Nëse nga njëra anë qeveria propagandon për rritje të numrit të të punësuarve, statistikat zyrtare të vetë institucioneve qeveritare tregojnë qartë se numri i punonjësve në 3 vitet e fundit është tkurrur ndjeshëm. Kështu një studim i fundit i ODA (Open Data Albania) bazuar mbi të dhëna të Ministrisë së Financave thekson se numri i punonjësve buxhetor është tkurrur ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit, kryesisht në Ministrinë e Ekonomisë; Bujqësisë apo Transporteve.

Tkurrja e punësimit

Kështu në vitin 2011 në institucione buxhetore punonin tetëdhjetë e nëntëmijë e treqind e gjashtëdhjetë punonjës (89 360). Ndërsa në vitin 2013 nëpunës buxhetor janë njëmijë e gjashtëqind e pesëdhjetë (1650) më pak me vlerë totale prej tetëdhjetë e shtatëmijë e shtatëqind e dhjetë punonjës (87 710).

Institucionet

Tre institucionet që kanë më shumë të punësuar për vitin 2013 janë: Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes. Ministria e Arsimit ka numrin më të madh të punonjësve (44.3% të totalit) sepse aty përfshihen gjithë stafet pedagogjike në shkallë vendi për të gjitha ciklet, ndërsa tek Ministria e Brendshme përfshihen gjithë efektivët e policisë. Institucioni me më pak të punësuar është Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit me 6 anëtarë ose 0.007 % të totalit. Kjo shifër ka ngelur konstante për të 3 vitet.

Krahasimi

Po të krahasojmë vlerat në vitin 2012 dhe 2013, do të shohim se ka tkurrje të punonjësve te Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Mjedisit Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave si dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror. Ndërkohë, shtesë të stafit ka te Ministria e Financave, Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve si dhe Ministria e Shëndetësisë. Edhe institucione të tjera të pavarura si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor si dhe Instituti i Statistikave kanë pësuar rritje të punonjësve nga viti 2012 në vitin 2013.

250
mijë vende pune ka premtuar qeveria nëse fiton edhe mandatin e ardhshëm në zgjedhjet e 23 qershorit, ndërkohë që pretendon se ka punësuar 58 mijë vetë vetëm gjatë vitit të fundit, falë projekteve infrastrukturore.

300
mijë vende punë ka premtuar opozita në 4 vitet e ardhshme, ndërsa thekson se aktualisht Shqipëria ka 1 milion të papunë dhe se nga politikat e qeverisë për punësimin janë punësuar vetëm 719 vetë.

1650
vende pune ka shkurtuar qeveria në 3 vitet e fundit. Të dhënat bazohet në statistika të Ministrisë së Financave.