Shifrat në rritje, në vendin tonë 33.8% e lindjeve janë me operim, standardi OBSH: Duhet të jetë vetëm 15%

Nënat e reja në Shqipëri janë “infektuar” nga frika për të lindur në mënyrë normale. Por nga ana tjetër edhe një pjesë e mjekëve nuk e kanë prioritet stimulimin e lindjeve natyrale apo punën bindëse për t’u kultivuar shtatzënave dëshirën për ta sjellë beben në jetë normalisht.

Lindja me operacion, kur shtatzëna bashkë me mjekun vendosin përafërsisht datën se kur do të kryhet ndërhyrja, valixhja në dorë e nënës së re dhe paraqitja në spital në këtë datë, është zgjidhja më e përdorur vitet e fundit. Statistikat flasin për një rritje të numrit të lindjeve me operacion dhe ulje të lindjeve natyrale.

Kjo mendësi ka prekur edhe vende të tjera, por që pavarësisht tendencës që kanë gratë, mjekët dhe standardet bëjnë maksimumin për të nxitur lindje natyrale, madje edhe në kushtet e shtëpisë, por me maksimumin e përgjegjësisë dhe gatishmërisë nga stafi që merr pjesë në procesin e lindjes dhe pritjes së fëmijës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, statistikave që kanë dy maternitetet kryesore në Tiranë, që kanë një numër të konsiderueshëm lindjesh, por edhe spitaleve të obstetrikë-gjinekologjisë rezulton se rreth 33.8 për qind e lindjeve në vend janë me operacion. Sipas standardit të dhënë prej kohësh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, kjo shifër duhet të jetë 15 për qind.

Sipas OBSH, vetëm 15% e lindjeve duhet të bëhen me operacion, përmes një ndërhyrjeje kirurgjikale me anestezi lokale. Për rrjedhojë, 85 për qind e fëmijëve duhet të vijnë në jetë në mënyrë natyrale.

Kostot formale dhe informale

Ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, një vit më parë deklaroi se në vendin tonë mjekët duhet të nxisin lindjet natyrale dhe jo ato me operacion dhe duhet të merren masa për uljen e përqindjes së lindjeve cezariane.

Por pavarësisht udhëzimeve të ish-ministrit, edhe për vitin që lamë pas pritet që në analizat e materniteteve të referohen të njëjtat përqindje, për të mos thënë pritshmëritë mund të jenë edhe më të larta.

Sipas pacientëve dhe familjarëve të tyre, ka raste kur mjekët u sugjerojnë pacientëve që për të evituar komplikacionet t’i nënshtrohen lindjes me operacion.

Kjo procedurë ka kosto si për qendrën shëndetësore, që do të duhet të paguajë anestezinë, pajisjet mjekësore dhe gjithçka tjetër kërkohet për shërbimin e kirurgjisë, por ka kosto edhe për individin. Sipas raportimeve konfidenciale të pacientëve rezulton se ata paguajnë më shumë nën dorë, në formën e ryshfetit apo bakshishit kur fëmija lind me operacion sesa kur lindja bëhet natyrale.

Statistikat

Tendenca për lindje me operacion, prerje cezariane në Shqipëri shënon rritje nga viti 2002 deri në vitin 2009. Në vitin 2002, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë përqindja e operacioneve në lindje kundrejt lindjeve natyrale ishte në nivelin 15%. Në vitin 2009, ky indikator shënon 18.7%. Viti më kritik është viti 2006, ku 24.3% e lindjeve janë kryer me prerje cezariane.

Pas këtyre viteve nuk janë mbajtur më regjistra statistikorë të përpunuar për të dhënë përqindje dhe për të matur evoluimin e problemit apo uljen e tij.

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se përgjatë dy-tre viteve të fundit indikatori i lindjeve me operacion referon se në vendin tonë mbi 33 për qind e bebeve vijnë në jetë me operacion.

“Në një vështrim krahasues shohim se niveli i lindjeve me operacion në spitalet shqiptare është më i lartë se në Maqedoni, Mal të Zi dhe Slloveni në harkun kohor 2007-2009, dhe se Kroacia për vitin 2006”, referon Open Data Albania.

Vendet si Italia, Austria, Serbia në vitin 2008 kanë një përqindje më të lartë të lindshmërisë me prerje cezariane.

Pagesat informale, tarifat që pacientët apo familjarët paguajnë nën dorë raportuar nga qytetarët konfidencialisht

Lindje me operacion

  •     Mjekut i jepen nga 20-30 mijë lekë të reja
  •     Anestezistit 5-10 mijë lekë të reja
  •     Infermieri 2-3 mijë lekë të reja
  •     Sanitari 500 lekë
  •     Pediatri që shikon fëmijën 2 mijë-5 mijë lekë

 

Lindje natyrale

  •     Mjeku 10 mijë-20 mijë lekë të reja
  •     Mamia 50-10 mijë lekë të reja
  •     Pediatri që shikon fëmijën 2 mijë-5 mijë lekë të reja