Open Data Albania ka hulumtuar në mënyrë krahasimore për të analizuar nëse ka ndryshime dhe shpenzime të cilësuara në një vit ku forca politike qeverisëse angazhohet në fushatë zgjedhore. Të dhënat janë krahasuar për tremujorin përkatës 1 shkurt-30 prill të vitit 2012 dhe vitit 2013

Transaksionet financiare nga thesari i shtetit në një vit zgjedhor rezultojnë shumë më të mëdha se sa ato të së njëjtës periudhë në një vit normal. E për të konfirmuar këtë, Open Data Albania ka hulumtuar në mënyrë krahasimore për të analizuar nëse ka ndryshime dhe shpenzime të cilësuara në një vit ku forca politike qeverisëse angazhohet në fushatë zgjedhore. Të dhënat janë krahasuar për tremujorin përkatës 1 shkurt-30 prill të vitit 2012 dhe vitit 2013.

Ministria e Punës qëndron në nivelin më të lartë të shpenzimeve në vlerë për 2013 krahasuar me vitin 2012. Teprica në vit zgjedhor në këtë rast është plus 632%. Konkretisht kjo ministri në vitin 2012 ka urdhëruar transaksione në vlerën e rreth njëqind e shtatëdhjetë milionë lekëve. Po në këtë tremujor por për vitin 2013 kjo vlerë transaksionesh të urdhëruara është rreth një miliard e dyqind e shtatëdhjetë milionë lekë, pra rreth një miliard e njëqind milionë lekë më shumë. Sipas të dhënave të thesarit rezulton që janë pagesa për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politik.

Po në nivel të lartë tejkalimi me tepricë prej 180 % në 2013-ën shfaqet Ministria e Drejtësisë. Sipas të dhënave, rreth 53% e shpenzimeve të këtij aparati në tremujorin e vitit 2013 shkoi për ndërtimin e strukturave të paraburgimit në qytetet Fier, Berat dhe Elbasan.

Aparati i Këshillit të Ministrave ka shpenzuar 79% më shumë se një vit më parë për tre muajt shkurtin, marsin dhe prillin e 2013. Konkretisht vlera e 2012 është rreth tetëdhjetë e gjashtë milionë e shtatëqind mijë lekë ndërsa 2013 është rreth njëqind e pesëdhjetë e pesë milionë lekë, pra mbi gjashtëdhjetë e tetë milionë lekë më shumë. Edhe Ministra e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve rezulton me një tërësi transaksionesh me vlera të larta kundrejt viti 2012. Kjo ministri në një tre mujor të vetëm ka shpenzuar rreth njëzet e dy milionë e pesëqind mijë lekë më shumë.

Me vlera më të vogla transaksionesh rezultojnë ministritë: Aparati Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Jashtme, e Shëndetësisë si dhe Ministria e Ekonomisë si dhe ajo e Integrimit.