Dëmi ekonomik në sektorin e doganave është renditur ndër vite si një ndër katër sektorët me dëmin ekonomik më të lartë të shkaktuar ndaj Buxhetit të Shtetit. Ai vjen si pasojë e shmangies ndaj detyrimeve doganore dhe llogaritje e gabuar e tarifave, shkelje të procedurave në zhdoganimin e mallrave, ulje të vlerave të gjobave pa bazë ligjore, etj. Open Data Albania ka marrë në shyrtim raportimin e këtij dëmi nga procesi i auditimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitet 2008-2012.

 


Burimi : Kontrolli Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Viti 2008 shënon vlerën më të lartë të dëmit ekonomik të evidentuar në sektorin e doganave. Me një vlerë absolute rreth 694.6 milionë lekë, dëmi i këtij sektori renditej i treti pasi dëmit në tatim-taksa dhe prokurime. Nga subjektet e audituara, Drejtoria Doganore në Tiranë (rreth 349.8 milionë lekë ) dhe Vlorë (254.6 milionë lekë) përbënin gati 87% të dëmit total në këtë sektor. Viti 2009 paraqitet me një rënie gati 56% të dëmit ekonomik në dogana krahasuar me një vit më parë, duke bërë që edhe pesha ndaj dëmit total të binte nga 17.2% në 2008-n, në 4.11% në 2009-n.

Në 2010-n, vihet re një rritje e lehtë e dëmit të evidentuar, i cili në masën më të madhe është shkaktuar nga Dega Doganore Durrës (rreth 68%). Pas këtij viti vihet re një tendencë në rënie e dëmit ekonomik në sektorin doganor, e ardhur kryesisht si pasojë e heqjes së tarifave doganore, kryerja e veprimeve online dhe kalimit të tyre në serverin qëndror, bashkërendimit të veprimeve më doganat homologe dhe rënies së cmimeve të referencës me vendet e BE-së.

Kështu, në vitin 2011, dëmi i evidentuar ishte sa 26% e dëmit në 2008-n, i shkaktuar sërisht në masën më të madhe nga Dega Doganore Durrës, ndërsa në 2012-n, ky dëm shënoi vlerën minimale të periudhës së marrë në shqyrtim, 62 milionë lekë, më pak se 10% e dëmit në 2008-n.

Grafiku në vijim paraqet peshën e dëmit në këtë sektor kundrejt dëmit total ekonomik, Shpenzimeve Totale të Buxhetit dhe PBB-së.


Burimi : Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Financave, Këshilli i Ministrave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Peshën kryesore në dëmin e sektorit doganor e zënë detyrimet doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve dhe pas tij renditet në pjesën më të madhe të viteve detyrimet doganore për subjekte që operojnë me autorizim për regjimin e përpunimit aktiv. Grafiku i mëposhtëm paraqet përbërjen e dëmit doganor dhe peshën e secilit prej tyre kundrejt dëmit total në këtë sektor.


Burimi : Kontrolli Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

 

  1. Të dhënat mbi dëmin ekonomik për vitet 2008-2012 janë marrë nga Raporti Vjetor i KLSH për secilin vit përkatës.
  2. Të dhënat për Shpenzimet Totale të Buxhetit të Shtetit janë marrë në Buletinin Fiskal për 4 –mujorin e fundit për secilin vit.
  3. Të dhënat e PBB-së i referohen VKM nr. 1, datë 23/1/2013 “Për miratimin e kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2014-2016”.
Kontribuoi: Blerta Zilja