Open Data Albania po hulumton mbi numrin e autorëve të dënuar për vepra penale korruptive në vitet 2004 – 2012. Grupi i figurave të veprave penale që lidhen me korrupsionin është përzgjedhur nga ekipi i analizës pranë ODA, pasi në ligjin tonë penal sikurse edhe në trajtesa të doktrinës nuk kemi ndarje me seksione apo nënseksione që referojnë se cilat veprime përbëjnë krime korrupsioni, shpërdorimi apo abuzimi. Në kontekstin e analizës janë përzgjedhur figura veprash penale të parashikuara në nenet si vijon: Neni 175.

Kontrabanda nga Punonjës që lidhen me veprimtari Doganore;  Neni 181/a. Moskryerja e Detyrave nga organet tatimore; Neni 2017 Marrja e Shpërblimeve; Neni 244. Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike;  Neni 245. Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendor;  Neni 245/1. Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike; Neni 248. Shpërdorim Detyre; Nenin 257. Shpërdorim i Kontributeve të Dhëna nga Shteti; Neni 257. Përfitim i paligjshëm i interesave; Neni 257/a.

Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive; Neni 258. Shkelja e barazisë në tendera; Neni 259. Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Neni 260. Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendor; neni 319. Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë; Neni 319/a. Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit ose funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë; Neni 324p2. Dhënia ndihmë një të burgosuri për largim.


Burimi: Ministria e Drejtesise
Komentet dhe analiza: ODA

Shpërdorimi i Detyrës ka të bëjë me kryerjen ose moskryerjen me dashje e veprimeve apo e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë. Gjatë harkut kohor 2004-2012 janë dënuar gjithsej 658 persona si pasojë e kryerjes së kësaj vepre penale, pra mesatarisht 73 persona në vit.

Korrupsioni Pasiv i Personave që Ushtrojnë Funksione Publike është ajo vepër penale për të cilën dënohen mesatarisht 14 persona çdo vit. Viti me numrin më të lartë të të dënuarve është viti 2010 ku janë dënuar 23 persona për kryerjen e kësaj vepre penale.

Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike është një tjetër formë korrupsioni e aplikuar në Republikën e Shqipërisë. Gjatë viteve 2004-2012 janë dënuar gjithsej 83 persona nga ku pjesa më e madhe janë dënuar në vitin 2008.


Burimi: Ministria e Drejtesise
Komentet dhe analiza: ODA

Me interes në hulumtim paraqitet fakti që disa nene të këtij grupi veprash penale nuk janë proceduar asnjëherë. Konkretisht neni 217 Marrja e Shpërblimeve për veprime që lidhen me krime kundër Pavarësisë dhe Integritetit të Shtetit. Vepër e rëndë kjo dhe me specifika të veçanta deri diku abstrakte për një procedim në nivel gjyqësor të gjykatave të zakonshme.

Edhe Korrupsioni në gjyqësor paraqitet si një veprim penal i paproceduar me raste konkrete në këtë hark kohor. Në rastin e Korrupsionit me subjekt veprimi funksionar publik kemi mesatarisht çdo vit 13 persona të dënuar. Shpërdorimi i detyrës mbetet edhe neni më i përdorur për grupin e veprave penale korrupsion, shpërdorim dhe abuzim detyre.

Kontribuoi: Griselda Rruci