Denoncohet rasti i censurës së statistikave zyrtare nga ana e ministrisë së Financave. Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, ka deklaruar dje se qeveria shqiptare është e detyruar me ligj dhe udhëzime përkatëse të bëjë transparent, përballë qytetarit shqiptar, çdo detaj të mënyrës se si shpenzohen paratë e taksapaguesve apo asetet publike monetare.

Aktualisht, në javën e parë të shtatorit, janë hequr dhe censuruar nga faqja zyrtare e ministrisë në internet të dhëna të muajve shkurt, mars, prill dhe maj 2013. Këta katër muaj të vitit 2013 kanë rëndësi të veçantë pasi janë muaj të një viti të fundqeverisjes tetëvjeçare të së djathtës e po kështu janë muaj të një viti elektoral. Gjithashtu, thekson ajo, të dhënat për muajt qershor dhe korrik janë hedhur në format difektoz dhe të pa konvertueshëm.

Në kuadër të angazhimeve në partneritetin për Qeverisje të Hapura dhe Transparente OGP, shteti ynë është angazhuar për publikuar çdo ditë listën e pagesave ditore të Thesarit, dërguar për ekzekutim në Bankën e Shqipërisë. Kjo listë, veç datës, shumës, autoritetit urdhërues, përmban edhe identitetin e përfituesit, aktin ligjor ku bazohet transaksioni dhe përshkrime të tjera. Të dhënat e Thesarit bëhen publike edhe si rezultat i një projekti të kushtueshëm për zbatim të sistemit AMoFTS, si një sistem modern për procedimin e transaksioneve te qeverisjes se përgjithshme.

Sipas drejtueses së Open Data Albania, ky është një rast flagrant i censurës zyrtare, që cenon interesin e publikut për informim. Ky lloj censurimi përkon me një nga përgjegjësitë më të mëdha të qeverive që është përgjegjësia për të mirëqeverisur financat dhe asetet e publikut. Qytetarët shqiptar kanë të drejtë të informohen si shpenzohen paratë e tyre, ku shkojnë ato, a përdoren për interesa publik apo interesa politik, partiak e personal.

Po kështu çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të informohet se kush janë klientët (furnitorët) e institucioneve shtetërore e publike që përfitojnë nga paratë e taksapaguesve. Heqja e të dhënave për këta katër muaj dhe publikimi difektoz i të dhënave në vijimësi, dëshmon një rast shpërdorimi detyre apo – në rastin më negativ – një fenomen që dëshmon se, për këtë periudhë qeverisëse, shtetarët përkatës kanë vështirësi të përballen me publikun. – See more at: http://www.shqiptarja.com/home/1/financat-censur–shifrave-t–thesarit-bode-fshin-gjynahet-175680.html#sthash.SWOZyrp0.dpuf