Open Data Albania ka bërë një hulumtim krahasues të moshës mesatare në Shqipëri gjatë njëzet viteve të fundit dhe moshës mesatare të vendeve anëtare apo kandidate për anëtarësim të Bashkimit Europian.  Të dhënat për Shqipërinë janë marrë nga Instituti i Statistikave ndërsa të dhënat për Europën janë marrë nga Eurostat. Mosha mesatare është mosha e të gjithë popullsisë pjesëtuar me numrin e popullsisë. Të dhënat për Shqipërinë janë nxjerrë nga Censuset e popullsisë. Të dhënat për kontinentin Europian janë vlerësime nga Eurostat të nxjerra nga regjistrat civilë dhe censuset sipas rastit.

Të dhëna të përgjithshme.
Shqipëria në vitin 2011 vijonte të kishte popullsinë me moshë më të re në kontinentin Europian me përjashtim të Turqisë, Irlandës dhe Islandës. Ritmi i plakjes së popullsisë shqiptare gjatë dekadës së fundit ka qenë më i larti në kontinent me përjashtim të Lituanisë. Prefektura më e plakur në Shqipëri rezulton Gjirokastra, me moshë mesatare 39.7 vjeç, ndërsa prefektura më e re është Kukësi me moshë mesatare 30.2 vjeç.


Burimi:Eurostat
Përpunimi dhe komentet: ODA

Mosha në krahasim me Europën. Popullsia e Shqipërisë pati moshë mesatare prej 35.3 vjeç në vitin 2011, ndërsa mesatarja e 27 vendeve anëtare të BE-së qe 41.2 vjeç. Në vitin 2001, Shqipëria kishte moshë mesatare prej 30.6 vjeç ndërsa Bashkimi Europian e kishte  38.3 vjeç.  Gjatë kësaj dekade, popullsia në tërësi është plakur me mesatarisht 4.7 vjet në Shqipëri ndërsa në BE 27 është plakur me 2.9 vjet.


Burimi: Eurostat
Përpunimi dhe komentet: ODA

Mosha sipas prefekturave. Mosha mesatare në Shqipëri në vitin 2011 qe 35.3 vjeç, por Gjirokastra, Korça, Berati, Fieri e Vlora kishin popullsi më të moshuar se sa mesatarja kombëtare ndërsa prefekturat e tjera kishin moshë më të re. Mosha mesatare e banorëve të Tiranës qe 34.5 vjeç, ndërsa e Durrësit, 34.6 vjeç.

Plakja e popullsisë mes viteve 2001 dhe 2011 lidhet me numrin e fëmijëve të lindur gjatë kësaj dekade dhe emigrimit masiv të të rinjve. Por edhe jetëgjatësia mesatare ka një rol të rëndësishëm. Kombinimi i lindshmërisë së ulët me normë të lartë të emigrimit sjell plakje më të shpejtë të popullsisë.

Lindshmëria e lartë në Dibër e Kukës ka arritur ta mbajë popullsinë relativisht të re pavarësisht emigrimit masiv. Për shkak të mungesave të të dhënave mbi jetëgjatësinë mesatare sipas qarqeve në Shqipëri, nuk është e mundur të shihet se sa efekt ka ky faktor në plakjen e popullsisë.


Burimi: Eurostat
Përpunimi dhe komentet: ODA

Plakja e popullsisë është një fenomen shqetësues në pjesën më të madhe të botës. Rënia e lindshmërisë poshtë nivelit të zëvendësimit (2.3 fëmijë për nënë), ka rritur frikën se shumë vende nuk do të kenë numër të mjaftueshëm punonjësish për të mbajtur një numër gjithnjë e në rritje të moshuarish.  Për shkak të lindshmërisë shumë të ulët të regjistruar aktualisht në Shqipëri dhe vijimit të emigrimit të të rinjve, parashikimet janë që popullsia do të vijojë të plaket.

Kontribuoi: Gjergj Erebara