Që nga 1 janari i këtij viti vendi ynë nuk ka më një tatim mbi të ardhurat personale në masën 10 %, por një strukturë tatimore progresive. Krahasuar me vendet e rajonit sipas nivelit të normës tatimore, vendi ynë renditet pas Kroacisë për norma të larta, pasuar nga Serbia me 12%; Bosnja, Mali Zi, Maqedonia me 10% dhe Kosova me maksimumi 10%.

Edhe pse pati debate të shumta për vendosjen e taksës progresive si nga forcat politike, ashtu edhe nga komuniteti i biznesit, ajo u vendos nga qeveria në tre fasha. Referuar të dhënave të publikuara nga Open Data Albania në lidhje me normën e tatimit mbi të ardhurat personale nga pagat, në vendet e Ballkanit vërehet se Bosnja, Mali Zi, Maqedonia përdorin tatimin e sheshtë mbi të ardhurat personale dhe mbi të ardhurat nga paga. Një trajtim të veçantë bën Serbia, e cila taton të ardhurat personale në varësi të burimit nga i cili vijnë, ku të ardhurat nga pagat tatohen me 12%.

Ndërsa vende si Kroacia dhe Kosova përdorin tatimin me shkallë apo të ashtuquajturin tatim progresiv. Pavarësisht se ka një strukturë të shkallëzuar, normat tatimore në Kosovë fillojnë nga 0% për një kufi prej 960 euro/viti dhe arrijnë maksimalisht 10% mbi të ardhurat nga paga. Në Kroaci normat tatimore fillojnë nga 12% dhe përshkallëzohen sipas masës së të ardhurave deri në 40% për paga mbi 13 818 Euro / viti. Vendi ynë deri në dhjetor të vitit 2013 përdori tatimin e sheshtë i cili u implementua që në vitin 2007. Gjatë kësaj periudhë kemi pasur ndryshime të tij përsa i përket nivele të pagave të cilat përjashtoheshin nga tatimi.

Deri në 30 prill të 2013 të ardhurat nga pagat deri në 10 000 lekë/muaj nuk tatoheshin; të ardhurat nga 10 mijë -30 mijë lekë/muaj tatoheshin për diferencën mbi 10 mijë lek, me 10%; dhe çdo e ardhur nga pagat mbi 30 mijë lekë/muaj tatohej me 10% mbi të gjithë shumën. Në maj 2013 u bë një ndryshim në legjislacionin tatimor ku përjashtoheshin nga tatimi të gjitha të ardhurat nga paga deri në 30 mijë lekë/muaj dhe mbi këtë shumë tatohej sërish me 10% mbi të gjithë shumën.