Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi cilësinë e kredive (huave) të sistemit bankar në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë për periudhën 2007-2013.  Kreditë klasifikohen si të këqija kur bankat kanë vështirësi në mbledhjen e tyre. Ato kategorizohen në disa mënyra në varësi të shkallës së problematikës që paraqesin:
• Kredi standarde quhen kreditë e rregullta, dhe që nuk kanë asnjë problematikë në afatin dhe shumën e shlyerjes;

• Kredi në ndjekje quhen kreditë që paraqesin shenjat e para të vonesave në shlyerje dhe janë nën mbikëqyrje nga ana e bankës, por që nuk janë klasifikuar ende si kredi problematike;

• Kredi nënstandarde quhen kreditë të cilat nuk klasifikohen si kredi standarde, për shkak të vonesave në shlyerjen e tyre dhe klasifikohen si kredi problematike;

• Kredi të dyshimta, quhen kreditë të cilat kanë vonesa të theksuara në shlyerjen e tyre, por banka ka akoma shpresë në mbledhjen e tyre dhe klasifikohen si kredi problematike;

• Kredi të humbura, quhen kreditë të cilat nuk mund të mblidhen më nga ana e bankës dhe klasifikohen si kredi problematike.

Grafikisht, pesha e kredive sipas kategorive të mësipërme ka ndryshuar si më poshtë (treguesit janë në bazë vjetore):


Burimi: Banka e Shqipërisë

Komentet dhe Analiza: ODA
Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, pesha e kredive problematike dhe atyre në ndjekje kundrejt totalit të kredive ka ardhur në rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Rritje të ndjeshme kanë pësuar kreditë e humbura, që krahasuar me vitin 2007 (0.81%), janë rritur mbi dhjetë herë në 9.23%. Kjo tregon që cilësia e kredive ka ardhur në ulje, dhe 9.23% e tyre nuk mund të rimerren më nga bankat, por ka qënë i nevojshëm zbatimi i kolateralit.

Totali i kredive problematike (ku janë përfshirë kreditë nënstandarde, kreditë e dyshimta dhe kreditë e humbura) kanë ndryshuar sipas grafikut:

Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA

Në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2013, totali i kredive problematike të sistemit bankar ishte 24.4%, të ndara në: kredi nënstandade (9.78%), kredi të dyshimta (5.38%) dhe kredi të humbura (9.23%).  Krahasuar me vitin 2007, këto shifra ishin: totali i kredive problematike të sistemit bankar ishte 3.31%, të ndara në: kredi nënstandade (1.71%), kredi të dyshimta (0.79%) dhe kredi të humbura (0.81%). Pra të gjitha kategoritë e kredive të këqija janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Nëse në 2007 rreth 92% e kredive të dhëna nga bankat klasifikoheshin si kredi standarde, tashmë vetëm 66% e kredive janë standarde.

Ritmi i rritjes së peshës së kredive problematike ndaj totalit të kredive, është shqetësues, pasi tregon rritjen e qartë të vështirësisë paguese të bizneseve dhe individëve, dhe rrit rrezikun e përgjithshëm të sistemit financiar.