Donatorët e partive politike në fushatë mund të jenë persona fizikë dhe juridikë. Në çdo rast, donatorët duhet të jenë vendas dhe nuk lejohet pranimi i donacioneve nga shtetas apo subjekte të huaja. Donatorët nuk mund të dhurojnë më shumë se 1 milion lekë. Gjithashtu donatorët ndahen në dy kategori sipas vlerës së dhuruar. Kategoria e donatorëve për vlera mbi 100 000 lekë është një kategori e cila ka cilësime ligjore të veçanta. Këta donatorë nënshkruajnë një marrëveshje ku përjashtohen mundësitë për përfitime nga asete dhe fonde publike.

Subjektet zgjedhore kanë detyrim të mbledhin donacione për vlera të tilla vetëm nëpërmjet llogarive bankare të caktuara. Për efekt transparence, numri i llogarisë është i publikuar jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës. Lista e donatorëve sipas një regjistri të posaçëm, gjithashtu është e detyrueshme për akses të gjerë për publikun. Megjithëse nuk ka afate të përcaktuara në formë kalendarike, Kodi Zgjedhor i jep akses të përforcuar këtij lloj informacioni duke përdorur përcaktimin “kurdoherë publike” (neni 90, Regjistrimi i Fondeve Jopublike).

Open Data Albania” ka zbardhur listën tërësore të donatorëve për vlera më të mëdha se 100 000 lekë në fushatën zgjedhore 2011. Kjo listë ka 34 donatorë, nga të cilët 29 janë individë dhe 5 persona juridikë si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, shoqëri anonime dhe fondacion.

Ndërkohë donatorë në vlerën maksimale sipas limitit të lejuar me ligj janë katër dhe secili përkon me donacione në favor të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Nga lista e publikuar bie në sy mungesa e deklarimeve të donatorëve nga PD-ja, e cila nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Open Data për zbardhjen e emrave dhe firmave private.

Partitë parlamentare deklarojnë zyrtarisht se kanë mbledhur në total shumën prej 332 849 888 lekësh si mbështetje për fushatën zgjedhore.

Fondet më të mëdha grumbullohen dhe shpenzohen nga partitë parlamentare, të cilat kanë fituar dhe zotërojnë të paktën një deputet në Kuvend nga zgjedhjet pararendëse. Këto parti kanë 98% të totalit të fondeve të përfituara. Ndërkohë partitë joparlamentare kanë grumbulluar 1 për qind të totalit që shënon vlerën 2738750 lekë. Subjektet kandidat të pavarur në zgjedhjet për organe të qeverisjes vendore 2011 janë në total 94 kandidatë. Sipas raporteve kontabël të hartuara prej tyre, ata kanë siguruar një fond në total prej 2267920 lekësh, që përbën 1 për qind të totalit të fondeve të përfituara në fushatën 2011.