Eurobondi po shënon interesin më të ulët me vetëm 5.3 për qind që nga momenti i emetimit në vitin 2010. Sipas një analize që ka bërë Open Data Albania, pas dhjetorit 2011, yield-i ka rënë duke arritur normën më të ulët (5.37%) gjatë shkurtit të vitit 2013. 
Ulja nuk ka ardhur për arsye të përmirësimit të kushteve të ekonomisë shqiptare, por për shkak të optimizmit të përgjithshëm në treg për borxhin qeveritar me norma të larta interesi. Kjo ka përmirësuar performancën e Eurobondit shqiptar dhe aktualisht qeveria shqiptare do kishte një kosto më të ulët riemetimi borxhi, krahasuar me emetimin fillestar.
Republika e Shqipërisë emetoi Eurobond-in e saj të parë në tregjet ndërkombëtare financiare më 4 Nëntor 2010. Eurobond-i është një obligacion, pra një titull financiar me afat maturimi më shumë se një vit, i emetuar dhe tregtuar në tregjet ndërkombëtare financiare, pra jashtë kufijve të vendit që e emeton atë. Në momentin e emetimit, yield-i (norma e interesit) ishte 7.625%. 
Duke analizuar e ecurisë e interesit që prej nëntorit 2010, vihet re se është rritur në mënyrë të ndjeshme në periudhën shtator-dhjetor 2011, gjatë pikut të krizës qeveritare në Eurozonë dhe uljes së kërkesës për borxhin e qeverive më pak të sigurta dhe me renditje të ulët. Norma e interesit gjatë kësaj periudhe arriti maksimumin prej 11.975%.