Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi raportin e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit kundrejt primeve të paguara sipas kategorisë së sigurimit. Raporti bazohet në të dhënat Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në fund të vitit 2012, vlera e dëmeve të paguara ishte 31% e primeve të mbledhura nga kompanitë e sigurimeve. Ritmi i rritjes së pagesës së dëmeve ka qenë shumë më i ulët se ritmi i rritjes së primeve.


Burimi:Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare           
Komentet dhe përpunimi: ODA

Megjithatë gjatë vitit 2012 është arritur edhe vlera maksimale e raportit të dëmeve të paguara kundrejt primeve të mbledhura në 8 vitet e fundit. Shoqëritë e sigurimeve paguan rreth 2.82 miliardë lekë dëme, ose rreth 26.71% më shumë se në vitin 2011. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimeve motorike me 2.13 miliardë lekë, apo 75.49% të totalit.


Burimi:Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare           
Komentet dhe përpunimi: ODA

Megjithatë tregu i sigurimeve vijon të jetë ende shumë problematik për shkak të konkurrencës së madhe në treg që shoqërohet me luhatje të shpeshta të çmimeve të primeve të sigurimeve.  Ligjet në fuqi përcaktojnë se tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik, që zë edhe peshën më të madhe të tregut në total,  është i liberalizuar dhe përcaktimi i primit të shitjes është detyrë e çdo shoqërie sigurimi. Në këto kushte, kompanitë operojnë me tarifa të ulëta me synimin për të ruajtur peshën e tyre në treg. Kjo pasqyrohet me çmime më të ulëta sesa primi i riskut dhe si pasojë edhe me një nivel të ulët të pagesës së dëmeve.

Sigurimi i jetës, i ofrohet individëve dhe në rast të vdekjes së tyre një individ tjetër i përcaktuar nga i siguruari përfiton një shumë sipas kontratës. Sigurimi i jo-jetës përfshin gjithë shërbimet e sigurimit të cilat nuk përfshihen në sigurimin e jetës (si sigurimi i pasurive të paluajtshme, sigurimi i shëndetit, i automjeteve etj).

Vlera të Primeve dhe Pagesave të Dëmit sigurimi te jetës dhe jo – jetës


Burimi:Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare           
Komentet dhe përpunimi: ODA

Në 2012, në tregun e sigurimit të jo-jetës, raporti i dëmeve të paguara kundrejt primeve të përfituara nga shoqëritë e sigurimeve ka qenë 32.9%. Kjo është llogaritur si raport i dëmeve të paguara (2.64 miliardë lekë) kundrejt primeve të përfituara (8.04 miliardë lekë). Dëmet e paguara i përkasin vitit 2012, por kontratat e sigurimit mund të jenë lidhur më parë, e për pasojë primet e paguara lidhur me këto kontrata mund t’i përkasin viteve të mëparshme.

Ndërkohë në tregun e sigurimit të jetës, raporti i dëmeve të paguara kundrejt primeve të përfituara nga shoqëritë e sigurimeve ka qenë më i ulët vetëm 17.98%. Kjo është llogaritur si raport i dëmeve të paguara (158 milionë lekë) kundrejt primeve të përfituara (880 milionë lekë). Edhe në këtë rast primet e paguara lidhur me këto kontrata mund t’i përkasin viteve të mëparshme.


Burimi:Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare           
Komentet dhe përpunimi: ODA

Tregu i sigurimeve është shumë i rëndësishëm sepse lejon kalimin e rreziqeve nga një palë tek një tjetër. Pra individët dhe bizneset që nuk duan të mbajnë rrezik, mund ta kalojnë atë tek një shoqëri sigurimi. Ky është një funksion thelbësor për funksionimin e mirë të një tregu ekonomik dhe financiar në një vend.