Patos- Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri. Kjo fushë prej 44 mijë hektarë është burimi më i madh natyror i naftës në të gjithë Europën, me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçi naftë në vit.
Si pasojë e rritjes së investimeve të huaja eksportet e naftës vendase janë rritur me ritme shumë të shpejta që prej vitit 2005. Eksportet e naftës shqiptare drejt tregjeve të huaja në fund të vitit 2012 arritën në 56.7 miliardë lekë, duke dominuar kështu totalin e eksporteve vendase. Në raport me një vit më parë, eksportet janë rritur 36%, ndërsa kundrejt vitit 2005 ato kanë regjistruar një rritje prej 2880%.
Burimi:Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Përpunimi dhe komentet: ODA
Të njëjtën ecuri pozitive kanë regjistruar edhe eksportet në sasi, duke shënuar 1 milionë ton në fund të vitit 2012. Në raport me një vit më parë ato janë rritur 36.3%. ndërsa kundrejt vitit 2005 rritja është 1193%.
Edhe në 10-muajt e parë të vitit 2013, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ecuria e eksporteve të naftës ka vijuar të jetë pozitve duke u rritur në nivelet e një viti më parë. Në fund të tetorit 2013 eksportet kishin arritur në 1.6 milionë tonë.
Eksportet e naftës shqiptare janë 2.4 herë më të larta se sasia e karburanteve që Shqipëria importon në vend për t’u përdorur në konsumin vendas. Në total, në fund të vitit 2012 janë importuar në Shqipëri rreth 430 mijë ton karburante. Sasia e importeve të karburanteve ka shënuar rënie në vitet e fundit si pasojë e krizës ekonomike dhe reduktimit të përdorimit të automjeteve nga konsumatorët. Rënia ka vijuar edhe në vitin 2013, duke u tkurrur në 359 mijë ton.
Burimi:Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Përpunimi dhe komentet: ODA
Kompania eksportuese më e madhe e naftës në vend është Bankers Petroleum Albania, e cila shfrytëzon fushën e Patos-Marinzës. Nafta shqiptare për shkak të cilësisë së saj eksportohet dhe përpunohet si bitum në tregjet e huaj, që shërben për asfaltimin e rrugëve.
Burimi:Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Përpunimi dhe komentet: ODA
Qeveria ka marrëveshje për eksplorimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit me kompani të tilla si:Islandrockall JV. dhe Australian Beach Petroleum Ltd, Capricorn Albania Ltd, një degë e kompanisë Cairn Energy company, Petromanas Albania Gmbh, Bankers Petroleum Albania dhe Sky Petroleum.
Marrëveshje të tjera janë nënshkruar për prodhimin dhe zhvillimin e fushave ekzistuese të naftës dhe gazit me Bankers, Stream Oil & Gas, Sherëood International Petroleum dhe IEC Visoka.