Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi eksportin sipas kontinentit destinacion dhe dinamikën e tij për periudhën 1993-2012. Eksporti është transportimi i të mirave ose materialeve nga vendi prodhues tek konsumatorët e huaj në shtetin pritës.

Kontinenti në të cilin vendi ynë, në vitin 2012, ka eksportuar më shumë është Europa me 94.76% të eksporteve. Pjesa tjetër prej 5.24% ndahet mes kontinenteve të tjera, përkatësisht Azia 3.62%, Afrika 0.78%, Amerika 0.58%, kontinenti i largët i Australi – Oqeanisë 0.01% dhe 0.25% i mbetur vendet e tjera.

Europa, si kontinenti me të cilin Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë marrëdhënie më të theksuara tregtie, ka pasur një prirje rritëse ndër vite. Në periudhën njëzetë vjecare 1993-2012 eksportet me vendet e Europës janë rritur nga 11 413 000 000 lekë (njëmbëdhjetë miliardë e katërqind e trembëdhjetë milionë lekë) në 201 841 000 000 lekë (dyqind e një miliardë e tetëqind e dyzetë e një milionë lekë).

Produktet që janë tregtuar në këto vende janë të kategorive të ndryshme.  Grupi i produkteve “ushqime, pije dhe duhan” zë grupin kryesor të eksporteve me shtetet e Europës. Shtetet drejt të cilave eksportohen këto produkte janë: Austri, Bosnie Hercegovinë, Belgjikë, Bullgari, Zvicër, Ceki, Qipro, Gjermani, Danimarkë, Spanjë, Francë, Britani e Madhe, Greqi, Kroaci, Hungari, Itali, Letoni, Mali i Zi, Maqedoni, Hollandë, Poloni, Rumani, Rusi, Sloveni, Slovaki, Turqi, Kosovë dhe Serbi. Grupet e tjera të produkteve që eksportohen janë “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, “produkte kimike dhe plastike”, “lëkurë dhe artikuj lëkure”. “prodhime druri dhe letre”,”tekstile dhe këpucë”, “materiale ndërtimi dhe metale”, “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”.

Paraqitet interesant eksporti i 2-3 viteve të fundit të materialeve të ndërtimit dhe metaleve në Hungari dhe Armeni dhe eksporti i makinerive, pajisjeve të ndërtimit dhe pjesëve të këmbimit në Norvegji dhe Portugali gjë që nuk ka ekzistuar në vitet e mëparshme.


Burimi: Banka e Shqiperise
Komentet dhe analiza: ODA

Afrika zë vendin e dytë për nga kontinenti destinacion i eksporteve të Shqipërisë. Ecuria e këtyre eksporteve paraqitet gati konstante dhe e papërfillshme në vitet 1993-2008 dhe pëson një rritje të ndjeshme në vitin pasues. Nga viti 1993 deri ne vitin 2012 eksportet me vendet e kontinentit Afrikan janë rritur nga 0 milionë lekë në 1 668 000 000 lekë (një miliardë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë milionë lekë). Kjo rritje vjen si pasojë e shfaqjes së eksporteve të materialeve të ndërtimit dhe metaleve në Egjypt dhe eksporteve të makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit në Afrikën e Jugut.


Burimi: Banka e Shqiperise
Komentet dhe analiza: ODA

Amerika, nga ana tjetër paraqitet interesante me ulje – ngritjet e saj. Në vitin 1993 vlera e eksporteve me vendet e Amerikës shënonte 522 milionë lekë, për t’u rritur në 1 513 000 000 lekë (një miliardë e pesëqind e trembëdhjetë milionë lekë) në vitin 1994. Situata në periudhën 1994-2008 paraqitet thuajse konstante me ulje – ngritje të vazhdueshme po me vlera më të vogla.

Në vitet 2008-2010 eksportet kanë shënuar rritjen më të madhe nga 451 milionë lekë në  2 755 000 000 lekë (dy miliardë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë milionë lekë). Kjo rritje ka ardhur si rezultat i shfaqjes së tregtisë së jashtme me Argjentinën ku Shqipëria eksporton materiale ndërtimi dhe metale. Nga ana tjetër, gjatë gjithë harkut kohor 1993-2012 Shqipëria ka esportuar ushqim, pije, duhan, minerale, lëndë djegëse, energji elektrike tekstile dhe këpucë drejt Kanadasë.


Burimi: Banka e Shqiperise
Komentet dhe analiza: ODA

Azia, në një situatë të ngjashme me Afrikën ka shënuar vlerën më të lartë të eksporteve nga Shqipëria në vitin 2010 prej 10 546 000 000 lekë (dhjetë miliardë e pesëqind e dyzetë e gjashtë milionë lekë). Kjo rritje e viteve të fundit ka ardhur si rrjedhojë e eksporteve të munguara të materialeve të ndërtimit dhe metaleve me Japoninë, Jordaninë, Indinë, Izraelin, Indonezinë, Kilin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në vitet e mëparshme dhe qe shfaqet në periudhën 2009-2012.


Burimi: Banka e Shqiperise
Komentet dhe analiza: ODA

Kontinenti i largët i Australi – Oqeanisë paraqet interes në vitin 1996 ku eksportet arrijnë pikun e tyre prej 36 milionë lekë. Grupet e mallrave që eksportohen më shumë drejt këtij kontinenti janë: Materiale ndërtimi dhe metale kryesisht dy vitet e fundit; Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi në vitin 2012; Ushqim, pije dhe duhan në vitet 2007 dhe 2009; Tekstile dhe këpucë në vlera më të vogla, por në shtrirje më të gjatë kohore.


Burimi: Banka e Shqiperise
Komentet dhe analiza: ODA


Burimi: Banka e Shqiperise,  INSTAT
Komentet dhe analiza: ODA

Kontribuoi: Griselda Rruci