Një nga llojet e masave që KLSH ka të drejtë të propozojë në fund të procesit të auditimit e që ndër të tjera synon rekuperimin e dëmit që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit, është ai i zhdëmtimit ekonomik. Open Data Albania ka marrë në shqyrtim nivelin e kthimit të dëmit ekonomik të konstatuar nga KLSH për vitet 2008-2012 nga personat përgjegjës të identifikuar gjatë akteve të kontrollit.

 


Burimi : Kontrolli Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Pavarësisht punës së KLSH-së në evidentimin e dëmit ekonomik të shkaktuar nga administrimi i fondeve dhe përmirësimit të saj sidomos në dy vitet e fundit, niveli i arkëtimit të dëmit të rekomanduar nga ky institucion përbën një nga më shqetësuesit e viteve të fundit. Që nga viti 2008, ai ka ardhur vazhdimisht në rënie, për të arritur minimumin në 2012-n. Ecuria e këtij treguesi jepet në grafikun e mëposhtëm:


Burimi : Kontrolli Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Trendi rënës i këtij treguesi lidhet ngushtësisht me shoqëritë e institucionet që kanë shkaktuar dëmin ekonomik. Kështu, shoqëritë Albpetrol dhe OST, të cilave së bashku, në vitin 2011 iu konstatuar një dëm prej 5.8 miliardë lekësh, janë në të njëjtën kohë përgjegjëse edhe për nivelin e ulët të arkëtimit të dëmit ekonomik. E njëjta situatë paraqitet edhe në vitin 2012, ku rreth 68% e dëmit i përket shoqërisë Albpetrol dhe  mosarkëtimi i saj kontribuon ndjeshëm në nivelin e ulët të këtij treguesi. Në këtë nivel ka ndikuar gjithashtu edhe mosarkëtimi total i dëmit të KESH sh.a. dhe arkëtimi i vetëm 30% i dëmit të konstatuar nga marrëdhëniet koncesionare në Ministrinë e Energjitikës, Tregtisë dhe Ekonomisë. Megjithatë, duhet theksuar se KLSH në raportin e saj të vitit 2012 (fq 25) e cilëson dëmin e shkaktuar nga Albpetrol “në proces arkëtimi”, përfundimi me sukses i të cilit do të përmirësonte në mënyrë të ndjeshme treguesin e arkëtimit të dëmit ekonomik.

Ajo që mund të thuhet në fund të kësaj analize, duke pasur parasysh edhe treguesit e zbatueshmërisë së masave organizative dhe administrative e disiplinore është se duhet rritur kapaciteti, këmbungulja dhe autoriteti i KLSH-së në zbatimin e rekomandimeve të dhëna prej saj, pasi vetëm në këtë mënyrë, dëmet e gjetura do të reflektoheshin në rritjen e përgjegjshmërisë së përdorimit të fondeve e funksioneve publike.

  1. Të dhënat mbi masat e rekomanduara dhe zbatimin e tyre për vitet 2008-2012 janë marrë nga Raporti Vjetor i KLSH për secilin vit përkatës.
Kontribuoi: Blerta Zilja