Të ardhurat nga privatizimi janë të ardhurat që sigurohen nga shitja e një aseti publik. Sipas klasifikimit të Divizionit të Statistikave të Kombeve të Bashkuara, që është njëkohësisht edhe sistemi i përdorur në vendin tonë, këto të ardhura nuk përfshihen në grupin e të Ardhurave Totale, por klasifikohen si pjesë e financimit të Deficitit. Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi të ardhurat nga procesi i privatizimeve gjatë viteve 2010-2013 në vendin tonë, duke iu referuar parashikimeve në buxhetin fillestar dhe realizimit faktik për këtë zë .


Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Për vitin 2013, pavarësisht përpjekjeve për finalizimin e disa privatizimeve strategjike, janë parashikuar vetëm 500 milionë lekë të ardhura nga ky proces. Kjo flet për një maturi në procesin e hartimit të buxhetit, duke u përpjekur që shpenzimet e parashikuara në buxhet si dhe treguesit e borxhit të jenë brenda nivelit të të ardhurave të siguruara nga një rrjedhë normale e funksionimit të financave publike.

 Megjithatë, nga ana tjetër, mos përfshirja e të ardhurave nga privatizimi në Buxhetin e prezantuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend si dhe shtesa në nenin 9 të ligjit “Për Buxhetin e vitit 2013” , në bazë të të cilit të ardhurat nga privatizimi mbi shumën e parashikuar në buxhet përdoren me Vendim të Këshillit të Ministriave, bën që të gjitha të ardhurat e siguruara mbi nivelin e buxhetuar, të mos diskutohen fare në Kuvend, i cili përbën edhe hallkën përfundimtare që vulos gjetjen e burimeve financiare dhe përdorimin e tyre.

Sikurse duket edhe nga grafiku në vijim, viti 2012 është viti me nivelin më të lartë të të ardhurave faktike  nga privatizimi për periudhën e marrë në shqyrtim. Nga 300 milionë lekë të parashikuara, ato arritën në 880 milionë lekë apo rreth 3 herë më shumë. Ndërkohë, vitet 2010 dhe 2011 shënojnë nivele relativisht të ulta të të ardhurave nga privatizmi, përkatësisht 411 milionë lekë dhe 438 milionë lekë. Megjithatë, duhet theksuar se këto shifra janë gjithsesi më të larta se sa nivelet e parashikuara në buxhetin në fillim të vitit.

Në total, të ardhurat nga privatizimi për vitet 2010-2012 kanë rezultuar 1 737 milionë lekë, duke bërë që rreth 99% e deficitit të kësaj periudhe të financohet me borxh të brendshëm apo të jashtëm. Krahasuar me vitet e mëparshme, sidomos me vitet 2000-2001 apo 2004-2009, periudha gjatë të cilave të ardhurat nga privatizmet shkuan gjithsej në rreth 67 miliardë lekë, të ardhurat për vitet 2010-2012 paraqiten vërtet modeste. Kjo vjen kryesisht për dy arsye. Së pari, pjesa më e madhe e sektorëve strategjike tashëm është privatizuar dhe së dyti, nga dështimet në privatizimet e mëdha të parashikuara, si rasti i kompanisë Albpetrol.


Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Nëse doni të lexoni më shumë mbi “Të ardhurat nga privatizimi për vitet 1993-2010” mund t’i referoheni artikullit në vijim:

 http://open.data.al/sq/lajme/lajm/lang/sq/id/146/Privatizimet-ne-Shqiperi-1993-2010-nepermjet-shifrave

Ligji nr 119/2012:

http://www.minfin.gov.al/previewdoc.php?file_id=4445

Të dhënat për vitin 2012 i referohen raportimit 11 mujor për “Treguesit fiskal sipas Buxhetit të Konsoliduar” nga Ministria e Financave

Të dhënat faktike për të Ardhurat nga Privatizimet për vitet 2010-2012 janë marrë nga “Treguesit fiskalë sipas Buxhetit të Konsoliduar”:

http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/treguesit_fiskal_14_12_m_2010_23_05_2011_2228_1.pdf
http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/12_2011_treg_fiskalk_6_dt_28_05_2012xls_3445_1.pdf
http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/printimi_5_4312_1.pdf

Kontribuoi: Blerta Zilja