpunimi: ODA

Gjatë vitit 2011, duket se janë rritur përpjekjet krahasuar me një vit më parë, për të “mbrojtur” financimin e “ish të përndjekurve politikë” gjatë rishikimit të buxhetit, por gjithsesi, niveli i realizimit faktik ishte 1.5 miliardë kundrejt 2 miliardëve të parashikuar në fillim të vitit apo 75%.

Pavarësisht se të dhënat faktike të Buxhetit për vitin 2012 nuk kanë dalë akoma, të dhënat fillestare të Thesarit flasin për një realizim 100% të tyre që në muajin Nëntor. Akoma më tej, presioni për shlyerje të shpejtë të detyrimeve ndaj Ish të përndjekurve politikë, ka bërë që për vitin 2013, Qeveria të parashikojë 3 miliardë lekë në buxhet apo rreth 76% më shumë se në në vitin 2012.

Megjithatë, duke mbajtur parasysh nivelin e realizimit ndër vite të këtij zëri si dhe faktin e një viti elektoral, duhen pritur të paktën raportimet e 6-mujorit për të gjykuar mbi angazhim real të buxhetit për shlyerjen e detyrimeve ndaj kësaj shtrese. 


Burimi: Ministria e Financave
Komentet dhe përpunimi: ODA

2005 Buxheti Fillestar:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/5_tabelat_ligji_nr_9339_date_21_12_2004_458_1.pdf

2006 Buxheti Fillestar:

http://www.minfin.gov.al/minfin/Buxheti_dhe_Paketa_Fiskale_2006_474_1.php

2007 Buxheti Fillestar:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/5_buxheti_2007_tabelat_kuvendi_399_1.xls

2008 Buxheti Fillestar:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/4_buxheti_2008_tabelat_kuvendi_362_1.xls

2008 Buxheti Shtese:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/3_buxheti_2008_suplementar_tabelat_km_368_1.xls

2009 Buxheti Fillestar:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/7_buxheti_2009_tabelat_kuvendi_350_1.xls

2009 BUxheti i Rishikuar dhe Akti Normativ:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/2_buxheti_2009_akt_normativ_tabelat_kuvendi_345_1.xls

2010 Buxheti Fillestar:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/buxheti_2010_tabelat_e_miratuara_ne_kuvend_141209_306_1.xls

2010 Buxheti i Rishikuar:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/3_tabelat_e_buxhetit_te_rishikuar_2010_korrik_303_1.xls

2010 Akti Normativ:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/tabela_1_akti_normativ_2010_1711_1.xls

2011 Buxheti Fillestar:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/buxheti_2011_tabelat_kuvendi_1766_1.xls

2011 Buxheti i Rishikuar:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/buxheti_2011_tabelat_kuvendi_1766_1.xls

2012 Buxheti Fillestar:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/buxheti_2012_tabelat_kuvendi1_2890_1.xls

2007 Faktik:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/treguesit_fiskale_sipas_buxhetit_te_konsoliduar_nentor_2007_1225_1.pdf

2008 Faktik:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/treguesit_fiskale_12_mujor_2008_757_1.pdf

2009 Faktik:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/treguesit_fiskale_12_mujor_2009_2_2735_1.pdf

2010  Faktik:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/treguesit_fiskal_14_12_m_2010_23_05_2011_2228_1.pdf

2011 Faktik:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/12_2011_treg_fiskalk_6_dt_28_05_2012xls_3445_1.pdf