Viti 2012 është karakterizuar nga dëmi më i lartë ekonomik i evidentuar ndër vite nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili është shoqëruar gjithashtu edhe me numrin më të lartë të kallzimeve penale të bëra nga ky institucion pranë Prokurorisë. Dëmi total i evidentuar për 2012-n arriti në rreth 13.5 miliardë lekë, ndërkohë që numri i kallzimeve penale u bë për 125 persona.

Pjesa më e madhe e dëmit ekonomik u shkaktua nga Albpetrol sh.a. për 9.19 miliardë lekë, ndërkohë që 12 persona janë cuar për ndjekje penale për shpërdorim detyre. Në vend të dytë, si shkaktari kryesor i dëmit për vitin 2012 renditet KESH sh.a. me rreth 2,5 miliardë lekë, të ardhura si pasojë e moslikujdimit të detyrimeve kontraktore ndaj saj (rreth 2.4 miliardë lekë) dhe dëm të fushën e prokurimeve për 54 milionë lekë. Të dyja këto shoqëri aksionere shpjegojnë rreth 85% të dëmit total.
 
Ndërkohë, ndër institucionet qëndrore e vendore që kanë shkaktuar dëmin më të lartë ekonomik për vitin 2012 mund të përmenden: Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, i cili është institucioni me dëmin më të lartë të evidentuar për vitin 2012 me 606.9 milionë lekë. Ky dëm është shkaktuar në sektorin e “shitjes dhe dhënies me qera të pasurisë publike”, në mënyrë më specifike, në sektorin e koncesioneve, i cili është shoqëruar edhe me kallzimin penal të 5 personave për shkelje të pabarazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Pas saj vjen Ministria e Brendshme me rreth 225.6 milionë lekë, dëm i cili është shkaktuar i gjithi në fushën e prokurimeve. Edhe ky kontroll ka përfunduar me kallzim penal për 4 persona, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës.

Autoriteti i Aviacionit Civil është institucioni që vijon, me 65 milionë lekë, 86.5% e së cilës i përket dëmit në shpenzime operative. Kontrollin në këtë institucion, KLSH e ka shoqëruar edhe me kallëzim penal ndaj 2 personave për shpërdorim detyre dhe për shkelje të pabarazisë së pjesëmarrësve në tendera. Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Tiranë për vitin 2012 është evidentuar me një dëm prej 60 milionë lekësh, për t’u ndjekur nga ALUIZNI Qendër Tiranë me 51 milionë lekë, për të cilin është bërë edhe kallzim penal për 4 persona. Drejtori të tjera të ALUIZNIT që kanë shënuar dëm të lartë ekonomik për vitin 2012 kanë qenë edhe Drejtoria ALUIZNI Vlorë me 35.4 milionë lekë, në të cilën është bërë kallzim penal për 2 persona, një ndër të ciliët për vetë Drejtorin e Drejtorisë Rajonale, si dhe ALUIZNI Rajonal Durrës me 31 milionë lekë, për të cilin janë kallzuar 12 persona për shpërdorim detyre.

Lista vijon me Universitetin “Eqrem Çabej”, të cilit i është përllogaritur një dëm prej 33.4 milionë lekësh, ku pjesa më e madhe është evidentuar në sektorin e pagave (rreth 94%).

Viti 2012 është karakterizuar nga një dëm i lartë ekonomik edhe në organet e pushtetit vendor. Kështu, renditja kryesohet nga Bashkia Sarandë me 70 milionë lekë, dëm i shkaktuar në pjesën më të madhe në fushën e urbanistikës me 55.4 milionë lekë e në fushën e prokurimeve për 12.7 milionë lekë. Gjithsej, KLSH ka bërë kallzim penal për 10 persona për këtë institucion, ndër të cilët renditen edhe Drejtori i Urbanistikës dhe Drejtori Ekonomik.

Pas saj vjen Bashkia Pogradec  me 46.4 milionë lekë, i vlerësuar në tre sektorë kryesorë: prokurime (20.7 milionë), urbanistikë (13.2 milionë) dhe shpenzime operative (12.1 milionë). Në fund të procesit të auditimit, KLSH ka kallzuar 8 persona pranë Prokurorisë, ku përfshihet vetë Kryetari i Bashkisë dhe 2 Zv.Kryetarët. Së fundmi renditet edhe Bashkia Korcë me 31 milionë lekë, ku peshën më të madhe (56%) e zë dëmi në fushën e prokurimeve, ndërkohë që 3 persona janë cuar për ndjekje penale. 

Grafiku në vijim paraqet institucionet, shoqëritë dhe projektet që kanë pasur dëmin më të lartë ekonomik për vitin 2012:

Burimi : Kontrolli i Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Ndërsa në formë tabelare, informacioni për vitin 2012 do të ishte si më poshtë:


Burimi : Kontrolli i Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: OD

Kontribuoi: Blerta Zilja