Zhduken shpenzimet për periudhën shkurt–qershor 2013, ato të korrikut janë të palexueshme

Ministria e Financave ka fshirë nga faqja e vet e internetit të dhënat
për shpenzimet ditore të Thesarit të Shtetit të muajve para zgjedhjeve
të vitit 2013, si dhe të pjesës më të madhe të vitit të kaluar, pa dhënë
ndonjë njoftim paraprak apo arsye për këtë fshirje. Fshirja e të dhënave, ku paraqiten në mënyrë të detajuar shpenzimet për çdo faturë shtetërore, nga punët e mëdha publike deri te faturat e dritave apo të ujit, u vu re nga ekspertët e projektit “Open Data Albania”, një projekt i monitorimit dhe raportimit statistikor që synon rritjen e transparencës publike.

“Aktualisht, në javën e parë të shtatorit janë hequr dhe censuruar nga faqja zyrtare të dhëna të muajve shkurt, mars, prill, maj dhe qershor 2013. Këta katër muaj të vitit 2013 kanë rëndësi të veçantë, pasi janë muaj të një viti të fundqeverisjes tetëvjeçare të së djathtës e po kështu janë muaj të një viti elektoral. Gjithashtu të dhënat për muajt qershor dhe korrik janë hedhur në format defektoz dhe të pakonvertueshëm”, bëri të ditur “Open Data”.

Ministria e Financave njoftoi në qershor të këtij viti se do të ndërpriste publikimin e të dhënave ditore të shpenzimeve, sepse programi i ekzekutimit automatik të Thesarit, një program kompjuterik, do t’i nënshtrohej procedurës së përditësimit. Por, megjithëse kanë kaluar muaj që nga fillimi i “përditësimit”, shpenzimet e qeverisë vijojnë të mos përditësohen. Për më tepër, edhe një pjesë e dokumenteve të pak ditëve të korrikut, janë hedhur në format excel të korruptuara, pra janë të palexueshme.

Publikimi i shpenzimeve ditore të buxhetit ishte një nismë për nxitjen e transparencës. Por kjo transparencë duket bezdisëse sa u përket muajve zgjedhorë, kur shpenzimet e qeverisë shënuan maksimumin. Dy ditë para zgjedhjeve p.sh., qeveria lëvroi disa miliona dollarë me një veprim të vetëm në kuadër të “subvencionimeve të bujqësisë”, një keqpërdorim i mundshëm i fondeve publike në kuadër të fushatës zgjedhore të qeverisë në ikje.

“Heqja e të dhënave për këta katër muaj dhe publikimi defektoz i të dhënave në vijimësi, dëshmon një rast shpërdorimi detyre, apo në rastin më negativ, një fenomen që dëshmon se për këtë periudhë qeverisëse shtetarët përkatës kanë vështirësi të përballen me publikun”, bën të ditur Aranita Brahaj nga projekti “Open Data Albania”.