Open Data Albania ka realizuar një hulumtim mbi importet në Shqipëri sipas vendeve të origjinës përgjatë periudhës 2005-2013. Importet në total shënuan një rënie prej 3% me bazë vjetore në vitin 2013, për të arritur në 512 miliardë lekë, duke reflektuar si tkurrjen e konsumit në vend nga individët, ashtu dhe atë të investimeve nga bizneset. Me rënien e importeve dhe rritjen e eksporteve në 2013-n, deficiti tregtar mundi të përmirësohej kundrejt një viti më pare dhe duke arritur nivelin më të ulët të 6 viteve të fundit.

Në listën e shteteve që zënë peshën më të madhe në importet në Shqipëri renditen Italia, Greqia, dy partnerë tradicionalë tregtare për vendin. E treta për importe është Kina, ndjekur nga Turqia, Gjermania, Serbia si dhe Shtetet e Bashkuara.


Burimi:INSTAT

Përpunimi dhe komentet: ODA

Italia zë peshën kryesore të importeve në Shqipëri, me 32% të totalit. Importet nga ky shtet shënuan rënie për herë të parë që nga 2009, kohë kur në Shqipëri nisi të reflektohej kriza ekonomike botërore. Importet nga Italia u zvogëluan me 3.6% në fund të vitit 2013 kundrejt një viti më parë.  Kryesisht nga ky shtet fqinj ne importojmë ushqime, veshje, mallra të konsumit bazë, por edhe makineri, pajisje, etj. Rënia e importeve nga Italia reflekton tkurrjen e konsumit brenda vendit si pasojë e rënies së të ardhurave të konsumatorëve.
                       
Një tjetër shtet me peshë të madhe në importe, Greqia, që zë 9% të totalit, ka regjistruar gjithashtu rënie. Importet nga ky shtet shënuar një rënie prej 10%, duke shënuar vitin e tretë radhazi me trend negativ. Në fund të vitit 2013 nga Greqia u importuan rreth 44.7 miliardë lekë. Edhe nga ky shtet ne importojmë kryesisht ushqime e veshje, kryesisht në rajonet e Jugut të vendit.


Burimi:INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Rënia është shënuar edhe në importet nga Kina, duke arritur në rreth 32 miliardë në fund të vitit 2013, me një rënie 4.3% kundrejt një viti më parë. Edhe importet nga një prej shteteve më të mëdha prodhuese e eksportuese në botë nuk i kanë shpëtuar rënies. Nga Kina importohen kryesisht artikuj industrialë, makineri e pajisje.
 
Turqia, e cila renditet e katërta në listën e vendeve importuese ka vijuar të shënojë rritje, ndonëse modeste.  Gjatë vitit 2013 u importuan rreth 31.3 miliardë lekë mallra e shërbime e një rritje prej rreth 3% kundrejt vitit 2012.

Importet sipas origjines ne lek gjate 2005-2013


Burimi:INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA