Open Data Albania ka realizuar një hulumtim mbi popullsinë në territorin e shtetit shqiptar. Të dhënat datojnë nga shekulli XIX përkatësisht viti 1870, vit për të cilin deklarohet treguesi statistikor më i hershëm, për të vijuar deri në vitin 2011 me realizimin e censusit të fundit zyrtar në Republikën e Shqipërisë.
Të dhënat mbi popullsinë 1870 – 2011 bazohen në vlerësime të Angus Maddison 1926 – 2010, një historian ekonomie i njohur për grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave historike mbi popullsinë dhe ekonominë; në vjetarë statistikorë të Ministrisë së Brendshme dhe të Komisionit të Planit të Shtetit; si dhe në publikime të Institutit të Statistikave.
Me popullsi do të kuptojmë numrin e banorëve me banim të përhershëm në territorin e shtetit shqiptar në kohën kur është kryer censusi. Densiteti është numri i popullsisë pjesëtuar për sipërfaqen në kilometra katrorë. Sipërfaqja e Shqipërisë në vitet 30 vlerësohej në 27 538 kilometra katrore. Me matjet e reja të kryera më vonë rezultoi se sipërfaqja është 28 748 kilometra katrore.
Për efekt të llogaritjes së densitetit të popullsisë, në këtë rast është marrë matja e sotme, edhe për densitetin e viteve 30. Rritja mesatare vjetore e popullsisë është diferenca mes logaritmit të vitit të fundit me logaritmin e vitit të parë pjesëtuar për numrin e viteve.
Territor i shteti shqiptar është konsideruar territori i shtetit aktual Republika e Shqipërisë.
Besueshmëria e të dhënave
Agnus Maddison është një historian ekonomike i mirënjohur për krijimin e serive kohore të vlefshme për krahasim në hapësirë dhe kohë. Të dhënave të tij u referohen shumë ekonomistë të zhvillimit, si një burim unik të dhënash të vlefshme për krahasimin në periudha të gjata kohore të shteteve të ndryshme, sipërfaqja e të cilave ka ndryshuar me kalimin e kohës. Të dhënat për popullsinë dhe ekonominë në shtetin shqiptar për periudhën 1870-1913, janë marrë nga databaza e Maddison si burimi i vetëm i informacionit. Vlerësimet e tij janë bazuar edhe hulumtime të regjistrave të Perandorisë Otomane.
Ndërkohë, regjistri civil, filloi të krijohet pas Kongresit të Lushnjës më 1921. Qeveria krijoi një sistem administrativ kombëtar për të regjistruar “ndodhina amzore” , ku shënoheshin lindjet, vdekjet, martesat, divorcet dhe shpërnguljet. Në ato kohë, personat përgjegjës për raportimet e këtyre ngjarjeve, ishin subjekt i një takse, gjë që qe një nga faktorët e mosraportimeve.
Censusi i parë tërësor u realizua në vitin 1923. Teki Selenica, ishte një punonjës me titullin inspektor i Ministrisë së Brendshme. Ai hartoi dhe publikoi disa libra shumë të çmuara me të dhëna qoftë statistikore, qoftë historike gjatë viteve ´30. Raportimet e tij përmbajnë të dhëna të detajuara për Shqipërinë, përfshirë të dhëna socio-ekonomike, demografike, të dhëna mbi funksionimin e shtetit dhe të dhëna mbi kriminologjinë.
Ai e raportoi popullatën e vitit 1923 prej 814,380 vetash. Selenica mendonte se në fakt censusi i vitit 1923 kishte lënë pa regjistruar një numër të konsiderueshëm banorësh dhe argumenton se popullsia duhet të ketë qenë më e madhe. Densiteti i popullsisë më 1923 rezulton të ketë qenë 28.4 banorë për kilometër katror.
Në censusin e vitit 1930 organizuar nga qeveria e Mbretërisë Shqiptare, popullsia rezultoi 1 003 097 banorë, me rritje mesatare vjetore prej 2.9 për qind në vit për periudhën shtatëvjeçare 1923-1930. Kjo mund të konsiderohet si shumë e lartë për kohën dhe ka gjasa që reflekton pasaktësitë e censusit të vitit 1923. Të dhënat e vitit 1938 pasqyrojnë mesataren vjetore të llogaritur mbi të dhënat e regjistrit civil (jo census). Për vitin 1942, autoritetet e Italisë fashiste e raportojnë popullatën e Shqipërisë 1 128 143 vetë shifër gjithashtu e vlerësuar nga regjistrat.
Burime: Groningen Growth and Development Center http://www.rug.nl/research/ggdc/databases Accessed on 14 January 2013
T. Selenica Shqipria më 1927, L’albanie en 1927 Tiranë, Shtypshkonja “Tirana” 1928
Republika Popullore e Shqipërisë, Drejtoria e Statistikës Vjetari Statistikor i R.P.SH 1965.
Orjan Sjoberg Rural Change and Development in Albania Westview Press 1991, Oxford
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, Komisioni i Planit të Shtetit, Drejtoria e Statistikës. Vjetari Statistikor i Vitit 1986 Tiranë, 1986
Përpunimi dhe komentet: ODA
Në censusin e kryer më 30 shtator 1945 nga qeveria e dalë nga lufta, popullata u raportua 1,12 milionë banorë dhe norma e rritjes në krahasim me vitin 1930, rezulton një rritje mesatare vjetore prej 0.75 për qind. Popullata filloi të rritet me shpejtësi në vitet 1950 dhe ritmi i rritjes shënoi kulmin gjatë pesëvjeçarit 1955-1960, me mesatare prej 3.1 për qind në vit, një nga më të lartat në botë. Rritmi i rritjes së popullsisë nga censusi në census rezulton i ngadalësuar në dekadat e mëvonshme, duke shënuar ritmin vjetor prej 2.11 për qind në dekadën 1979-1989.
Burime: Groningen Growth and Development Center http://www.rug.nl/research/ggdc/databases Accessed on 14 January 2013
T. Selenica Shqipria më 1927, L’albanie en 1927 Tiranë, Shtypshkonja “Tirana” 1928
Republika Popullore e Shqipërisë, Drejtoria e Statistikës Vjetari Statistikor i R.P.SH 1965.
Orjan Sjoberg Rural Change and Development in Albania Westview Press 1991, Oxford
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, Komisioni i Planit të Shtetit, Drejtoria e Statistikës. Vjetari Statistikor i Vitit 1986 Tiranë, 1986
Përpunimi dhe komentet: ODA
Shqipëria rezulton ta ketë arritur kulmin historik sa i përket numrit të popullsisë më 1991, pas së cilit popullata erdhi në rënie si pasojë e emigrimit masiv. Gjatë dekadës së parë pas rënies së komunizmit, popullata u reduktua me 0.35 për qind në vit, ndërsa në dekadën e dytë, 2001-2011, ritmi i rënies u përshpejtua në 0.92 për qind në vit. Në total, gjatë njëzetedy viteve të fundit, popullata ka rënë me 0.6 për qind në vit. Në rast se tendenca me rënie 0.9 për qind në vit, siç ka qenë në periudhën 2001-2011 vijon, në fund të kësaj dekade, popullata e Shqipërisë do të jetë rreth 2.5 milionë banorë.
Burime: Groningen Growth and Development Center http://www.rug.nl/research/ggdc/databases Accessed on 14 January 2013
T. Selenica Shqipria më 1927, L’albanie en 1927 Tiranë, Shtypshkonja “Tirana” 1928
Republika Popullore e Shqipërisë, Drejtoria e Statistikës Vjetari Statistikor i R.P.SH 1965.
Orjan Sjoberg Rural Change and Development in Albania Westview Press 1991, Oxford
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, Komisioni i Planit të Shtetit, Drejtoria e Statistikës. Vjetari Statistikor i Vitit 1986 Tiranë, 1986
Përpunimi dhe komentet: ODA
Fakte kryesore
Popullsia e Shqipërisë njohu rritjen më të shpejtë në periudhën 1945-1972, gjatë së cilës u dyfishua brenda 22 vjetësh.
Numri më i madh i popullsisë banuese në Shqipëri rezulton në vitin 1991 me rreth 3.2 milionë banorë.
Popullsia në vitin 2011 qe 2.8 milionë banorë, më e ulëta e shënuar që nga viti 1983.
Gjatë periudhës 1923-1989 popullata banuese është rritur me 2.9 herë, ose 290 për qind.
Gjatë periudhës 1989-2011, popullata ka rënë me 12.5 për qind.
Në Shqipëri janë realizuar deri më sot 11 censuse.
Bibliografia
Groningen Growth and Development Center http://www.rug.nl/research/ggdc/databases Accessed on 14 January 2013
T. Selenica Shqipria më 1927, L’albanie en 1927 Tiranë, Shtypshkonja “Tirana” 1928
Republika Popullore e Shqipërisë, Drejtoria e Statistikës Vjetari Statistikor i R.P.SH 1965.
Orjan Sjoberg Rural Change and Development in Albania Westview Press 1991, Oxford
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, Komisioni i Planit të Shtetit, Drejtoria e Statistikës. Vjetari Statistikor i Vitit 1986 Tiranë, 1986
Komente dhe Analiza: Open Data AlbaniaKontribuoi: Aranita Brahaj