Stoku i borxhit të një vendi është totali i borxhit publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit dhe që ende nuk është shlyer. Borxhi publik mund të shlyhet brenda një viti si borxh afatshkurtër, ose pas më shumë se një viti duke u konsideruar borxh afatgjatë. Open Data Albania, ka kryer përditësimin e të dhënave mbi strukturën e stokut të borxhit të shtetit shqiptar sipas maturimit.

Të dhënat janë kumulative, pra stoku i borxhit të një viti përfshin totalin e borxhit të emetuar deri në atë vit. Borxhi afatshkurtër përbëhet nga bonot e thesarit, ndërsa borxhi afatgjatë konsiston në pjesën më të madhe nga obligacione 2 dhe 5-vjeçare. Në 2007 u emetuan për herë të parë edhe obligacionet 7-vjeçare.

Stoku i borxhit publik në fund të tremujorit të tretë 2013 ishte rreth 871.8 miliardë lekë ose 62.2% e Produktit të Brendshëm Bruto PBB. Nga ky total, 249.2 miliardë janë borxh afatshkurtër 30.4%, dhe 569. 5 miliardë janë borxh afatgjatë 69.6%.

Pas vitit 2016 pesha e borxhit afatshkurtër është tkurrur kundrejt borxhit afatgjatë. Kriter për vlerësim janë marrë maturimet origjinale.


Burimi:Ministria e Financave
Komentet dhe përpunimi: ODA

Gjatë viteve të fundit vihet re një rritje e qartë e peshës së borxhit afatgjatë, kundrejt borxhit afatshkurtër. Kjo reflekton strategjinë Ministrisë së Financave për emetimin e instrumenteve afatgjatë të borxhit. Rritja e borxhit afatgjatë ul nevojën e rifinancimit, por nga ana tjetër rrit kostot, pasi borxhi afatgjatë përfshin pagesa të interesave më të larta se borxhi afatshkurtër për shkak të likuiditetit më të ulët.