Borxhi publik në Shqipëri në shtatë vitet e fundit është rritur me 359. 9 miliardë lekë. Në tre vitet e fundit qeveria ka mbështetur, jo vetëm investimet, por edhe një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve mbi borxhe. Në vitin 2012 borxhi publik arrit në 827,9 miliardë lekë, ose rreth 61 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shkelë është kufirin ligjor të miratuar nga vetë qeveria.

Shifrat janë bërë publike nga Ministria e Financave, ndërkohë që ekspertët dhe organet financiare botërore japin alarmin për rrezikun e borxhit. 2013 do të rëndojë më tej detyrimet e shqiptarëve për shkak të borxheve të qeverisë.

Në vitin 2013, stoku i borxhit është parashikuar të shkojë në rreth 895.7 miliardë lekë. Borxhi për frymë në 2013-n do të jetë rreth 314.271 lekë apo rreth 9.8% më shumë se në 2012-n. Në këto kushte, një familje shqiptare mesatare prej 4 personash, për vitin 2013 mbart një borxh prej 1 257 084 lekë.

Por ndërkohë, nuk duhet harruar se jo e gjithë popullsia kontribuon me taksa dhe tatime në buxhetin e shtet. Kjo do të thotë se “borxhi për taksapagues” apo persona që realisht do e shlyejnë atë është akoma më i lartë. Në një studim të Open Data Albania “borxhi për frymë” ka përjetuar një rritje me ritme jo të ngadalta. Rritjen më të madhe e ka pasur në vitin 2011, krahasuar me vitin 2010, me rreth 22.27%.

Duhet theksuar se kjo rritje e madhe ka ardhur kryesisht nga ulja e numrit të popullsisë së raportuar nga INSTAT me rezultatet e Censusit për vitin 2011, nga e cila rezultonte një popullsi 11.27% më e vogël se sa në vitin 2010. Megjithatë, edhe rritja e stokut të borxhit me 57.2 miliardë lekë apo 8% më shumë, dha ndikimin e tij në arritjen nivelit të borxhit për frymë nga 223 949 lekë në vitin 2010, në 273 831 lekë në vitin 2011. Ky ka qenë viti i vetëm, në të cilin rritja e “borxhit për frymë” shpjegohet kryesisht nga variabli popullsi, pasi për vitet në vijim, stoku i borxhit është faktori mbizotërues.

Në vitin 2012, borxhi për frymë mendohet të jetë rreth 287 648 lekë, referuar kjo parashikimeve të bëra nga Ministria e Financave që në 1 Gusht, 2012 , për nivelin e pritshëm të stokut të borxhit deri në fund të vitit. Në fakt, ka pak gjasa që borxhi për frymë të qëndrojë në këtë nivel, pasi që në 30 Shtator, 2012, Ministria e Financave raporton një stok borxhi 9-mujor prej 814 miliardë lekësh, që është afërsisht 99.79% e stokut të borxhit që duhej të rezultonte deri në fund të vitit. Borxhi llogaritet si raport i borxhit total publik të emërtuar dhe ende të pashlyer me popullsinë në një vit të caktuar dhe është një ndër elementët kryesor që përcakton riskun dhe normën e interesit të letrave me vlerë.

Bilanci

Bie kreditimi në valutë

Kredia në valutë ka shënuar rënie në dy muajt e parë të vitit. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë konfirmojnë se kredia në lekë në dy muajt e parë të vitit kishte vlerën e 11.8 miliardë lekëve, me një rënie prej 15% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë Kredia në euro ishte 104.7 milionë euro, me një rënie 9.5% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë në dy muajt e parë të vitit 12 milionë dollarë, janë marrë kredi duke shënuar një rënie me 85% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Shifrat tregojnë përditë e më shumë ngërçin që ka prekur kreditimin e ekonomisë dhe nevojën për instrumente nxitëse.

Paketa e miratuar nga Banka e Shqipërisë në fund të muajit Mars është një element që pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm, veçanërisht në krahun e ofertës për kredi. Pak ditë më parë Banka e Shqipërisë miratori një rregullore ku uli kërkesën për kapital në rast të rritjes së kredisë në vend me të paktën 4%, ndihmon ndjeshëm ato banka që mund të kenë pasur një nivel të mjaftueshmërisë së kapitalit.