Open Data ka realizuar një hulumtim mbi destinacionet e eksporteve shqiptare përgjatë periudhës 2005-2013. Janë evidentuar 15 shtetet që zënë peshën kryesore të eksporteve shqiptare dhe ecuria ndër vite. Megjithëse eksportet vijojnë të dominohen nga Italia, gjatë dy viteve të fundit kompanitë eksportuese kanë nisur të zgjerojnë gjeografinë e shitjeve të tyre jashtë vendit, sidomos në shtete të tjera europiane.

Ecuria e eksporteve sipas shteteve 2005-2013



Burimi:INSTAT
Komentet dhe analiza:ODA

Në vitin 2005 eksportet shqiptare dominoheshin nga Italia, Greqia dhe Kosova, që zinin përkatësisht tre vendet e para, por në 2013 ky raport ka ndryshuar. Italia vijon të mbetet e para, ndonëse me peshë më të vogël në total se 8 vite më parë. Greqia dhe Kosova janë zëvendësuar me partnerë të tjerë si Spanja dhe Malta.


Burimi:INSTAT
Komentet dhe analiza:ODA

Italia ka vijuar të mbetet partneri kryesore përgjatë vitit 2013. Në vlerë absolute, eksportet drejt këtij shteti janë rritur me 5% me bazë vjetore, duke arritur në 114 miliardë lekë. Por dominimi i Italisë ka ardhur në rënie kundrejt totalit, duke zbritur në 46% në fund të vitit 2013. Produkti kryesor i eksportuar drejt Italisë janë tekstilet e këpucët, që zënë 52% të totalit të eksporteve drejt Italisë. Ky shtet fqinj pritet të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në eksportet shqiptare në kushtet kur kompanitë vendase të tekstileve dhe veshjeve presin një rritje të shitjeve të tyre në 2014-ën drejt këtij shteti.

Spanja tashmë prej tre vitesh është partneri  i dytë kryesor. Rritja e eksporteve shqiptare drejt tregut spanjoll ka qenë shumë e shpejtë dhe gjatë vitit 2013 ato arritën në 24 miliardë duke u zgjeruar me 22% kundrejt një viti më parë. Në total, eksportet drejt Spanjës zënë 10% të eksporteve shqiptare. Produkti kryesor që shitet në Spanjë është grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 93% të totalit. Është pikërisht kompania Bankers Petroleum, e cila nxjerr, përpunon dhe eksporton naftë ajo që tregton kryesisht këtë produkt në Spanjë.

Eksportet e naftës kanë rritur ndjeshëm edhe peshën e Maltës në totalin e eksporteve shqiptare, duke e renditur atë për herë të parë si partnerin e tretë më të rëndësishëm tregtar. Në total eksportet drejt Maltës arritën në thuajse të njëjtin nivel me ato drejt Kosovës, në 16.5 miliardë lekë duke zënë 7% të totalit. Ndërkohë drejt Kosovës, eksportet shënuan një rënie me bazë vjetore me 6%, si rrjedhojë e rënies së eksporteve të materialeve të ndërtimit e metaleve, pas problematikave të ndryshme në kufi gjatë vitit të kaluar nga Dogana dhe Qeveria e Kosovës. Ky grup zë 52% të totalit të shitjeve tona në shtetin fqinjë.

Drejt Kinës, partneri i pestë tregtar për eksportet, shitjet gati u dyfishuan, duke arritur në 11 miliardë lekë. Drejt këtij shteti, Shqipëria eksporton kryesisht minerale. Gjermania është tashmë partneri i gjashtë tregtar përsa i përket eksporteve. Drejt këtij shteti u shënua një rritje e ndjeshme me 43% e eksporteve, por pesha e tyre mbetet e ulët në raport me vitet e kaluar, kur Gjermania ishte partneri i tretë apo i katërt i Shqipërisë.

Shitjet drejt Turqisë shënuan një tkurrje të fortë prej 31% me bazë vjetore. Greqia po vijon të humbë peshën e saj në eksportet shqiptare. Eksportet drejt shtetit grek kanë vijuar rënien Në 2013-n u shënua një rënie me bazë vjetore prej 17%, në 7.8 miliardë lekë. Rënia e eksporteve ka ardhur si pasojë e krizës ekonomike të thellë në shtetin grek, çka ka sjellë rënie e ndjeshme të eksporteve të tekstileve drejt këtij shteti si dhe materialeve të ndërtimit, etj.

Zvicra ka shënuar gjithashtu një rritje të peshës së saj në eksportet shqiptare, duke zënë 2% të totalit të tyre. Drejt këtij shteti ne eksportojmë kryesisht perime të freskëta, bimë mjekësore dhe tekstile.